Prespa drejt zhdukjes duke rrezikuar edhe liqenin e Ohrit

1339
Bardhyl Berberi
Liqeni i Prespës së Vogël në një sipërfaqe prej 425 ha tashmë ka prekur fundin. Ai po rrezikohet seriozisht. E gjithë sipërfaqja është mbushur me kallamishte dhe në vend të ujit të liqenit ka dalë toka. As që mund të bëhet fjalë që mund të futesh aty me varka thotë Taulant Bostanxhiu për gazetën “Telegraf” “ Shkatërrimi i këtij liqeni e ka zanafillën që në kohën e komunizmit kur ujërat e kanalit të Vëntrokut nga rrjedha e lumit Devoll u devijuan në Prespë. Ky liqen si pjesë e parkut kombëtar të Prespës, jo vetëm që e ka humbur bukurinë e tij, por është degraduar plotësisht. Por liqeni i Prespës ka një ndikim shumë të madh mbi liqenin e Ohrit duke qenë në një lartësi mbi 850 m mbi nivelin e detit, ndërkohë që liqenin i Ohrit 650 m dhe 70 për qind e ujërave të liqenit të Ohrit vijnë nga liqenet e Prespës. Janë këto ujëra që rrjedhin më pas në shtratin e Drinit të Zi që del në Strugë dhe vazhdon rrugëtimin në vendin tonë . Mbi këtë lumë qëndrojnë të ngritura disa hidrocentrale në Maqedoni dhe dy hidrocentralet kryesore në Shqipëri ai Fierzës dhe Vaut të Dejës ushqehen nga ky lumë. 

Po cilat janë vlerat unikale të dy liqeneve të Prespës 
Vetëm kur e viziton Prespën e ndien thellë mahnitjen nga peizazhet e shumta të saj, liqenet malet që e rrethojnë zonën i japin asaj një pamje të rrallë. Me 9 fshatra të vendosur në gjoksin e maleve që përbëjnë komunën e Liqenasit: Me Kallamasin, Goricën e Madhe, Gorica e Vogël, Gollomboçin, Diellasin, Liqenasin.” Lajthiza, Zaroshka dhe Cerja ku jetojnë afërsisht rreth 5 mijë e 500 banorë. Malet e lartë të bleruar që e kalojnë lartësinë mbi 2000 m lugina dhe shpate të vendosur mbi kaltërsinë e liqeneve me brigje të banuar krijojnë atë konfiguracion të pa përsëritshëm. Kështu i mbushur me këto kontraste bukurish me një kulturë të lashtë me ushqim të mirë dhe një mikpritje bujare. Këto kushte të favorshme klimatike, ujërat e pastra të burimeve përzemërsia e banorëve janë joshëse dhe të krijojnë relaks në çdo stinë të vitit. Por bukuria e vërtetë e Prespës janë dy liqenet e tij katër ishujt në dy liqenet e Prespës. Një i moshuar nga Gollomboçi na tregon legjendën e rrallë për këtë dy liqene. Këtu ku ndodhet liqeni i Prespës ka qenë një qytet shumë i madh. Sipas një gojëdhëne që ka kaluar brez pas brezi: Një ditë djali i mbretit që drejtonte qytetin kishte dalë nëpër pyll dhe aty rastësisht takon një zanë pylli shumë të bukur të quajtur Nereida. Djali i mbretit mahnitet nga bukuria e saj dhe i kërkon dorën për t’u martuar me atë. Por Nereida refuzon duke i thënë djalit të mbretit se, nëse ata martoheshin do të ndodhte një fatkeqësi shumë e madhe. Por djali i mbretit i verbuar nga dashuria e mori për nuse zanën e bukur Nereida. Por shumë shpejt pas martesës u hap qielli dh era një shi shumë i madh dhe i rrëmbyer që mbyti të gjithë qytetin duke krijuar një liqen të madh ku ndodhet sot liqeni i Prespës dhe lulet që ndodhen sipër sipërfaqes së liqenit sipas legjendës janë shpirtrat e njerëzve të mbytur. Por kjo është vetëm legjenda që qarkullon tek të moshuarit. 

Në lartësinë mbi 850 m mbi nivelin e detit gjenden dy liqene të ndarë nga një brez i ngushtë toke. Më i madhi i quajtur Prespa e Madhe, i cili ka një sipërfaqe prej 285 km2 dhe thellësi maksimale 54 m. Ky liqen është i ndarë nga tre shtete ku pjesën më të madhe e ka Maqedonia, kurse Shqipëria dhe Greqia kanë nga 40 km2 secila, ndërsa liqeni tjetër ai i Prespës së Vogël i cili ka një sipërfaqe prej 47 km2 dhe një thellësi prej vetëm 12 m i takon pothuajse i gjithi Greqisë më përjashtim të një pjese të vogël që ka Shqipëria .
Turizmi dhe parku i Prespës 
Më 2 shkurt të vitit 2000 kryeministrat e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Greqisë është shpallur si zona e parë e mbrojtur në Ballkan. Por megjithatë të ndonjë financimi nga qeveria gjermane dhe të ndonjë OJQ Prespa dhe zona e saj përreth është larg atyre kërkesave që ka koha për të zhvilluar turizmin . Banorët merren me peshkim ,blegtori dhe me bujqësi .Rruga që të çon nga Korça deri në Goricë më së fundi u rregullua .Për zhvillimin e turizmit është i domosdoshëm infrastruktura e komunikacionit .Nga zona e Prespës ka filluar një emigrim pas viteve të tranzicionit duke e ulur ndjeshëm popullsinë e kësaj zone . Një banor nga Prespa Niko Dume na thotë se peshkimi dhe turizmi mbeten prioritet për këta banorë por çuditërisht një pjesë prej banorëve mbajnë ende bagëti ne katet e para te shtëpive duke e ndotur ambientin përreth dhe duke e prishur imazhin e mirë të Prespës si vend turistik .Në Prespë janë bërë rreth 30 shtëpi model që mund të presin turistë por kjo shifër është shumë e vogël me mundësitë reale që ka Prespa .Banorët të thonë se janë bërë shumë studime dhe janë premtuar shumë gjëra për një turizëm elitar në Prespë por fjalët me veprat janë larg .Ato që ne pamë këto dit në Prespë ishin larg asaj që kërkon koha dhe turizmi bashkëkohor. Ka ardhur koha që Prespa të presë vizitorë t`u tregojë atyre mitet dhe legjendat dhe historitë e saj të lashta të civilizimit, t`u tregojë atyre që ka qenë qendra e mbretërisë së Samuilit, degëzimet e rrugës Egnatia dhe kryqëzimet si dhe kullat mesjetare përgjatë rrugës kishat e shumta të shekullit XII dhe XIV ku ndodhen themelet e qendrave të banuar nën ujërat e liqenit afër fshatit Kallamas. Nuk mund të largohesh nga Prespa pa shijuar tavën e krapit të shijshëm apo peshqit e vegjël që vendasit iu thonë “tsironia”. Këtu nuk gjen shtëpi pa fuçinë e verës artizanale apo kazanët artizanalë të rakisë që vendasit e ruajnë për miqtë. Kjo ishte Prespa mes bukurive të pafund me një pritje bujare dhe një distance që ajo ka ende me mundësitë reale me turizmin bashkëkohor. Prespa me rrugë të ngushta plot me fllad të freskët pemë të shumta me shtrofulla zogjsh dhe me luadhe të bukur dhe syrin e kaltër të liqenit që i jep një pamje magjike këtij mjedisi. Por Liqeni i Prespës së vogël rrezikon që të zhduket dhe dëmet e kësaj katastrofe do të jenë të pariparueshme. 
Sigal