Presidenti shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Dritëro Agollit

557
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka shprehur ngushëllimet dhe dhimbjen për ndarjen nga jeta të shkrimtarit dhe poetit të shquar shqiptar Dritëro Agolli, nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, në të cilin shkruhet:
“Të dashur familjarë të Dritëroit të ndjerë,
Me hidhërim dhe dhimbje të thellë mësova lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të bashkëshortit, babait, gjyshit dhe njeriut tuaj të shtrenjtë e të pazëvendësueshëm.
Me këtë rast të trishtë dhimbjeje, më lejoni t’ju shpreh ngushëllimet e sinqerta, dhe në emër të qytetarëve shqiptarë, duke u përpjekur t’ju gjendem pranë shpirtërisht në këto çaste tejet të vështira!
Me ikjen nga kjo jetë të Dritëro Agollit, letrave shqipe do t’iu mungojë shkrimtari dhe poeti i ndritur, autori i një krijimtarie letrare të vyer e të pashtershme, që pasuron cilësisht e në mënyrë origjinale thesarin e trashëgimisë shpirtërore të popullit shqiptar.
Ndërsa shoqëria jonë humbi mendimtarin e kthjellët dhe veprimtarin me impakt të pamatshëm publik, i cili me kontributet e tij të rralla në dy periudha historike, la gjurmë të pashlyeshme si protagonist i lëvizjeve emancipuese përgjatë më shumë se një gjysmë shekulli si në art, ashtu edhe në politikën shqiptare të epokës së pluralizmit.
Edhe një herë ngushëllime dhe Dritëroit i pastë shpirti dritë në jetë të jetëve!
Sigal