Presidenti reagon për ngjarjen në Kamëz: Të dënohen autorët

729
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nëpërmjet këshilltarit të tij për Pushtetin Lokal, Ylli Asllani, i shprehu sot ngushëllimet dhe solidaritetin e tij, familjes së qytetarit Agim Buci i cili humbi jetën tragjikisht nga përplasja me bandat e krimit.
“Në emër të Presidentit Meta i përcolla sot ngushëllimet më të thella, solidaritetin njerëzor e institucional dhe mbështetjen e plotë, familjarëve dhe katër fëmijëve të qytetarit, Agim Buci, i cili humbi jetën nga përplasja me kriminelët që grabitën biznesin e tij.
Presidenti Meta i uron shërim të shpejtë Merita Bucit, bashkëshortes së të ndjerit, e cila mbeti e plagosur në këtë ngjarje të rëndë.
Presidenti Meta duke dënuar me forcë këtë ngjarje, apelon kapjen e menjëhershme të autorëve të krimit, nxjerrjen e tyre para drejtësisë dhe dënimin me të gjithë fuqinë e ligjit.
Presidenti Meta apelon se duhet bërë ende më shumë për të garantuar sigurinë e jetës, paqen sociale, pronën e biznesin, përballë një problemi madhor, siç është krimi, që vazhdon të sfidojë shtetin por edhe të marrë jetë të pafajshme njerëzish, në mes të qyteteve tona.
Presidenti Meta do të mbështesë dhe do t’i gjendet pranë gjithmonë katër fëmijëve dhe familjarëve të Agim Bucit”, – deklaroi këshilltari Asllani në emër të Presidentit Meta.
Sigal