Presidenti që fut vendin në udhëkryq

518
Në të njëjtën ditë, më 24 KORRIK Shqipëria ka zgjedhur katër Presidentë (Mejdani 1997, Moisiu 2002, Topi 2007 dhe Nishani 2012). Nëse kemi një datë që lidhet me simboliken e institucioneve, për Institucionin e Presidentit mbetet data 24 korrik. Natyrisht që ne nuk u kushtojmë rëndësi datave të tilla dhe as debatit kushtetues e publik mbi bilancet presidenciale dhe rolin e tij në sistemin politik. Dikur ishim të zënë me minutat që shefi i qeverisë rrinte në ujë në Vlorë, tani me minutat që shefi i qeverisë kalon ne FB apo tëitter. Për shtetin dhe seriozitetin e sjelljes institucionale, nuk kishte dhe as nuk kanë kohë. Gjithësesi, më shumë se përmendja e datës 24 korrik dhe simbolikës që kjo datë ka në memorien shtetërore postkomuniste, ia vlente që sot të shohim përtej ditës dhe të mendojmë se çfarë do të ndodhë më 24 korrik 2017, kur përfundon mandati i presidentit aktual dhe kur presidenti i ri do e ketë të pamundur të marrë detyrën (nëse nuk ndryshohet Kushtetuta në minuten e fundit !!!). Pse? Sepse në vitin 2017 mandati presidencial mbaron dy muaj përpara mbarimit të mandatit të Kuvendit ekzistues, ndaj për pasojë, procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon më përpara sesa data 9 korrik 2017, 60 ditë nga mbarimi i mandatit të Kuvendit. 

Zgjedhjet e rregullta parlamentare pritet të mbahen në fundin e muajit qershor 2017 pas periudhës 45 ditore të shpërndarjes së parlamentit. Në këtë mënyrë, parlamenti do duhet të shpërndahet në fillim të muajit maj 2017. Përpara se të shpërndahet, parlamenti do duhet të zgjedhë Presidentin e Republikës. Bazuar në praktikën e zgjedhjes, nevojën për pesë votime, procedura për zgjedhjen e Presidentit do të duhet të nisë në fundin e muajit mars dhe fillimin e muajit prill 2017, pra rreth pesë muaj përpara se të mbarojë mandati kushtetues presidencial. Nëse zgjedhjet dështojnë (prill 2017), atëherë vendi shkon në zgjedhje të parakohshme pas 45 ditësh, pra në fundin e muajit maj 2017. Nëse zgjedhjet shoqërohen me problematika dhe parlamenti nuk mblidhet deri në korrik 2017, atëherë ushtrues i funksionit të kryetarit të shtetit do jetë kryetari i parlamentit (të shpërndarë). Atëhere kush do jetë President?

 Ku do betohet ai më 24 korrik kur nuk ka as parlament të ri të mbledhur dhe as parlament të vjetër në detyrë? Për më tepër, në situata hipotetike, kur kryetari i parlamentit nuk kandidon në zgjedhje, ose kandidon dhe nuk fiton, atëherë krijohen situata të veçanta, në të cilat ushtrues i funksioneve të kryetarit të shtetit bëhet ushtruesi i funksionit të kryetarit të parlamentit (të shpërndarë), që ka humbur zgjedhjet, ose nuk ka kandiduar. Në disa variabla, përfshirë në rastet e rotacionit politik, një situatë e tillë do ishte problematike. Për më tepër, kur ushtruesi i funksionit të Presidentit nuk ka kufizime në ushtrimin e kompetencave të tij, përfshirë emërimet në gjyqësor, në prokurori, në shërbimin sekret, etj. Vetë Presidenti në detyrë nuk ka mekanizëm për të imponuar zgjatjen e mandatit të tij, ndaj zgjatja e këtij mandati në çdo rast do ishte burim i një situate të provokuar nga aktorë të tjerë institucionalë e politikë. Kaq për sot. E di që ata që kanë në dorë zgjidhjen (ndryshimin kushtetues) janë në plazh, në FB, në tëitter, apo të zënë me ndonjë biznes familjar, gjithësesi është detyra jonë ta sjellim në vëmendje këtë rast, një probabilitet për një krizë të ardhshme politike dhe një tregues tjetër se 24 korriku nuk mund të jetë gjithnjë një ditë për solemnitet dhe shampanjë!
Sigal