Presidenti Nishani/ “Klasa politike të gjejë konsesus për përmbushjen e reformave në drejtësi”

593
Sigal

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, mblodhi një tryezë të rrumbullakët me një serë drejtuesish të institucioneve kryesore, pjesë përbërëse të sistemit të drejtësisë, për të diskutuar mbi reformën në sistemin gjyqësor, si dhe mbi sfidat që burojnë nga rekomandimet në Raport Progresin e BE-së për Shqipërinë për vitin 2012-të. Në fillim të këtij takimi, në prani të Ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi; Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja; Kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj; Nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa; Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama; përfaqësuesve të misionit EURALIUS në vendin tonë dhe të tjerë përfaqësues të institucioneve të drejtësisë shqiptare, Kryetari i Shtetit mbajti një fjalë përshëndetëse, ku vlerësoi rëndësinë e këtij takimi si një pikënisje për ndërmarrjen e nismave konkrete për përmbushjen e prioriteteve dhe synimeve institucionale në fushën e drejtësisë, kryesisht në sistemin gjyqësor. Gjatë fjalës së tij, presidenti Nishani i bëri apel klasës politike që të gjejë konsensus për përmbushjen e reformave të nevojshme për marrjen e statusit, në mënyrë që siç tha ai, të përmbushet ajo që nisën patriotët 100 vjet më parë. “Ndërkohë që pushtetit gjyqësor i kërkohet zbatimi i ligjeve, një pritshmëri e madhe është ndaj klasës politike për gjetjen e konsensusit. Në këto momente të rëndësishme historike, këto pr/ligje marrin një rëndësi për të kurorëzuar përpjekjet 100-vjeçare të popullit tonë. Të kurorëzojmë atë që kanë nisur 100 vjet më parë patriotët, pavarësisht krahinës apo bindjeve që ata përfaqësonin. Përfituesit kryesore të reformave janë qytetarët shqiptarë, por në fund të fundit nga këto reforma përfiton edhe komuniteti i gjyqtarëve, pasi siç e përmenda ju duhet të jepni e të merrni besim.”- u shpreh kreu i shtetit. Presidenti Nishani theksoi se procesi i emërimit dhe transferimit të gjyqtarëve do të jetë transparent dhe në përputhje me kornizën ligjore. Kreu i shtetit nënvizoi rëndësinë që çdo gjyqtar të përfaqësojë vlerat e gjyqësorit, të ketë integritet profesional dhe moral. “Kushdo që punon në gjykatë duhet të përfaqësojë vlerat e gjyqësorit. Vetëm personat që garantojnë këto vlera mund të përçojnë tek qytetarët imazhin e një gjyqësori efikas” – deklaroi Nishani. Si drejtues i tryezës së punës, Presidenti i Republikës ftoi krerët e institucioneve të drejtësisë shqiptare të prezantojnë mesazhet dhe vizionet e tyre për reformat e rëndësishme që i kërkohen Shqipërisë, institucioneve shqiptare, shoqërisë shqiptare, ku fokusi dhe objektivi kryesor mbetet sistemi gjyqësor. Drejtuesit e institucioneve të sistemit gjyqësor vlerësuan nismën e Presidentit të Republikës si një risi në koordinimin dhe bashkëpunimin e punës mes institucioneve të drejtësisë në reformimin e sistemit gjyqësor në vend.