Presidenti Nishani dhe Zonja e Parë festojnë Festivalin tradicional hebre të Dritave, Hanukan

504
Sigal

Presidenti Nishani dhe Zonja e Parë festojnë
Festivalin tradicional hebre të Dritave, Hanukan: Ky kremtim farkëton edhe
më shumë lidhjet dhe marrëdhëniet e veçanta historike dhe tradicionale me
shqiptarëve dhe hebrenjve.

 

27 dhjetor 2016

 

Në Institucionin e Kreut të Shtetit shqiptar u
festua për herë të katërt festa e Hanukas, Festivali hebre të Dritave e të
lirisë së besimit, në të cilën ishin të pranishëm Nënkryetarja e Kuvendit zonja
Valentina Leskaj, deputetë, përfaqësues të Qeverisë dhe institucioneve të
pavarura kushtetuese, krerë të bashkësive fetare, përfaqësues të Trupit
Diplomatik të akredituar në vendin tonë, të Bashkësisë Hebreo-Shqiptare, të
Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Izrael, si dhe personalitete të ndryshme.

 

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti i
Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani vuri në dukje se kremtimi me miqtë
izraelitë i kësaj feste sa fetare, aq edhe laike dhe kuptimplotë është kthyer
një traditë të përvitshme të miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy popujve dhe
vendeve.

 

Në fjalimin e mbajtur para se të ndizte qiririn e
parë simbolik të Menoras, Kreu i Shtetit, nënvizoi se Festivali i Dritave
dhe i Përkushtimit, ose “Hanuka” në hebraisht, na sjell ndërmend përpjekjet e
pareshtuara dhe luftën për liri e të drejtën e ushtrimit të besimit fetar të
kombit hebre, por jo vetëm të tij si dhe origjinën historike të kësaj feste të
lashtë.

 

“Ndër shekuj tiranët dhe despotët e ndryshëm janë
rrekur më kot të shtypin e t’u mohojnë njerëzve të lirë të drejtën e dhënë nga
Zoti për të ushtruar besimin e tyre, por nuk ia kanë dalë mbanë dhe nuk do t’ia
dalin kurrë! Prandaj edhe Hanukaja festohet edhe në Shqipërinë tashmë të lirë e
demokratike, sepse me dritën e saj ajo ndriçon jo vetëm përpjekjet e popullit
hebre në kërkim të lirisë dhe të vetëvendosjes, por edhe të popullit tonë
gjithashtu.

 

Të gjithë ne ndihemi të frymëzuar nga shembulli dhe
historia e Hanukas, por mbi të gjitha jemi krenarë, sepse Shqipëria dhe
shqiptarët, në kurorën e vlerave të tyre, kanë si margaritarë bashkëjetesën dhe
harmoninë fetare mes bashkësive të ndryshme. Pikërisht edhe me këto vlera të
rralla dhe unike, ne shqiptarët synojmë të pasurojmë së shpejti familjen e
madhe evropiane, së cilës do t’i bashkëngjitemi në mënyrë të merituar, por pse
jo, t’i ndajmë bujarisht dhe ta lartësojmë këtë pasuri të trashëguar nga të
parët tanë, edhe me kombet e tjera, ashtu siç po bëjmë sonte këtu.” – u shpreh
Presidenti Nishani.

 

Kreu i Shtetit, theksoi se gjithashtu se: “Në gjurmë
të traditave më të mira të popullit tonë: të mikpritjes, harmonisë fetare dhe
Besës sonë, ky kremtim farkëton edhe më shumë lidhjet dhe marrëdhëniet e
veçanta historike dhe tradicionale me shqiptarëve dhe hebrenjve, të cilat u
kanë bërë ballë sprovave të vështira përgjatë rrjedhës së historisë, siç ishte
edhe periudha e errët e Holokaustit. Këta qirinj flakërojnë sonte me qëllim që drita
dhe shpresa për një të ardhme më të mirë të mposhtin errësirën dhe dëshpërimin,
e që njerëzit ta përjetojnë jetën, duke besuar se e pamundura është e mundur,
vetëm në saje të vullnetit, sakrificave dhe bindjeve tona, të cilat duhet të
jenë të forta e të palëkundura, ashtu siç ka thënë edhe Rabini e filozofi Nahum
Braverman: ‘Qirinjtë i ndezim si dëshmi se besimi ynë i bën të mundura
mrekullitë!’”

 

Kreu i Shtetit vlerësoi se miqësia dhe mirëkuptimi
mes dy vendeve u forcuan veçanërisht gjatë periudhës së errët të Shoahut si dhe
uroi që këto lidhje të thellohen e të konsolidohen edhe më tej. “Riti i
përvitshëm i ndezjes së këtyre katër qirinjve simbolikë të Hanukas në
Institucionin më të lartë të Shtetit shqiptar, uroj të na shërbejë të gjithëve
si një gjest i sinqertë vlerësimi ndaj vlerave më të mira që ne ndajmë së
bashku si dy kombe të lashtë! Le të shërbejë kjo Festë sonte edhe për të
nënvizuar mesazhin e fortë të rëndësisë që pasqyron respektimi i të tjerëve
ndryshe, harmonia dhe bashkëjetesa fetare në tokën e bijve të shqipeve,
shembulli domethënës dhe ilustrues i të cilave është edhe marrëdhënia paqësore
dhe vëllazërore mes shqiptarëve dhe hebrenjve ndër shekuj.”

 

Me këtë rast Ambasadori i Shtetit të Izraelit, SH.
T. Z. Boaz Rodkin u shprehu mirënjohjen Presidentit Nishani dhe Zonjës së Parë,
Odeta Nishani për festimin në Institucionin më të lartë të Shqipërisë të
Hanukas si dhe për faktin që e kanë shndërruar tashmë këtë festim në traditë
duke theksuar: “Ky është sezoni kur ne vlerësojmë mrekullitë e shumta, të mëdha
dhe të vogla, që kanë bekuar dhe hijeshuar jetën tonë, brez pas brezi, dhe kur
njohim e pranojmë se më kuptimplota mes tyre është liria jonë. Gjithkush në
Shqipëri mund ta kuptojë frymën e kësaj tradite. Praktimi me krenari i fesë
sonë, cilado qoftë ajo – si dhe mbrojtja e të drejtave të të tjerëve për të
bërë të njëjtën gjë – ky është besimi i përbashkët i këtij vendi.” Në
përfundim të ceremonisë të pranishmit ndoqën disa këngë dhe melodi të
interpretuara mjeshtërisht nga dy artistët elbasanas Zeqir Sulkuqi dhe Klement
Marku dhe më pas, shijuan gatimet dhe ëmbëlsirat e Hanukas duke i uruar
njëri-tjetrit një Vit të Ri 2017 sa më të lumtur, të begatë, të paqtë e të
mbarë.