Sigal

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vlerësoi sot me anë të një ceremonie të veçantë, ekipin e basketbollit “Partizani” për meshkuj të vitit 1968 me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin: “Për përfaqësimin e shkëlqyer të basketbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare”.
Ndërsa me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” Presidenti Meta çmoi ish-basketbollistët z.Astrit Greva; me Titullin “Mjeshtër i Madh” z.Dodan Përmeti dhe z.Spartak Boshnjaku me Titullin “Naim Frashëri”.
Kurse Edmond Mojës dhe Guxim Bekteshit iu akordua nga Presidenti i Republikës Titulli “Për merita të veçanta civile”.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar të pranishmëve, Presidenti Meta theksoi: “Është një lumturi për mua që të shpreh mirënjohjen më të thellë institucionale por njëkohësisht edhe personale dhe njerëzore për këtë “Partizan” të artë të vitit 1968.

Këtë ceremoni vendosa ta bënim tani dhe të ishte e fundit për këtë vit, për Vitin e Skënderbeut në kuadër të nderimeve që si Institucion i Presidentit të Republikës kemi bërë në mënyrë të vazhdueshme për të vlerësuar dhe për të shprehur mirënjohjen për ato arritje të jashtëzakonshme guximtare të ekipeve dhe të sportistëve më të mirë të Shqipërisë deri më sot.

Skënderbeu është ai që ka përcaktuar identitetin tonë europian. Medaljet që mbajnë emrin e Skënderbeut padyshim që në radhë të parë u takojnë atyre që kanë bërë më shumë që Shqipëria të njihej në Europë në periudhën për fat të keq më të vështirë të izolimit të saj nga e gjithë bota.

Ajo që ka ndodhur në vitin 1968 është vërtetë një arritje e jashtëzakonshme historike, po të kemi parasysh faktin që ishte hera e parë që “Partizani” lejohej të merrte pjesë në Kupat e Europës. Dhe për herë të parë të ndeshej me gjigandët e Italisë, por jo vetëm të Italisë, me gjigandët e Amerikës, të Argjentinës dhe me një trajner që kishte një emër aq të madh si Stankoviç, i cili më pas për disa dekada drejtoi gjithë basketbollin europian.

Ka qenë një sfidë jashtëzakonisht e vështirë dhe këtë më mirë e dinë vetë protagonistët e asaj ndeshjeje, por padyshim që e mban mend i gjithë opinioni sportdashës dhe mbarë populli shqiptar që në atë kohë gëzimet i kishte me pikatore.
Kjo ndeshje është mjaft e rëndësishme sepse vendosi themelet për disa dekada për afirmimin jo vetëm të “Partizanit”, por edhe të basketbollit tonë në arenën europiane dhe në atë ndërkombëtare. Jo vetëm kaq, por kuptohet që frymëzoi edhe mjaft të rinj dhe ekipe në disiplina të tjera sportive, sepse këto ngjarje të mëdha që vendosi një standard të ri më të lartë sjellin edhe një vetëbesim më të madh për të kuptuar se nuk ka asgjë të paarritshme në rast se guxon, në rast se ëndërron, por mbi të gjitha në rast se i përkushtohesh kësaj ëndrre dhe këtij projekti me punë, me pasion dhe me frymë ekipi.

Këtë besoj e di më mirë se të gjithë ne trajneri ynë i dashur, z.Astrit Greva, i cili në atë kohë ka qenë jashtëzakonisht i ri bashkë edhe me trajnerin tjetër, i cili ka qenë ndihmësi i tij, profesor Njazi Lleshi, ashtu sikurse e di shumë mirë edhe ekipi që ka shkëlqyer në atë ndeshje dhe padyshim që e di shumë mirë edhe Agim Fagu, legjenda e basketbollit tonë, të cilin ne patëm nderin që në 70-vjetorin e lindjes së tij ta nderonim këtu me Urdhrin më të lartë, atë të Skënderbeut, por padyshim që e di mirë i gjithë ekipi.

Ne kemi bashkëpunuar gjatë gjithë kësaj kohe për të përgatitur këtë ceremoni dhe për të bërë disa vlerësim të cilat natyrisht nuk janë të fundit, por unë ndihem vërtetë mjaft i kënaqur dhe përulem si President i Republikës përpara këtij ansambli të mrekullueshëm, i cili dha një mesazh të jashtëzakonshëm 50 vite më parë, mesazh që mbetet aktual dhe sot.
Një nga qëllimet e kësaj ceremonie është pikërisht për të rikthyer vëmendjen, shpresën dhe besimin te basketbolli, te volejbolli te shumë sporte të tjera ku Shqipëria ka arritur rezultate të shkëlqyera dhe ku me pak investime dhe me shumë pason përsëri mund të realizohen ëndrra të mëdha, që i japin një tjetër vend të nderuar Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Edhe një herë faleminderit të gjithëve për pjesëmarrjen tuaj. Falënderojmë edhe familjarët që ju kanë mbështetur dhe natyrisht duke i uruar edhe “Gëzuar Vitin e Ri”, uroj edhe sportin tonë që të ketë më shumë arritje.

Sepse sporti na duhet, jo vetëm për të përmirësuar më tepër imazhin e vendit në Europë dhe në botë, – sepse me pak investim në sport mund të bëjmë një ndryshim të jashtëzakonshëm pozitiv për imazhin e vendit, sikurse ka ndodhur -, por njëkohësisht na duhet edhe për të përfshirë më shumë të rinjtë dhe fëmijët në botën e sportit, të edukimit fizik, për të pasur një rini larg veseve dhe një rini të shëndetshme dhe me besim tek e ardhmja. Edhe një herë faleminderit dhe lavdi Partizanit të 18 dhjetorit 1968!”, – u shpreh Presidenti Meta.

Pas marrjes së dekoratës në emër të asaj skuadre legjenda e basketbollit shqiptar, Agim Fagu mbajti një fjalë të shkurtër përshëndetëse ku ndër të tjera theksoi: “Zoti President, faleminderit për nderimin e madh që i bëni “Partizanit” edhe basketbollit! Dua t’ju përcjell juve respektin dhe mirënjohjen më të thellë të të gjithë brezave të basketbollistëve të “Partizanit” që për 7 dekada bënë historinë më të bukur të sportit të basketbollit në Shqipëri. Për këtë arsye ata ishin frymëzues dhe edukatorë të brezit të të rinjve shqiptarë, sepse ata i dhanë atij brezi më shumë bukuri, më shumë dashuri, i dhanë më shumë kënaqësi dhe për këtë arsye të rinjtë e asaj kohe i quajtën ata idhujt e tyre. Duke vlerësuar ekipin e basketbollit, punën dhe kontributin e tyre unë besoj se Ju në këtë rast i dërgoni një mesazh direkt të gjithë atyre që drejtojnë sportin shqiptar, që për mëse 25 vjet lëngon në shpresën e fatit, që nuk duket gjëkundi të afrohet ende.

Ju po dekoroni sot përveç “Partizanit” disa nga protagonistët e asaj nate, që unë do ta quaja një nga kulmet e historisë së lavdishme të sportit shqiptar. Ajo natë i bëri shqiptarët më të lumtur, i bëri shqiptarët më të guximshëm, i bëri shqiptarët të besojnë dhe të kenë më shumë besim se ata janë si e gjithë Europa! Me dashje apo pa dashje ajo natë i detyroi specialistët dhe gazetarët më të shquar të kontinentit të shkruajnë në gazetat më prestigjioze të Europës: Në Shqipëri luhet basketboll modern, luhet basketboll me një “B” të madhe! Zoti President, unë ju falënderoj për një gjë shumë të rëndësishme të sportit shqiptar dhe të historisë së Shqipërisë. Ju e flisni historinë e Shqipërisë me një shqipe të pastër”, – tha ish-kapiteni i “Partizanit” basketboll meshkuj, Agim Fagu.

Ndërsa, Shpresa Bekteshi, e motra e Guxim Bekteshit, pasi tërhoqi titullin “Për Merita të Veçanta Civile” në emër të vëllait të saj u shpreh: “Kur mësova për lajmin u përlota. Nuk e keni provuar ndjenjën çfarë domethënë të jesh i harruar dhe kur je i izoluar siç ishim ne ose edhe i mërguar, e vuan shumë harresën. Me këtë që keni bërë e keni kujtuar ‘Guxin’ tonë. Ju falënderoj Zoti President, jo vetëm për vëllanë tim, por për të gjithë këtë plejadë sportistësh të jashtëzakonshëm që kanë qenë idhujt e kohës sonë. Në kontekstin historik ka qenë një vit shumë i keq, sepse u pushtua Çekosllovakia dhe ne studentët që ishim pak mendje hapur këtë e përjetuam si tragjedi të madhe. Dhe kjo ndeshje qe diçka befasuese dhe e prisnim me një emocion dhe kuriozitet të jashtëzakonshëm. Ka qenë një nga ditët më të lumtura të jetës sime, sepse sporti nuk ka emocionin individual siç ta jep arti. Sporti ka agregacion emocionesh dhe e gjithë salla është njëkohësisht në unison për të brohoritur dhe ishte një sfidë shumë e madhe për atë kohën, përveçse faktin se në atë kohë brohoritej për herë të parë për individin: Fagu! dhe kjo qe ajo subkoshienca e njerëzve që donin lirinë. Pa dashur ne brohorisnim individin e jashtëzakonshëm, sepse sporti nuk është forcë, disiplinë dhe talent por është edhe mendje”, – u shpreh zonja Shpresa Bekteshi.