Presidenti Meta, vizitë shtetërore në Maltë

738
Presidenti Meta, vizitë shtetërore në Maltë me ftesë të Presidentes së Republikës së Maltës, Sh.S.Znj. Marie-Louise Coleiro Preca
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, po zhvillon një vizitë shtetërore dy ditore në Maltë me ftesë të Presidentes së Republikës së Maltës, Sh.S.Znj. Marie-Louise Coleiro Preca. Vizita e Presidentit Meta përkon me shënjimin e 45-Vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Maltës. 
Gjatë takimit, Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, në planin dy dhe shumëpalësh, me dëshirën që nivelit të shkëlqyer të marrëdhënieve politike t’u përgjigjen edhe aspektet e tjera të bashkëpunimit dhe shkëmbimeve të ndërsjella. 
Presidenti Meta i shprehu homologes Coleiro Preca vlerësimin për mbështetjen e pakursyer që Malta i ka dhënë Shqipërisë në procesin e saj të integrimit evropian, duke kërkuar njëkohësisht mbështetjen ndaj një rekomandimi pozitiv të pritshëm të Komisionit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit. 
Të dy presidentët konfirmuan angazhimin e ndërsjellë për të nxitur Qeveritë, institucionet e të dy vendeve dhe komunitetet respektive të biznesit, që të hulumtojnë dhe shfrytëzojnë të gjitha mundësitë dhe hapësirat e investimeve në sektorë strategjikë, si turizmi, energjetika, infrastruktura, sektori financiar dhe teknologjisë së informacionit.
Presidenti Meta veçoi Teknologjinë e Informacionit, një fushë ku Malta ka arritur të tërheqë prezencën e kompanive globale si Microsoft, si një tjetër mundësi bashkëpunimi konkret. 
Duke u ndalur në zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, Presidenti Meta përcolli mirënjohjen për mbështetjen e Maltës ndaj shtetit të Kosovës, dhe nënvizoi rëndësinë që ka liberalizimi i shpejtë vizave për qytetarët saj, të vetmit në Ballkan që nuk përfitojnë ende nga regjimi i liberalizuar i vizave drejt hapësirës Shengen.
Në fund të takimit, Presidentët e të dy shteteve, dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Sigal