Sigal

Pyetje: Zoti President, jam një gazetare nga Rumania. A mund të na jepni disa detaje për gatishmërinë e Shqipërisë përsa i përket anëtarësimit të saj në Bashkimin Europian?

Presidenti Meta: Do të ishte kënaqësi nëse ju do të na jepni qasjen tuaj, meqë jeni nga Rumania dhe po përgatiteni edhe për Presidencën e radhës. Ajo që mund t’ju them është se Shqipëria punon dhe beson se edhe me angazhimin e Komisionit Europian dhe shpresojmë edhe të vendeve anëtare, që në qershorin e ardhshëm, të merret vendimi për çeljen e negociatave për anëtarësim. Gjë që u konfirmua edhe nga takimi i fundit në Bruksel midis qeverisë shqiptare dhe Komisionit Europian.

Natyrisht që do të na duhet të vazhdojmë përparimin në të gjitha këto fusha që i quajmë përparësitë kyçe, që kanë të bëjnë me forcimin e shtetit ligjor, sidomos me ecurinë e mëtejshme të reformës në drejtësi dhe krijimit të institucioneve të reja të drejtësisë, por edhe me çështje të tjera ku po punohet dhe ku ka gjithmonë vend për më shumë punë.

Besojmë që edhe klima të jetë më pozitive edhe për Shqipërinë, edhe për Maqedoninë. Në këtë drejtim shpresoj që të ketë një vendim pozitiv për të dyja vendet. Dhe të jepet një mesazh i fortë se procesi i zgjerimit vazhdon pavarësisht se dihet që edhe negociatat do të kërkojnë kohën e tyre.

A jemi shumë optimistë? Mendoj se jemi realistë dhe të vendosur që të ecim në këtë rrugë pavarësisht se si do të jenë rrethanat në vetë Bashkimin Europian vitin e ardhshëm, që ne shpresojmë se do të jenë favorizuese në këtë drejtim, sepse nuk kemi një alternativë tjetër më të mirë se sa të vazhdojmë reformën. Dhe se sa ta konsiderojmë këtë program reformash jo vetëm si një qëllim në vetvete, por edhe si një mënyrë për të transformuar institucionet tona, ekonominë tonë, drejt standardeve europiane. Kështu që shpresojmë të kemi fat gjatë Presidencës suaj.

Pyetje: Cili është qëndrimi juaj ndaj zhvillimeve politike në Sanxhak? Si e komentoni fitoren e Sulejman Oblaninit?

Presidenti Meta: Nuk jam edhe aq afër këtyre zhvillimeve. Ndoshta pyetja do të kishte qenë më mirë t’i drejtohej përfaqësuesit të OSBE-së për këtë çështje. Ne dëshirojmë zhvillime pozitive, demokratike, paqësore, kudo në të gjithë rajonin. Por nuk mund të jap ndonjë përgjigje konkrete.

Pyetje: Jam nga gazeta e përditshme “Danas” e Beogradit. Si e shikoni stabilitetin rajonal? A mund të na përshkruani se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, pas 10 apo 20 vitesh? A parashikoni ndonjë rend të ri?

Presidenti Meta: Është shumë e vështirë për të bërë parashikime të tilla. Por të kalojmë një herë me sukses kongresin e CDU-së në dhjetor edhe ngjarje të tjera siç janë ato në Europë. Ajo që mund t’ju them është se jam i shqetësuar për disa zhvillime në Ballkan. E gjithë jeta ime në politikë lidhet vetëm me Europën dhe që Shqipëria të jetë pjesë e Europës. Duke nisur si një nga protagonistët e Lëvizjes Studentore demokratike në vitin 1990 dhe në vijimësi. Felipe Gonzales para shumë kohësh tha  një gjë që u gdhend në mendjen time dhe që më duket shumë aktuale sot: “E ardhmja nuk është më ajo që ishte”. Pra shumë gjëra kanë ndryshuar në botë dhe arsyet i dimë të gjithë. Është e rëndësishme që edhe vetë Europa t’u përshtatet e t’u paraprijë këtyre ndryshimeve. Ne e vumë re se si mungesa e parashikimeve dhe e politikave të mençura, afatgjata dhe koordinuese solli shumë pasoja në rajone jo larg Europës, të cilat patën impakt në vetë funksionim e Europës dhe që nxitën disa dallime, disa ndarje, disa diferenca, që janë shfrytëzuar nga parti, nga grupime populiste, ksenofobe e kështu me radhë.

Ajo që është tepër e rëndësishme për Ballkanin është që këtë proces që e kemi nisur të gjithë bashkë duhet ta vazhdojmë në mënyrë që ta kuptojmë se Ballkani nuk duhet, në këto momente ndryshimesh edhe të politikës botërore edhe të politikave më të mëdha, të rrëshqasë në pasiguri, të shfokusohet në proceset integruese dhe bashkëjetuese, drejt temave delikate, të cilat mund të riaktivizojnë plagë të së kaluarës, që ende nuk janë shëruar plotësisht.

Sot qarkulloi një lajm, që shpresoj të jetë “Fake news”, që një ish-ministër i një vendi fqinj thonte se ushtria e atij vendi nuk i njihte kufijtë e Shqipërisë. Natyrisht që ne duhet të jemi të qetë përballë këtyre lajmeve, edhe kur janë të vërteta, edhe kur janë” Fake news”. Dhe këtu është edhe roli i mediave, mendoj unë, për të mbajtur një distancë nga çdo retorikë, nga çdo manipulim apo keqinformim që rrit retorikën konfliktuale dhe na largon nga bashkëpunimi, nga ripajtimi. Dhe kjo është në interesin e vendeve tona.

Ballkani po vuan, ashtu sikurse edhe Europa vuan atë dimrin demografik, siç thotë edhe Papa Françesku. Edhe Ballkani ka filluar ta vuajë këtë gjë. Ne e shohim që të gjitha vendet tona kanë një problem me të rinjtë. Të rinjtë e talentuar, të rinjtë e aftë, të cilët mund të japin më shumë për zhvillimin e rajonit tonë, një pjesë e mirë duan të largohen edhe për shkak të një pasigurie, të një ritmi të ngadaltë zhvillimi, ndryshimi, modernizmi. Kështu që shpresojmë se kjo çështja e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë të mbyllet sa më shpejt në mënyrë pozitive. Do të ishte një shtyllë e fortë e stabilitetit afatgjatë të rajonit tonë. Shpresojmë që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë gjithashtu të përmbyllet në një mënyrë pozitive dhe të qëndrueshme. Dhe të japim disa mesazhe të fuqishme të së ardhmes së këtij rajoni. Derisa edhe vetë Bashkimi Europian të jetë më i qartë për politikat e ardhshme të tij si të funksionimit apo të zgjerimit të tij në të ardhmen.

Por ajo që është më e rëndësishme për ne është që të kuptojmë se Bashkimi Europian nuk është një qëllim në vetvete, por është filozofia që na ndihmon të gjithëve që të përdorim të njëjtat standarde dhe të kemi një vizion që na rrit potencialet bashkëpunuese. Të kuptojmë edhe tjetrën që në këtë botë, e cila po ndryshon me shpejtësi, ne kemi kuptim vetëm nëpërmjet bashkëpunimit në të gjitha aspektet. Edhe në aspektin ekonomik, edhe në aspektin tregtar, të investimeve, sepse vetëm një rajon i tillë, i besueshëm, mund të jetë një rajon sinjifikant dhe tërheqës për të rinjtë tanë që të qëndrojnë e të punojnë këtu, por edhe për njerëzit më krijues të këtij rajoni, dhe kompanitë, për investimet e huaja.

Kështu që e ardhmja do të varet nga ne se sa do të jemi të përkushtuar për të mbrojtur arritjet e deritanishme dhe për të mos rrëshkitur në aventura dhe në një populizëm që do të cenonte themelet e gjithë këtij përparimi të arritur në këto dy dekada në Ballkanin Perëndimor. Ballkani dihet që është një rajon që ka vuajtur gjithmonë, edhe për shkak të gjeografisë. Gjeografia ka qenë një fatkeqësi në të kaluarën. Tani, përmes bashkëpunimit, le ta kthejmë në një avantazh për zhvillimin dhe për përparimin e këtij rajoni.

Pyetje: Kam dy pyetje, një të politikës së brendshme dhe një të politikës rajonale. Ju jeni përfshirë në një trafik deklaratash dhe kundër-deklaratash me ose pa dashjen tuaj me qeverinë, Kryeministrin sa i takon dekretimit të Brendshëm, z. Sandër Lleshaj. Ju është dërguar një “mundësi e dytë” për ta dekretuar, pyetja ime është a do ta dekretoni?

Pyetja nga rajoni, cili është komenti juaj për atë që mund të quhet çështja “Gruevksi”? Ka qarkulluar po themi një “fake-news”, nuk e dimë a është “fake-news” ose jo për një kalim të tij nga Shqipëria drejt azilit në Hungari…

Presidenti Meta: Po përgjigjem për këtë të dytën, sepse kjo është më e thjeshtë. Unë mendoj se çdo politikan, aq më tepër një politikan me përgjegjësi të madhe në vendin e tij siç është rasti në fjalë, nuk duhet t’i shmanget as drejtësisë dhe as luftës politike. Nuk mund të gjykoj për çështjen në fjalë, sepse kemi të bëjmë me një vend tjetër, aq më tepër duke pasur këtë pozicion nuk kam përse të hap një debat për këtë çështje. Por ne kemi raste edhe në Shqipëri kur ka pasur burgosje që janë konsideruar politike dhe që janë përballuar dhe kur një gjë përballohet me kurajo kthehet ne avantazh për çdo politikan. Pra largimi i tij është edhe një marrje, në një farë mënyre do të thoja, e fajësisë së tij pavarësisht nga pretendimet që ai mund të paraqesë.

Kam një rastin tim, po ua risjell në kujtesë. Në vitin 1992 në zonën time elektorale u morën peng dy oficerë policie nga protestuesit atje, unë isha në opozitë asokohe. Shkova atje dhe i shpëtova si të thuash nga ajo pengmarrje padashje e njerëzve të painformuar dhe për këtë çështje Prokuroria më hoqi imunitetin dhe donin të më fusnin në burg. Dhe mu ofrua strehim politik dhe në Greqi, sepse kishim parti aleate në atë kohë, edhe në Itali. Ndonëse isha fare i ri nuk pranova një gjë të tillë. Kështu që politikanët në Ballkan duhet të jenë gati për të gjitha sfidat dhe duhet të qëndrojnë si burra.

Për dekretin, unë nuk jam përfshirë në asnjë deklaratë të tillë dhe në asnjë polemikë. Unë jam President i Republikës për të respektuar i pari Kushtetutën e Republikën e Shqipërisë. Këtë e kam bërë dhe e bëj me përkushtim maksimal dhe nuk ka asnjë presion që mund të ndikojë tek unë për të cenuar Kushtetutën dhe sikurse ju e dini jam shprehur edhe publikisht për të informuar Kuvendin, në rast se Kuvendi kërkon sqarime. Kam takuar edhe Kryetarin e Kuvendit për këtë çështje. Tjetra që dua t’ju them është që unë vij në pozitën e Presidentit pas një eksperience edhe në pozitën e Kryeministrit dhe atë të Kryetarit të Kuvendit dhe e di shumë mirë se si funksionon procedura e emërimit të ministrit në vendin tonë. Sepse e di dhe nga pozita e Kryeministrit, dhe të Kryetarit të Kuvendit, tani edhe nga pozita e Presidentit. Kështu që në ditët e ardhshme do të merrni përgjigje institucionale e korrekte dhe unë nuk kam ndërmend të përfshihem në debate të karakterit politik apo spekulativ.

Pyetje: Zoti President, ju thatë që jeni i shqetësuar për disa zhvillime në Ballkan dhe përmendet disa raste. Por a mund të specifikoni më konkretisht dhe a keni ju informacion nga institucione të specializuara, e kam fjalën si SHISH apo trupi diplomatik, kujt rasti i referoheni konkretisht, duke mos e konsideruar si “fake-news” atë që keni dëgjuar nga ministri por edhe atë?

Presidenti Meta: Në rast se është “fake-news” është rasti më i mirë se si të gjithë duhet të punojmë që “fake-news” të tilla të izolohen dhe të mos raportohen. Në rast se nuk është e vërtetë, e para është një shqetësim për mediat dhe për keqpërdorimin e tyre. Në rast se është e vërtetë natyrisht që çështja është edhe pak më serioze, por unë realisht nuk jam shumë i shqetësuar për arsye se, edhe si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, e di shumë mirë që ushtria shqiptare e di kufirin e saj dhe nuk ka asnjë pretendim ndaj asnjë vendi tjetër si një vend demokratik që jemi. Por jam i shqetësuar, sepse duhet të theksojmë gjuhën e bashkëjetesës në rajon e para.

E dyta, jam i shqetësuar sepse duhet të kemi të qartë që Ballkani është një rajon shumë i trazuar historikisht, gjeografikisht, etnikisht, nga pikëpamja religjioze e besimeve të ndryshme dhe ka vetëm një rrugë për të ecur përpara: të gjithë të përdorim standardet europiane në raport me pakicat. Kudo shqiptarët janë diku shumicë-pakicë, serbët po ashtu, edhe kroatët dhe të gjithë në këtë rajon në këtë mënyrë janë. E vetmja zgjidhje është bashkëjetesa, harmonia me njëri-tjetrin, t’i qëndrojmë asaj filozofie mbi të cilën u ndërtua Europa e bashkuar.

Pyetje: Si e shikoni procesin e dialogut që po zhvillohet në Bruksel mes Beogradit dhe Prishtinës? Cilat janë pengesat kryesore dhe cili duhet fajësuar që negociatat janë në stanjacion?

Presidenti Meta: Nuk mund të them diçka më shumë se sa fakti që ne mbështesim fuqimisht këtë dialog dhe shpresojmë sa më shpejt të kemi në marrëveshje, e cila ndihmon të dyja vendet të normalizojnë plotësisht marrëdhëniet. Ndihmon Serbinë të eci më shpejt drejt anëtarësimit të saj në Bashkimin Europian, por edhe Kosovën të zërë vendin që i takon si në OKB dhe në të gjithë institucionet e tjera dhe mbi të gjitha të ndihmojë serbët dhe shqiptarë si në Kosovë apo edhe në Serbi që të jetojnë shumë më normalisht larg çdo stresi, pasigurie apo qoftë edhe instrumentalizimi.

Kështu që mendoj se janë të gjitha arsyet që kjo të jetë një zgjidhje në interes të të dy vendeve dhe të gjithë rajonit. Unë më shumë nuk mund të flas, sepse nuk jam pjesë e këtij dialogu. Kosova ka institucionet e saj të zgjedhura në mënyrë demokratike. Mesazhi im ka qenë dhe mbetet që edhe opozita në Kosovë të jetë pjesë e këtij dialogu, sepse kjo është me rëndësi vendimtare për të ardhmen e vendit dhe shpresojmë që kjo marrëveshje t’i shërbejë vërtetë forcimit të stabilitetit në rajonin tonë në një plan afatgjatë. Dhe nëse kjo do të arrihet – dhe duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet maksimale që të arrihet në kuptimin e inkurajimit të një rezultati pozitiv, të qëndrueshëm e të një marrëveshjeje vërtetë e zbatueshme sa më shpejt – pas edhe zgjidhjes së çështjes së emrit të Maqedonisë, do të ishte vërtetë një çlirim i jashtëzakonshëm për të gjithë rajonin. Dhe imazhi për rajonin tonë do të ndryshonte plotësisht dhe do të ishim të gjithë shumë të lumtur.