Presidenti Meta shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Presidentit të Nderit të Federatës Pan-Shqiptare “VATRA”

100
“U trishtova jashtë mase kur mësova lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të atdhetarit të pashoq, shqiptaro-amerikanit të spikatur, Inxhinierit gjirokastrit Agim Karagjozit.
Në këto momente dhimbjeje të thellë për humbjen e njeriut të shtrenjtë, dëshiroj t’u gjendem shpirtërisht pranë familjarëve dhe të afërmve të tij, duke iu shprehur atyre ngushëllimet e mia më të sinqerta!
Me ikjen e tij drejt amshimit, Inxhinier Karagjozi na la një boshllëk të pazëvendësueshëm: si njeri i jashtëzakonshëm, si atdhetar vërtet i rrallë, si një intelektual i veçantë, por mbi të gjitha si një shqiptar i përkryer e i palodhur në shërbim të çështjes kombëtare.
Jeta dhe veprimtaria e tij në shërbim të mëmdheut, në përkrahje dhe mbështetje të palodhur të çlirimit dhe mëvetësisë së Kosovës, si dhe vëllezërve e motrave tona në Amerikë, në mbrojtje dhe përhapje të vlerave të patjetërsueshme të lirisë e demokracisë, duke drejtuar me mençuri dhe largpamësi Federatën Pan-Shqiptare ‘VATRA’, do të na shërbejë për jetë të jetë si një shembull e burim frymëzimi i pashtershëm atdhedashurie e përkushtimi.
I pastë dritë shpirti!
Ilir META”