Sigal

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta në krye të një delegacioni zyrtar, u prit sot nga Presidenti i Rajonit të Kalabrisë, Gerardio Mario Oliverio. Presidenti Meta vuri në dukje raportin e ngushtë mes Shqipërisë e Kalabrisë dhe theksoi se kemi një potencial të madh ekonomik, tregtar, arsimor, kulturor e historik mes dy vendeve. ‘’Kalabria është shumë e rëndësishme për ne, sepse këtu është zemra e bashkësisë arbëreshe të zhvendosur në Itali që në Mesjetë. Ju jemi mirënjohës që kanë ruajtur gjuhën, traditat, zakonet, identitetin që nga koha e Skënderbeut. Është meritë e tyre, por edhe e kalabrezëve dhe italianëve, që i kanë mirëpritur.’’ – u shpreh Presidenti Meta. ‘’Turizmi është një nga fushat ku mund të gëzojmë bashkëpunim më të ngushtë.

Ashtu siç kemi marrëveshjen me Rajonin e Puljas, mund të bëjmë edhe me Rajonin e Kalabrisë, duke përfituar edhe nga projektet europiane.’’ – vuri në dukje kreu i shtetit, duke e ftuar Presidentin Olievira për një vizitë të shpejtë në Shqipëri për ta konkretizuar edhe më tej këtë bashkëpunim. Presidenti i Rajonit të Kalabrisë vlerësoi lart vizitën e kreut të shtetit shqiptar si një sinjal shumë domethënës për bashkëpunimin mes dy vendeve, duke nënvizuar lidhjet e vjetra historike dhe marrëdhëniet e ngushta mes dy popujve, si dhe rolin e rëndësishëm në këtë drejtim të bashkësisë arbëreshe në rajonin e Kalabrisë në këtë drejtim. ‘’Është një bashkësi që ka treguar përgjatë shekujve se si kultura, ekzistenca, ruajtja e traditave dhe gjuhës, por sidomos integrimi i tyre në Itali, kanë treguar se kjo është rruga e drejtë për të ilustruar mesazhet e paqes dhe bashkëjetesës.’’ – vuri në dukje Presidenti Oliveiro.

Të dy personalitet vlerësuan rolin e arbërësheve gjatë Rilindjes dhe bashkimit të Italisë, duke nënvizuar faktin se vizita e kreut të shtetit shqiptar në Shën Mitër Korona nesër, së bashku me Presidentin italian Mattarella në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut është historike dhe shumë e rëndësishme jo vetëm për komunitetin arbëresh, por edhe për të gjithë Rajonin e Kalabrisë dhe Jugun e Italisë, duke pasur parasysh edhe ndjeshmërinë dhe lidhjet e veçanta që Presidenti Matarella ka me arbëreshët.