Presidenti Meta pret Ministrin e Punëve të Jashtme të Polonisë, Jacek Czaputowicz

660
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z.Ilir Meta, priti Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Polonisë, Prof.Jacek Czaputowicz.
Presidenti Meta vlerësoi vizitën e Ministrit te Jashtëm polak, si një tregues i vëmendjes së veçantë që Polonia i kushton marrëdhënieve me Shqipërinë, si në planin dypalësh, ashtu edhe në atë euroatlantik e shumëpalësh.
Kreu i Shtetit vlerësoi marrëdhëniet tradicionalisht miqësore që në këtë vit kremtuan 80-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, si dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Polonia i ka dhënë Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe integrimin në BE.
Lidhur me integrimin në BE, Presidenti Meta, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e qartë të Polonisë për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ndërsa, duke iu referuar potencialeve të bashkëpunimit ekonomik, Presidenti Meta, vlerësoi tendencën në rritje të shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve dhe shprehu besimin për shtimin e investimeve të drejtpërdrejta polake në Shqipëri dhe intensifikimin e bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e turizmit, bujqësisë, industrisë minerare, transportit, etj.
Rritja e numrit të turistëve polakë që vizitojnë Shqipërinë na bën optimist për të ardhmen e bashkëpunimit në këtë sektor, dhe për këtë duhet të shihen mundësitë për vendosjen e linjave ajrore direkte midis dy vendeve – u shpreh Presidenti Meta.
Sigal