Sigal

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir META priti sot një delegacion të organizatës ndërkombëtare “Këshilli Botëror për Tolerancën dhe Paqen”, që viziton Shqipërinë në kuadër të sesionit të dytë plenar të Parlamentit Ndërkombëtar për Tolerancën dhe Paqen.

Presidenti Meta duke vlerësuar këtë iniciativë dhe platformë globale të “Këshillit Botëror për Tolerancën dhe Paqen”, theksoi rëndësinë e zhvillimit të këtij aktiviteti ndërkombëtar në Tiranë.

“Toleranca dhe Paqja janë vlerat dhe asetet e pazëvendësueshme për mbarë njerëzimin si dhe ruajtja, kultivimi dhe promovimi i këtyre vlerave mes qytetërimeve dhe popujve është një sfidë e vazhdueshme globale.”, – tha Kreu i Shetit.

Presidenti Meta nënvizoi faktin se Shqipëria është një kontributor i paqës në rajon dhe një model unikal në botë i harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndërfetare, ku mungesa e të cilave në shumë vendeve të botës ka sjellë konflikte dhe luftra të përgjakshme.

Gjithashtu, Kreu i Shtetit vuri theksin tek bashkërendimi i axhendave të qeverive dhe organizatave jo-qeveritare në nivel global, rajonal dhe lokal për më shumë përpjekje në adresimin e sfidave më jetike që kërcënojnë tolerancën dhe paqen në botë, të cilat kanë të bëjnë me luftën kundër varfërisë dhe pabarazisë, diskriminimit racor dhe gjinor, terrorizmit, si dhe ekstremizmit fetar apo etnik.