Presidenti Meta përuron rrugën në fshatin Kolonjë të Gjirokastrës

690
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta së bashku me Kryetaren e Bashkisë Zaira Rami, deputetë të zonës dhe përfaqësues të pushtetit vendor përuruan rrugën e re në fshatin Kolonjë të Gjirokastrës. Më pas, Presidenti i Republikës dhe autoritet vendore e qendrore ndoqën një koncert me këngë polifonike karakteristike të zonës me rastin e festës tradicionale të 10 majit.
Gjatë kësaj vizite Presidenti i Republikës vlerësoi Baba Fetah Xhelajn (pas vdekjes) me Titullin “Naim Frashëri”“Për kontributin si mëmëdhetar dhe udhëheqës i shquar fetar i cili, krahas besimit tek Zoti, e frymëzoi popullin me idealin e lirisë. Në vlerësim të veprimtarisë patriotike për përhapjen e gjuhës e kulturës shqipe, si dhe në organizimin e luftës kundër pushtuesve të vendit”.
Duke iu drejtuar të pranishmëve të shumtë, mes të cilëve edhe Kryegjyshii Botëror i Bektashinjve Haxhi Baba Edmond Brahimaj, Presidenti Meta vuri në dukje se: “Jam i lumtur që jam rikthyer këtu në Kolonjë në festën tuaj tashmë tradicionale të 10 majit! Nën këtë rrap shekullor është bërë historia e ndritur e shqiptarisë ku janë mbledhur çetat e burrave të Kolonjës e të Kurveleshit. Ky shesh i ka bashkuar bijtë dhe bijat e fshatit e të krahinës në gëzime dhe derte. Këtu janë marrë vendime të rëndësishme dhe janë nisur për luftë burrat e fshatit dhe të krahinës në kryengritje kombëtare për pavarësi dhe çlirimin e vendit dhe mbrojtjen e atdheut. Nder dhe lavdi dëshmorëve të Kolonjës, të Kurveleshit, të Labërisë dhe të gjithë Shqipërisë! Respekt edhe për atdhetarët dhe mësuesit kolonjarë, të cilët 115 vjet më parë hapën shkollën e parë shqipe dhe në këtë njëqindvjeçar edukuan e arsimuan breza të tërë kolonjarësh, të cilët janë shquar në çdo kohë!
Si rrallë në krahina të tjera, ky shesh vazhdon të gjëmojë përherë nga kënga labe, nga dollitë e njohura dhe shpalosja e valleve dhe kostumet e bukura të zonës. Ju përgëzoj që keni ruajtur e mbajtur gjallë me kaq dashuri e pasion traditën e të parëve tuaj fisnikë! Festa e 10 majit që ju zhvilloni çdo vit në kujtim e përkushtim të Baba Fetahut ju nderon para Zotit dhe Atdheut. Ajo është një ngjarje e madhe që përcjell mesazhe të fuqishme të identitetit tonë etno-kulturor, krenari dhe mirënjohje. Kjo festë është shprehje e përkushtimit dhe dashurisë për truallin që ju ka lindur dhe të cilit i përkisni. 10 maji është një festë vëllazërore jo vetëm për bijtë e malluar për vendlindjen, por edhe për të gjithë ne miqtë tuaj si dhe të pasionuarit pas turizmit dhe vlerave natyrore që zbukurojnë Kolonjën tuaj.
Panariri dhe festivali folklorik që bëhen çdo vit këtu janë të jashtëzakonshme. Produktet blegtorale të Kolonjës si mishi, qumështi, gjalpi, djathi, sidomos ai i napës, janë me emër të madh, por këtu nuk mungojnë edhe burimet nëntokësore si fosforite, kripa, gazi dhe nafta. Por pasuria më e madhe e kolonjarëve është mirësia e bijve të vet. Kolonjarët janë shquar në të gjitha kohët për burrërinë, bujarinë, mjeshtërinë e blegtorit, por edhe për talentin e letrarit, për këngët, pikturën dhe në çdo fushë të jetës. Përkulem me respekt për të gjithë kolonjarët kudo ku janë: Kolonjë, Tiranë apo jashtë vendit pasi ju nuk e keni lënë për asnjë çast jashtë vëmendjes fshatin tuaj, krahinën tuaj, por vini e rregulloni shtëpitë, bizneset të mishit, rakisë, të verës edhe të tjera.
Sot përuruam një rrugë të re për Kolonjën. Ta gëzoni! Kjo rrugë duhet të vazhdojë edhe më tej drejt Progonatit dhe zonës bregdetare dhe turizmi, që kanë nevojë për ujin, për prodhimet blegtorale dhe mrekullitë tuaja të natyrës. Uroj me gjithë zemër që këto mundësi, pasuritë tuaja të vyera dhe shërbimet tuaja në të ardhmen ta bëjnë më të lehtë jetën e banorëve kolonjarë!
E prita me shumë kënaqësi propozimin e Shoqatës ‘Kolonja’ për dekorimin e Baba Fetahut, patriotit dhe udhëheqësit të shquar fetar, i cili frymëzoi besimtarët dhe të gjithë kolonjarët me dashurinë për liri dhe me besimin te Zoti. Breza të tërë bektashianë i kanë Atdheut shembuj të qëndresës dhe diturisë, si dhe kontribute të vyera në zhvillimin e konsolidimin e shtetit shqiptar.
Shumë teqe në trojet shqiptare, krahas misionit fetar, u shndërruan në vatra të vërteta atdhetare dhe të emancipimit kulturor. Teqeja e Backës, që për fat të mirë është rikonstruktuar, e drejtuar nga Baba Fetahu, ishte njëra prej tyre. Ajo u bë një vatër e zjarrtë e patriotizmit dhe përhapjes së gjuhës shqipe. Merita e madhe e Baba Fetahut është se potencialin, ndikimin dhe kapacitetin e tij kulturor e vendosi në shërbim të aspiratës së popullit që i përkiste për pavarësi, arsim dhe kulturë. Krahas besimit hyjnor, ai mbrojti në besimtarët e tij traditat më të arrira të burrësisë, nderit dhe krenarisë të të qenit shqiptar. Baba Fetahu do të ngelet përherë në kujtesën dhe zemrat e shqiptarëve si mëmëdhetari, i cili së bashku me miqtë e tij, patriotët Çerçiz Topulli e Mihal Grameno, shkruan faqe të lavdishme e heroizmi të përkushtimit ndaj flamurit kombëtar, Zotit dhe gjuhës sonë të bukur.
Në përmbushje të misionit të tij fisnik ka fituar me kohë adhurimin e kolonjarëve, të mbarë krahinës dhe të Gjirokastrës. Sot, në këtë ditë të bukur feste, do të doja si President i Republikës, por edhe si qytetar i këtij vendi, të nderoja Baba Fetahun me dekoratën që mban emrin e një biri të shquar të të gjith Shqipërisë, me Titullin ‘Naim Frashëri’. Do të doja gjithashtu që ky vlerësim të shërbejë njëkohësisht si një gjest mirënjohjeje për kontributin e të gjithë klerikëve bektashianë në jug të vendit dhe në të gjitha trojet shqiptare.
Në këtë ditë të lumtur feste, ju uroj edhe njëherë përshumëvjet, gëzuar, shëndet, paqe e mbarësi në familjet tuaja!”
Sigal