Presidenti Meta përshëndet Forumin Ekonomik: Tregu i përbashkët rajonal, me rëndësi për integrimin

170
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti sot edicionin e parë të Forumit Ekonomik të Tiranës “Ballkani i së ardhmes: Drejt një përfshirje globale” ku ishin të pranishëm edhe Zëvendëskryeministri i Kosovës, z. Hoxhaj, Zëvendëskryeminstrja znj. Senida Mesi, Ministrit të Financave dhe Ekonomisë z. Arben Ahmetaj, Guvernatori z. Gent Sejko, ish-Ministri i Jashtëm serb z. Goran Svilanoviç, Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Dr. Adrian Civici, politikani gjerman Rezzo Schlauch, ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik, sipërmarrës dhe personalitete të ekonomisë e tregtisë edhenga rajoni etj.

Fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta:

“Të nderuar pjesëmarrës, 
Presioni në rritje që vjen nga globalizimi është mjaft i fortë për secilin nga vendet tona, madje dhe për gjithë rajonin. Procesi i vrullshëm dhe i pandalshëm i globalizimit na dikton nevojën për bashkëpunim më të ngushtë dhe krijimin e një zone të përbashkët ekonomike, e cila do t’i dërgonte Bashkimit Evropian si dhe tregjeve të tjera më të zhvilluara në botë mesazhin e potencialit shpresëdhënës dhe të paeksploruar të një tregu me mbi 20 milionë konsumatorë, i cili, koordinohet për të krijuar vlerë të shtuar në çdo hallkë të zinxhirit të zhvillimit ekonomik. Është evidente se ekonomia globale tashmë ka një dinamikë multi-polare, e udhëhequr nga disa super-fuqi ekonomike dhe disa ekonomi emergjente. Në këtë kontekst, ekonomitë e Ballkanit nuk kanë “luksin” për t’u angazhuar në “gara individuale” dhe afatshkurtra duke konkurruar me njëri-tjetrin për dominancë tregu apo atraktivitet investimesh të huaja. Në fakt, strategjia më e zgjuar dhe afatgjatë do të ishte krijimi i sinergjisë mes vendeve tona për të hartuar një “platformë të unifikuar të investimeve strategjike”, ku i gjithë rajoni të shikohej si një i vetëm për biznesin e korporatave multinacionale apo për projektet madhore me impakt rajonal. Projekti TAP, padyshim është një histori suksesi për të gjithë vendet e përfshira në të.
Nga ana tjetër, në kontekstin e bashkëpunimit rajonal mbetet e domosdoshme të përmirësojmë strategjitë tona kombëtare për t’i dhënë rëndësinë e duhur :
Përfundimit në kohë të projekteve kryesore infrastrukturore rajonale duke përmirësuar interkonektivitetin për të rritur aksesin në tregje dhe ulur kostot e transportit 
Krijimit të një tregu të përbashkët rajonal në sektorin energjitik duke ndihmuar në konsolidimin e këtij sektori, diversifikimin e burimeve të tij dhe duke garantuar dhe përforcuar sigurinë energjitike të rajonit.
Hartimit sa më parë të “një pakete të përbashkët” projektesh strategjike për të gjithë rajonin.
Orientimit të eksporteve tona drejt sektorëve që maksimizojnë vlerën e shtuar si dhe drejt tregjeve më të qëndrueshme dhe më të afërta si Gjermania apo Evropa e Veriut.
Krijimit të një tregu të përbashkët të kapitalit privat për të reduktuar kostot e financimit dhe garantuar një ndarje më të drejtë të riskut.
Si dhe harmonizimit të politikave stimuluese për të tërhequr në rajon sa më shumë Investime të Huaja Direkte.