Sigal

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vizitoi sot Repartin e Zjarrfikësve të kryeqytetit, efektivët e të cilit zhvilluan një seancë dhurimi gjaku, në kuadër të nismës që ka ndërmarrë “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”.

Në fjalën e tij Presidenti i Republikës, pasi i falënderoi të gjithë efektivët e Repartit të Zjarrfikësve të Bashkisë Tiranë, të cilët me punën e përditshme, përpjekjet e sakrificat sublime, vendosin veten në rrezik për të shpëtuar pronën dhe jetën e qytetarëve, iu shprehu mirënjohje për vullnetarizmin e dëshmuar për bashkimin me kauzën humane të dhurimit të gjakut.

“Gatishmëria juaj për të shpëtuar në çdo moment jetë njerëzish,  merr sot një kuptim më të veçantë, me vullnetarizmin fisnik që dëshmuat sot për t’iu bashkuar kauzës jashtëzakonisht humane të dhurimit të gjakut.

Profesioni, që ju keni zgjedhur, sa i vështirë po aq human e fisnik, ka në themel shpëtimin nga rreziku i zjarreve të pronës, por mbi të gjitha shpëtimin e jetës së njerëzve. Së bashku me policinë dhe urgjencën mjekësore jeni tre shërbimet kryesore në situata emergjence.

Profesioni juaj kërkon pasion, dedikim dhe veçanërisht komunikim në situata të vështira për qytetarët. Kërkon të punosh në skuadër, sepse në punën tuaj, çdonjëri prej jush është një hallkë e rëndësishme, që, nëse nuk funksionon siç duhet, e gjithë skuadra vuan. Ashtu siç kërkon tolerancë dhe sakrifica, sepse qëllimi juaj kryesor është t’i shërbeni dhe të mbroni komunitetin.

Jam i bindur që ju i mishëroni në mënyrën më të mirë të gjitha karakteristikat e mësipërme. Dhe këtë e tregoni jo vetëm me punën tuaj të përditëshme, përpjekjet e sakrificat tuaja sublime për të shpëtuar jetë njerëzish, por edhe me aktin e sotëm të dhurimit të gjakut.” – nënvizoi Presidenti Meta

“Kauza e Aleancës merr kuptimin e saj të plotë këtu, sepse kauza humane e shpëtimit të jetës, këtu tek ju, ka kuptim të dyfishtë: Ju me profesionin tuaj të zjarrfikësit, vendosni jetën tuaj në rrezik dhe shpëtoni jetë njerëzish çdo ditë, dhe me dhurimin e gjakut, ditën e sotme, përsëri shpëtoni jetë njerëzish.

Prandaj, unë dëshiroj t’ju falënderoj nga zemra, për gjithçka po bëni sot dhe për atë çka bëni çdo ditë të jetës tuaj!

Rasti i fundit i fatkeqësisë së zjarreve në Greqi na kujton se sa i rëndësishëm është misioni juaj dhe se duhet të mbështeteni nga të gjithë në përmbushjen me sukses të tij”, – theksoi Presidenti i Republikës.