Presidenti Meta në Pogradec, në kuadër të kauzës për dhurimin e gjakut: Kontributi i secilit prej jush nëpërmjet dhurimit vullnetar të gjakut, ka vlera të jashtëzakonshme

463
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vizitoi sot qytetin e Pogradecit në kuadër të nismës që ka ndërmarrë së bashku me “Aleancën për Dhurimin e Gjakut”. Presidenti Meta shprehu kënaqësinë lidhur me seancën e dhurimit të gjakut dhe falënderoi qytetarët e Pogradecit, që iu përgjigjën me ndjenjë të lartë humanizmi dhe solidariteti apelit të Aleancës.

“Nuk është hera e parë që Bashkia e Pogradecit dhe qytetarët pogradecarë ndërmarrin apo mbështesin këtë nismë dhe besoj se ne në mënyrë të qëndrueshme do ta arrijmë objektivin që dhurimin e gjakut ta kemi plotësisht të garantuar mbi baza vullnetare. Dhe natyrisht duke garantuar një gjak cilësor e të shëndetshëm ku kuptohet se Pogradeci, edhe për shkak të klimës është vështirë të konkurohet.” – vuri në dukje Presidenti i Republikës.

“Kontributi i secilit prej jush nëpërmjet dhurimit vullnetar të gjakut, edhe pse mund të duket i vogël, ka vlera të jashtëzakonshme.” – nënvizoi Presidenti Meta. “I ftoj të gjithë të ndërtojmë solidaritetin për të mbështetur të gjithë ata që kanë nevojë për kontributin tonë si në kauzën e dhurimit të gjakut edhe në kauza të tjera sociale.” – ishte apeli i Presidentit të Republikës. Kryebashkiaku Eduard Kapri falënderoi Presidenti Meta duke theksuar se ky është një aktivitet që Bashkia e Pogradecit e ka zhvilluar edhe herë të tjera.