Presidenti Meta nderon kujtimin e 45 martirëve të Masakrës së Reçakut: Liria dhe dinjiteti njerëzor triumfojnë gjithmonë ndaj genocidit, dhunës dhe barbarizmit

188

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta ishte sot i pranishëm në veprimtarinë përkujtimore të 21-vjetorit të Masakrës së Reçakut, të kryer nga forcat ushtarake serbe.

Presidenti Meta, së bashku me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, vendosi një kurorë me lule dhe bëri homazhe në kompleksin memorial të Reçakut, duke u përulur me respekt dhe nderim para kujtimit të paharruar të 45 viktimave të pafajshme, që humbën jetët si pasojë e veprimeve barbare të makinerisë ushtarake serbe të regjimit të Millosheviçit.

Para mediave të pranishme, Presidenti Meta, duke theksuar se Masakra e Reçakut ishte një krim kundër njerëzimit, u shpreh:

“Kisha detyrimin kombëtar të isha sot këtu, në përvjetorin e Masakrës së Reçakut, së bashku me Presidentin Thaçi dhe me të gjithë ju, për t’u përulur me nderim të pakufishëm përpara kujtimit të fëmijëve, të të moshuarve, të banorëve të Reçakut të masakruar barbarisht 21 vite më parë në një akt që nuk mund të përkufizohet më saktë se sa me tre fjalë, siç bëri 21 vite më parë Ambasadori Walker:

Krim kundër njerëzimit.
Ishte pikërisht kjo masakër dhe kjo sakrificë e pashembullt e popullit të Reçakut që shokoi mbarë botën, por edhe që vuri në lëvizje diplomacinë botërore përmes Konferencës së Rambujesë, për të kërkuar një zgjidhje për të ndalur genocidin në Kosovë, përmes ndërhyrjes së NATO-s.

Kjo masakër, por edhe të tjera që kanë ndodhur në Kosovë në kuadër të një plani për spastrimin etnik, tregoi se liria dhe dinjiteti njerëzor padyshim që gjithmonë triumfojnë ndaj genocidit, dhunës dhe barbarizmit.

Ishte kjo sakrificë që solli edhe drejtësinë ndërkombëtare përmes lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Ndaj sot është koha, jo vetëm për të kujtuar këtë masakër dhe të gjitha ato ngjarje tragjike të ndodhura në Kosovë, por edhe për të kërkuar që drejtësia të shkojë deri në fund për të gjithë ata, të cilët orkestruan dhe realizuan këtë krim kundër njerëzimit, pasi kjo është rruga më e mirë për një pajtim të vërtetë e të qëndrueshëm në rajonin tonë.

Çdo përpjekje për të mohuar masakrën e Reçakut, dhe çdo masakër tjetër në rajon, është një rrezik për riciklimin e dhunës.

Të gjithë ne duhet të qëndrojmë të bashkuar rreth vlerave më të mira europiane, dhe të bëjmë gjithçka që ngjarje të tilla të mos përsëriten më në rajonin tonë. Dhe këtë mund ta garantojë një e ardhme e përbashkët europiane.”