Presidenti Meta: Lufta kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar është një luftë vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë

585
Sigal

Intervistë e Presidenti Meta për televizionin Fax News

Gazetari: Meqë kujtuat
takimin që keni patur me z. Klinton, më keni rrëfyer një herë një moment të
takimit që keni patur me z. Klinton dhe një premtim që i keni bërë atëherë kur
keni qenë 30 vjeç. Sot që jeni President i Republikës a besoni që e keni
realizuar sadopak atë premtim që i bëtë atëherë z. Klinton?

Presidenti Meta: Besoj se jam
përpjekur të bëj gjithmonë më të mirën për vendin tim dhe këtë do të vazhdoj ta
bëj pa u lodhur.

Gazetari: A mendoni se ia keni arritur
në një masë a në një përqindje?

Presidenti Meta: Unë gjithmonë do
të bëj më të mirën.

Gazetari: Mbetemi sërish te
raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e pranuat se normalisht dhe
natyrshëm i keni këto raporte nëpërmjet Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në
Tiranë, por edhe Ambasadës sonë në SHBA. A janë zbutur raportet tuaja me
Ambasadorin Lu? Ju pyes sepse në një letër që i ka drejtuar Departamentit
amerikan të Shtetit, ish-kryeprokurori Llalla ka deklaruar se Ambasadori Lu i kishte
kërkuar arrestimin tuaj me pretendimin se po bllokonit reformën në drejtësi?

Presidenti Meta: Unë nuk dëshiroj
të merrem me letra dhe as me diskutime për të cilat nuk kam qenë asnjëherë prezent.
Ambasadori ka dhënë një përgjigje publike dhe zyrtare për këtë çështje, ashtu
sikurse ambasadori edhe publikisht pas kalimit të reformës në drejtësi me konsensus
në Parlament ka vlerësuar rolin tim për arritjen e kë tij konsensusi, i cili
theksoj është përcaktues për rekomandimin pozitiv edhe për hapjen e negociatave
me BE-në, sepse ka qenë një kusht prej kohësh dhe çdo vonesë, në drejtim të çeljes
së negociatave ka patur të bëjë me rezultatet e zbatimit të reformës.

Gazetari: Ju shpreheni se në raportet
tuaja me z. Lu, gjithmonë takimet tuaja zyrtare bëhen me dëshmitarë. Për çfarë ju
duhen dëshmitarët në takimet më Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Nga se druheni në këto takime z. Meta? Po ju referohem deklaratave tuaja

Presidenti Meta: Këto janë gjëra
fare normale, marrëdhëniet tona janë institucionale dhe të qëndrueshme, të cilat
do të vazhdojnë edhe kur unë të mos jem më President i Shqipërisë, edhe kur z. Lu
të mos jetë Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, duke ju
referuar këtu edhe pozitave të mëparshme. Kjo është një gjë tepër normale kur
bëhet fjala për një partneritet strategjik midis dy vendeve dhe komunikimeve sidomos
në rrugë institucionale.

Presidenti: A e besoni ju deklaratën
e ish-kryeprokurorit të përgjithshëm se një ambasador amerikan ka kërkuar arrestimin
tuaj? Po shtoj këtu edhe faktin se ju vetë një vit më parë dolët në media, nuk
ishit kaq i qetë sa sot dhe thatë se askush nuk mund t’i bëjë presion Ilir Metës
e nëse duan ta arrestojnë, le ta bëjnë. Po ka qenë një deklaratë e cila vjen
pak a shumë në të njëjtën kuadër të asaj që thotë ish-kryeprokurori në letrën
drejtuar Departamentit Amerikan të Shtetit. E besoni ju realisht këtë gjë, po
ose jo?

Presidenti Meta: Unë nuk besoj se
ka ndonjë arsye për të diskutuar çështje të tilla. Unë këto historitë më arrestime
i kam dëgjuar që në gusht të vitit 1993, kur ndodhi një rebelim në qytetin e
Poliçanit, deputet i të cilit isha edhe nuk habitem për faktin që arrestimi është
pjesë e retorikës sonë edhe politike, edhe institucionale dhe është tregues i
një politike me paranoja.

Gazetari: A i keni kërkuar
shpjegime Ambasadorit Lu në takimin e fundit që kishit, informacione nëse kjo
deklaratë ishte e vërtetë?

Presidenti Meta: Nuk ka patur
asnjë arsye për të kërkuar shpjegime. Qëndrimi i tij ka qenë i qartë. Kemi
diskutuar për çështje të tjera të bashkëpunimit tonë.

Gazetari: President, a keni
një koment për raportin e “Freedom House”, në të cilin kritikohet zgjedhja juaj
si Kreu i Shtetit ku thuaj tekstualisht se “opinioni publik e perceptonte
figurën tuaj si të korruptuar”?

Presidenti Meta: Nuk mendoj se ia
vlen të humbasim kohë me një përmendje tërësisht të pavend, jashtë kontekstit edhe
të objektivit të këtij raporti, pra për një keqpërdorim të vetë emrit të
“Freedom House” për arsye, sepse sikurse ju vetë si gazetarë profesionist e
dini, menjëherë është bërë e qartë se kush është personi që ka përgatitur këtë raport
në mirëbesim nga ky institucion. Gjithashtu janë të qarta për këdo që ka bërë një
kërkim, dhe gazetat dhe portali të cilit i referohet të cilat janë skajshmërisht
do të thosha ekstreme dhe të njëanshme, kështu që asgjë më shumë sesa as
keqardhje.

Gazetari: Ndërkohë në një
intervistë të dhënë për mediat gjermane Kryeministri Rama është pyetur nëse do
të kishte një arrestim të Presidentit të Republikës. Duket se retorika kundër
figurës tuaj sa vjen dhe shtohet. A ju shqetëson ky fakt z. President?

Presidenti Meta: Një nga vizitat
e mia të para ka qenë në Berlin me ftesë zyrtare të Presidentit të Gjermanisë,
madje pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe marrëdhëniet tona janë shumë të mira.
Janë tepër konstruktive, pastaj në qoftë së ju prisni nga unë që të merrem me
pyetje të porositura që riciklohen herë pas here, për hall të cilitdo, kjo
është një humbje kohe.

Gazetari: Pra, thoni që të intervistuarit
edhe porosisin pyetje?

Presidenti Meta: Këtë e thatë ju.

Gazetari: Unë bëra një interpretim
logjik të asaj që thatë ju. Le ta gjykojë publiku se çfarë thamë ne të dy…

Presidenti Meta: Kjo është një gjë
e parëndësishme. Unë jam këtu dhe do vazhdoj të qëndroj këtu në krye të detyrës
sime me transparencë dhe përgjegjshmëri maksimale, pa u ndikuar nga askush dhe
për asnjë gjë.

Gazetari: Meqë po flasim
për integrimin, z. President, një nga shqetësimet kryesore që kanë vendet e
anëtare, por edhe raportet e Departamentin Amerikan të Shtetit, ka të bëjë me shndërrimin
e Shqipërisë si një nga vendet e trafikimit të drogave të forta, nga dje një vend
prodhues i kanabisit sot jemi një vend i trafikimit të drogave të forta. Por
edhe rasti me konkret është padiskutim ai i sekuestrimit të 613 kg kokainë në portin
e Durrësit. Jo më larg se ditën e djeshme rreth 2 ton e gjysmë kanabis sativa u
sekuestruan në brigjet e Italisë me prejardhje nga Shqipëria. Lëvizja e gjithë kësaj
lënde narkotike, por edhe paraja e pisët kriminale që gjenerohet në këtë mes, a
e ka vënë në rrezik sigurinë kombëtare dhe a jeni i gatshëm të thërrisni Këshillin
e Sigurisë Kombëtare për të parë se çfarë po ndodh?

Presidenti Meta: Lufta kundër
trafikut të drogës dhe krimit të organizuar në tërësi është një luftë vendimtare
për të ardhmen e Shqipërisë si një vend demokratik, si një shtet ku sundon
ligji, ku garantohen të drejtat e qytetarëve. Si një vend ku është e padiskutueshme
liria e sipërmarrjes dhe iniciativa e lirë dhe për këtë besoj se qeveria dhe të
gjitha institucionet ligjzbatuese kanë patur, kanë dhe do të kenë mbështetjen
time më të plotë, më të fortë dhe më inkurajuese, pasi ky është dhe kërcënimi më
serioz edhe përsa i takon perspektivës së procesit të integrimit europian. Që do
të thotë se edhe pas çeljes së negociatave, çështjet kryesore përsëri do të vazhdojnë
të mbeten çështjet që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit, luftën
kundër krimit të organizuar, luftën kundër korrupsionit me funksionimin transparent
të të gjitha institucioneve. Kështu që ne do të vazhdojmë në këtë drejtim dhe jemi
në bashkë punim me të gjitha institucionet.

Gazetari: Mendoni se
policia po bën maksimumin për t’i parandaluar, por edhe për t’i hetuar dhe për
t’i zbardhur të paktën rastet konkrete që përmendë e që e kthyen Shqipërinë në një
vend me rekorde historike. Nuk kishte ndodhur ndonjë herë që të ishin kapur 613
kg kokainë në portin e Durrësit…

Presidenti Meta: Absolutisht që kjo
është çështje serioze dhe padyshim çdo nënvlerësim apo çdo tolerim i kanabisit
do të sillte pasoja të tilla, sepse për grupet kriminale nuk ka problem nëse
merresh më kanabis apo droga të forta, merresh edhe me gjërat edhe më të rënda.
Rëndësi ka fitimi maksimal dhe kuptohet, në momentin që ata krijojnë një infrastrukturë
dhe arrijnë një fuqi të caktuar financiare pastaj këtë mund ta përdorin për çdo
gjë. Por këto çështje po hetohen dhe shpresojmë që hetimet të jenë të plota dhe
gjithëpërfshirëse, duke bashkë punuar ngushtë edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë.
Është një gjë mjaft pozitive që edhe DEA po angazhohet gjithë një edhe më shumë
në këto sfida dhe hetime, por është edhe një gjë mjaft pozitive që edhe në
polici ka nisur një proces, që quhet gjithashtu procesi i Vetting-ut, që synon
të fuqizojë dhe kompaktsojë këtë institucion mjaft të rëndësishëm dhe që është në
vijën e parë të kontaktit dhe luftës me krimin e organizuar në mënyrë që të kemi
rezultate shumë të mira në të ardhmen dhe shpresojmë për këtë gjë.

Gazetari: Meqë po flasim
për policinë, a keni një vlerësim për punën e Ministrit të Brendshëm, z. Fatmir
Xhafaj

Presidenti Meta: Unë inkurajoj gjithë
ministrat që të përmbushin me përgjegjësi maksimale detyrat e tyre. Kuptohet që
detyra e Ministrit të Brendshëm është një sfidë mjaftë e vështirë edhe e inkurajoj
dhe e mbështes për të arritur të gjitha ato objektiva që ai i ka bërë publike .

Gazetari: Flasim për Vetting-un
në drejtësi z. President. Gati 50 gjyqtarë dhe prokurorë janë larguar nga
sistemi i drejtësisë për shkak të Vetting-ut. A mendoni se Vetting-u po funksionon
në mënyrën e duhur pa patur eksese dhe pa larguar ndoshta njerëz nga sistemi i
drejtësisë që nuk e meritojnë të largohen? E keni patur këtë si shqetësim?

Presidenti Meta: Procesi i Vetting-ut
është një proces i vështirë, sepse është një proces kompleks. Ka qenë një proces
i domosdoshëm dhe është shumë e rëndësishme që të zbatohet në mënyrën më transparente
dhe më korrekte. Nuk është një proces, ku nuk janë parashikuar edhe gabimet apo
vlerësimet e gabuara, prandaj janë krijuar edhe institucionet ku edhe të gjithë
subjektet që i nënshtrohen Vetting-ut kanë të drejtë të ankohen për t’u
rishikuar gjithë ato rastet ku ata pretendojnë se mund të jenë bërë gabime.

Gazetari: Por nga ana
tjetër Vetting-u ka krijuar edhe vakum në funksionimin e institucioneve siç është
rasti i Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se ishte me pesë anëtarë, tani ka mbetur
edhe me katër. A ishte parashikuar ky moment z. President? Në rregull Vetting-u,
por edhe institucionet e drejtësisë ku janë….

Presidenti Meta: Mendoj se është shumë
e rëndësishme të ecim sa më shpejt të jetë e mundur pa cenuar cilësinë e këtij
procesi dhe duke garantuar gjithmonë transparencën dhe qëllimet e mira të tij për
të cilat u realizua Vetting-u.

Së dyti, mund të them
se si President, kam kërkuar nga KED për të vënë në funksion të përmbushjes së detyrave
të saj dhe për këtë arsye prej kohësh kemi hapur në mënyrë transparente edhe
mundësinë e gjithë kandidatëve për dy vende vakante, që ka si përgjegjësi Presidenti
i Republikës për t’i propozuar dhe shpresojmë që KED, të funksionojë sa më shpejt
të jetë ë mundur me përgjegjshmëri të plotë ashtu sikurse edhe Kuvendi ka nisur
kë të proces, ë të evitojmë situata të cilat nuk do të na ndihmonin në tërësi
për të gjitha ato përgjegjësi që kanë këto institucione të rëndësishme
kushtetuese.

Gazetari: A është alarmante
situata, apo është e menaxhueshme deri në momentin që ato do të zgjidhen?

Presidenti Meta: Situata pa dyshim
që kërkon një ritëm më të shpejtë dhe unë shpresoj që të gjithë do të përmbushin
përgjegjësitë e tyre.

Gazetari: Z. President, organi
i akuzës drejtohet prej 5muajsh nga një Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme.
Duke qenë se jeni kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare a keni një vlerësim
për punën e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme dhe në informacionin tuaj,
përsa kohë do drejtohet nga një Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme dhe a ju
duket anakronike kjo situatë?

Presidenti Meta: Çështja e Prokurorit
të Përgjithshëm me ndryshimet e reja kushtetuese është një çështje që i takon
ekskluzivisht Kuvendit, që ka bërë edhe zgjedhjen dhe natyrisht i takon edhe në
të ardhmen institucioneve të drejtësisë. Përsa i takon çështjes së Prokurorisë unë
mund të them se inkurajo Prokurorinë të përmbushë me përgjegjshmëri detyrat e
saj, pavarësisht se klima politike në vend, nuk është mjaft ndihmuese, por si çdo
lloj polarizimi ngado që vjen nuk mendoj që është kontribuues për forcimin e
institucioneve të pavarura dhe njëkohësisht edhe për efektivitetin e tyre
maksimal.

Gazetari: Pati një valë procedimesh
penale nga Prokuroria e Përgjithshme muajt e kaluar, duket sikur tashme është pushuar.
A keni vërejtur ju z. President një lloj anshmërie sesi Prokuroria e Përgjithshme
që drejtohet nga Arta Marku, ka një lloj anshmërie apo jo?

Presidenti Meta: Nuk do dëshiroja
të bëhesha pjesë e këtyre debateve. Për mua është e rëndësishme që sistemi i
drejtësisë, si institucionet të cilat janë në një moment tranzitor, si
institucionet e reja, duke patur në konsideratë ato të Vetting-ut që po
funksionojnë, por edhe të tjerat që janë në një proces krijimi, të funksionojnë
në mënyrë të pavarur, sepse kjo është edhe pritshmëria e opinionit publik.

Gazetari: A keni vënë re
raste abuzive në mënyrën se po funksionin sistemi i drejtësisë me procesin e Vetting-ut.
Nëse do të vinit re raste të tilla që dalin në pah, a keni mundë si të ndërhyni
z. President, t’i parandaloni ato, pra kapjen politike atë që është dhe frika
më e madhe në raport më sistemin e drejtësisë?

Presidenti Meta: Presidenti, nuk
ka asnjë rol kushtetues dhe asnjë instrument për të ndërhyrë në procesin e Vetting-ut.
Përkundrazi janë të përcaktuara qartë edhe institucionet, të cilat mund të rishikojnë
vendimet e komisioneve të Vettingut, janë të përcaktuara si Kolegji i Apelimit
e kështu me radhë, dhe natyrisht kemi dhe partnerët ndërkombëtarë që monitorojnë
këtë situatë, është edhe media edhe shoqëria civile. Pra është detyrë e të gjithëve
për ta ndihmuar këtë proces në krijimin e besueshmërisë se drejtësia e re është
një drejtë si e pavarur e pandikuar nga politika, e cila do të përkthehet në një
besim më të madh për qytetarët shqiptarë.

Gazetari: Zoti Presidenti, raportet tuaja me
Kryeministrin Rama njohën padiskutim pikën e tyre më të ulët gjatë fushatës
zgjedhore të viti të kaluar, kur edhe pse ishit zgjedhur ndërkohë në postin e
Presidentit të Republikës, vendosët të mbanit postin e kryetarit të LSI-së deri
në përfundim të zgjedhjeve. Cilat janë raportet aktuale me Kryeministrin Rama?
Me aq sa dimë, keni pasur vetëm dy takime: takimi i parë për emërimin e shefit
të ri të SHISH, z. Bendo dhe takimi i dytë ishte ai që solli edhe PO-në tuaj
për fillimin e negociatave me Greqinë për çështjen e detit…

Presidenti Meta: Takimet e mia janë institucionale, si me
Kryeministrin, si me ministrat apo me drejtues të institucioneve të ndryshme
dhe i konsideroj si marrëdhënie normale, marrëdhënie pune.

Gazetari: A ju ka detyruar Kryeministri Rama që të jepnit
plotfuqishmërinë tuaj për grupin që do të negociojë me Greqinë çështjen e
detit? Po i referohem takimit tuaj të fundit që keni pasur me z. Rama…

Presidenti Meta: Mendoj se takimi për këtë çështje ka qenë mjaft
konstruktiv dhe Kryeministri është pajtuar me të gjitha qëndrimet e mia përsa i
takon mënyrës se si duhet të zhvillohen këto negociata gjithmonë në respekt të
Kushtetutës dhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.

Gazetari: Mandati juaj si President dhe mandati i
qeverisë Ram 2 ka kohëzgjatje të njëjtë. A keni bërë ju një vlerësim për
mënyrën se si po qeveriset aktualisht vendi z. President? A jeni i kënaqur?

Presidenti Meta: Mendoj se të gjithë duhet të kontribuojmë për
mirëqeverisjen e vendit dhe në këtë drejtim mendoj që vlerësimin e bëjnë
qytetarët. Për mua si President është e rëndësishme të bashkëpunoj me qeverinë
dhe të jap të gjithë mbështetjen time për gjithçka të mirë që realizohet dhe që
ndihmon vendin.

Gazetari: Meqë thoni se vlerësimet i bëjnë qytetarët, ju
si qytetar i parë i Republikës së Shqipërisë, në çfarë drejtimi mendoni se
qeveria shqiptare nuk po performon si duhet dhe nga ana tjetër, duke përdorur
edhe fuqinë si President do t’i bënit thirrje të fokusohej akoma më tepër?
Mendoni që ekonomia shqiptare është më e fortë dhe ka pësuar rritje? Ka një
shqetësim për praktikat e Bankës së Shqipërisë për de-eurizimin e ekonomisë dhe
zhvlerësimin e monedhës euro. A janë këto shqetësime që mund të krijojnë
situata të pakëndshme në të ardhmen?

Presidenti Meta: Unë mendoj që qeveria por edhe të gjithë
aktorët e tjerë i ndjekin këto çështje në vijimësi dhe çdo ndjeshmëri për një
problematikë në rritje në të ardhmen në çdo fushë, qoftë ekonomike apo kudo
tjetër, të reflektohet në kohë. Ajo që dua të theksoj gjithmonë është dialogu
për çështjet më të rëndësishme të qeverisjes së vendit dhe një klimë më e mirë
bashkëpunimi, pasi shndërrimi i konfliktit në një filozofi të sjelljes politike
në vend apo edhe në një mënyrë qeverisjeje vetëm shteron energjitë pozitive të
të gjithë aktorëve. Të vetë qeverisë dhe përfaqësuesve të saj, të vetë
opozitës, të biznesit dhe sipërmarrjes dhe të qytetarëve. Ne kemi nevojë që
secili të përmbushë përgjegjësitë e ti dhe të krijojmë një ambient sa më të
sigurt për qytetarët tanë, për të rinjtë tanë, sa më të besueshme për ata në
radhë të parë por edhe për partnerët e huaj e sidomos për investitorët e huaj
nga të cilët duhet të shohim më shumë.

Gazetari: A ka më shumë propagandë në mënyrën se si po
qeveriset vendi se sa punë konkrete z. Meta, a e ndjeni këtë?

Presidenti Meta: Nuk jam në Parlament këtu, jam në Institucionin
e Presidentit të Republikës dhe nuk ia lejoj vetes që të hyj në komente të
njëanshme, por unë besoj që ka nevojë patjetër për më shumë punë nga të gjithë.
Nuk mund të kënaqet askush me arritjet e deritanishme dhe të gjithë duhet të
kënaqemi atëherë kur të ndalojë çdo i ri i këtij vendi së ëndërruari për ta
gjetur Evropën jashtë Shqipërisë.

Gazetari: Kur iu pyeta për qeverisjen, po mendoja për atë
që ndodhi gati një muaj më parë në rrugën e Kombit. Banorët e Kukësit dhe jo
vetëm u ngritën në një protestë për të kundërshtuar vendosjen tarifës. Së pari
si e keni përjetuar si President këtë moment?

Presidenti Meta: Natyrisht që nuk ka qenë një moment i këndshëm
për askënd. Vetë situata e krijuar e cila duhet të ishte shmangur me kohë, nuk
besoj se i shërbeu dikujt, në radhë të parë unë dua të nënvizoj rëndësinë e
dialogut për çdo nismë të tillë. Kjo është e rëndësishme aq më tepër në një
rast të tillë kur kemi të bëjmë me një vepër madhore, e cila lidh Shqipërinë me
Kosovën dhe padyshim vetë qeveria e ka pranuar më pas se duhet të kishte
realizuar një proces konsultimi me komunitetin. Ajo që unë duhet të theksoj se
në çdo rast ka qenë e domosdoshme dhe është e domosdoshme një konsultim edhe me
qeverinë e Kosovës, pasi është mjaft e rëndësishme mirëmbajtja e rrugës por
është shumë e rëndësishme që kjo rrugë të vazhdojë të përmbushë atë funksion
për të cilin u ndërtua, për t’i dhënë një dinamikë tjetër marrëdhënieve të
gjithanshme, jo vetëm ekonomike dhe të tregtisë, midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Gazetari: Por në vlerësimin e Presidentit të Republikës,
qytetarit të parë të këtij vendi, a duhet të ketë tarifë në Rrugën e Kombit? A
mendoni se shqiptarët e kanë paguar një herë rrugën dhe paguajnë taksa të
mjaftueshme jo vetëm për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit, por edhe të gjithë
rrugëve të Shqipërisë?

Presidenti Meta: Mendoj që kjo është një çështje për të cilën
qeveria dhe Kuvendi duhet të marrin përgjegjësitë e tyre në mënyrë më
transparente, por edhe më të mençur, edhe më racionale. E theksoj edhe një
herë, mirëmbajtja është shumë e rëndësishme, por është gjithashtu jetike që kjo
rrugë të përmbushë misionin për të cilin është bërë një investim madhor si nga
Shqipëria ashtu edhe nga Kosova.

Gazetari: Vendosja e tarifës e dëmton këtë qëllim z.
President?

Presidenti Meta: Edhe sikur të mos vendoset tarifë, por boll që
të ndalojnë makinat edhe siç ndalonin më para, është një frenim psikologjik.
Për më tepër, të mos harrojmë se Kosova po përfundon një autostradë fantastike
me Maqedoninë, ku unë kalova edhe para pak kohësh gjatë rrugës për në Shkup,
edhe dola nga Kaçaniku, një investim madhor, i cili mund ta relativizojë mjaft
rrugën dhe investimin që ne kemi bërë deri tani në rast se nuk do të merrnim
vendime të llogaritura mirë dhe me mençuri.

Gazetari: Z. President, ka një shqetësim në rritje nga
qytetarët kryesisht për bumin e ndërtimeve në kryeqytet, ku hapësirat publike ë
dukje sa vijnë e tkurren, ndërsa betoni ka krijuar një avantazh në dëm të
interesit publik. A ka vend për shqetësim në këtë drejtim apo besoni se ky
është trend normal i zhvillimit të një kryeqyteti si Tirana?

Presidenti Meta: Natyrisht që Tirana ndeshet me sfida të mëdha,
por mendoj që duhet gjithmonë të jemi të kujdesshëm sa i përket hapësirave
publike sepse to janë sakrifikuar mjaft në të kaluarën dhe mund të krijohen
probleme edhe për cilësinë e jetës së qytetarëve të kryeqytetit, i cili edhe
kështu siç është pavarësisht nga procesi që ka pësuar në disa shërbime, ende
vuan nga problemet e ndërtimeve të pakontrolluara të pas viteve ‘90 dhe është e
domosdoshme tani, kur të gjithë pretendojmë cilësi më të larta jetese në të
gjithë vendin dhe padyshim edhe në kryeqytet, që çdo investim, çdo ndërtim që
bëhet në kryeqytet të ketë parasysh këto shqetësime.

Gazetari: Cili është qëndrimi i Presidentit të Republikës
lidhur me projektin e shembjes së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e teatrit të
ri me partneritet publik dhe së bashku me teatrin edhe ndërtimin e disa kullave
të tjera shtesë në qendër të Tiranës…

Presidenti Meta: Unë besoj se është shumë e rëndësishme të
punohet në dialog me komunitetin e artistëve dhe të punohet në transparencë të
plotë me ta. Për të tjerat nuk dëshiroj t’i komentoj.

Gazetari: Negociatat me Greqinë për caktimin e kufirit
detar janë rikthyer sërish në temë dite pasi ju dhatë miratimi tuaj. Një ditë
më parë Ministri i Jashtëm i Greqisë, Kotzias ka deklaruar në një intervistë
për mediat greke se marrëveshja pritet të përmbyllet në fund të muajit maj ose
në fillim të muajit qershor. A është e vërtetë sepse gjithmonë opinioni publik
shqiptar e merr vesh se çfarë ndodh me çështjen e detit nga mediat greke? Keni
informacione realisht se çfarë po ndodh duke qenë se tashmë keni edhe
përfaqësuesin tuaj në grupin negociator?

Presidenti Meta: Së pari, me duhet të nënvizoj përmbylljen e një
marrëveshjeje të tillë, e cila është çështje e hapur prej 10 vjetësh. Së dyti,
të gjitha veprimet e mia si President kanë qenë në respekt të Kushtetutës dhe
të vendimit të posaçëm të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, e cila
disiplinon qartësisht rolin e Presidentit dhe të gjithë institucioneve se si
duhet ecur drejt një marrëveshjeje të tillë dhe besoj se grupi negociator i ka
të qarta të gjitha kërkesat e mia si President i Republikës në respekt të
vendimit të kësaj gjykate, për të përmbushur detyrimet e tij të cilat janë
mjaft të rëndësishme që të përmbushen me përgjegjësi të plotë larg çdo lloj
presioni nga cilido, përfshirë këtu edhe deklaratat mediatike.

Gazetari: E lexoni si presion deklaratën ministrit grek,
i cili thotë se marrëveshja do të përmbyllet në fund të këtij muaji?

Presidenti Meta: Për mua nuk ka asnjë afat përveçse një marrëveshje
të drejtë, të ndershme për të dyja palët dhe natyrisht që unë mund të flas për
palën tonë, e cila e ka edhe për detyrë të mbrojnë interesin kombëtar në
mënyrën më të përgjegjshme, më atdhetare dhe më profesionale. Nëse kjo mund të
kishte ndodhur dje, do të ishte shumë mirë. Se kur do të ndodhë, këtë nuk mund
ta parashikoj dhe askush nuk duhet ta paragjykojë, por të gjithë duhet të
punojmë në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme.

Gazetari: Dhe nëse nuk plotësohen kushtet, ato që
përmendet ju, mënyra se si është shprehur Gjykata Kushtetuese për zgjidhjen e
çështjes së detit, a e shikoni në vetvete deklaratën e z. Kotzias për afatin e
arritjes së marrëveshjes si një presioni që bën pala greke për qëndrimin vendit
fqinj për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe nëse
është kështu, a do ta lejoni një marrëveshje të tillë duke qenë se tashmë nuk
keni as mekanizmin e Gjykatës Kushtetuese për ta rrëzuar?

Presidenti Meta: Unë nuk vlerësoj se deklarata në fjalë i
drejtohet palës shqiptare. As nuk e di ekzaktësisht se cila është deklarata dhe
nuk mund të komentoj deklaratat e një ministri të një vendi tjetër, kur e ka
thënë, si e ka thënë apo pse e ka thënë. Ato kanë objektivat e tyre dhe ne i
respektojmë objektivat e tyre. Objektivi im si President i Republikës së
Shqipërisë është zbatimi i qartë, i plotë i vendimit të Gjykatës Kushtetuese në
të gjithë elementët e tij. Unë për këtë kam dhënë autorizim.

Gazetari: A do ta firmosni ju dhe homologu juaj
Pavlopulous marrëveshjen përfundimtare për delimitimin e detit z. President?
Flitet se një nga kushtet që keni vënë për dhënien e autorizimin për nisjen e
negociatave ka qenë pikërisht ky, që marrëveshja të mbajë firmën tuaj dhe atë
të Presidentit grek, Pavlopulous….

Presidenti Meta: Është një “fake news” meqenëse jemi në
FAX News.

Gazetari: Në fakt, a do të ishte mirë që kjo marrëveshje
të firmosej nga dy presidentët duke qenë se në preambulën e saj do t’i jepte
fund një serie problematikash që ka pasur Shqipëria me Greqinë, qoftë ligji i
luftës, qoftë çështja e delimitimit detar?

Presidenti Meta: Për mua kjo është tërësisht e parëndësishme se
cili do ta firmosë. Vetëm një gjë ka rëndësi për mua si President i Republikës
së Shqipërisë, që kjo marrëveshje të mbrojë interesin kombëtar të Shqipërisë
dhe të popullit shqiptar sepse kemi të bëjmë me një marrëveshje historike për
shkak se një herë ndodh në histori dhe nuk është një detyrim ndaj qytetarëve
shqiptarë që janë sot, por është detyrim edhe ndaj gjeneratave të ardhshme që
do vijnë më pas. Pra është një përgjegjësi e madhe ndaj duhet përmbushur me
përgjegjësi të plotë kombëtare dhe natyrisht edhe profesionale.

Gazetari: E thënë kështu siç e thoni ju, duke fiks si ato
marrëveshjet që firmosen nga Presidentët e Republikës…

Presidenti Meta: është mendimi juaj.

Gazetari: Në fakt, çështja e negociatave me Greqinë dhe
sidomos grupi negociator pati një moment fort të dyshimtë për shkak të
përbërjes. Bëhet fjalë pikërisht për praninë në këtë grup të z. Artur
Meçollari, i cili nga informacionet që siguroi FAX Neës rezultoi të ishte një
person i larguar nga Forcat e Armatosura i akuzuar për spiunazh. A keni kërkuar
informacione për figurën dhe integritetin profesional të z. Meçollari dhe fakti
që ai është ende sot në grupin negociator do të thotë se keni marrë garancinë
se figura dhe integriteti i tij janë të pacenuara?

Presidenti Meta: Institucioni i Presidentit ka kërkuar përmbushjen
e kritereve apo standardet e figurës për të gjithë negociatorët pa përjashtim
nga të gjitha institucionet. Përgjigjet institucionale që kanë ardhur këtu nuk
e bënin të pamundur për secilin prej tyre që janë tashmë negocatiorë për të
qenë në këtë detyrë.

Gazetari: Meqë po flasim për raportin me vendet partnere.
Që prej një viti kur keni marrë detyrën ajo që bie në sy është mungesa e një
takimi me Presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. Ju keni pasur një urim
prej tij, siç keni pasur prej shumë nga krerët e shteteve të botës,. Por pyetja
është si i keni ju raportet z. Meta me z. Erdogan?

Presidenti Meta: Nuk e kam ndjerë mungesën e një takimi të tillë
sikurse ju e thatë kemi pasur edhe shkëmbime mesazhesh. Kemi pasur edhe një
bisedë telefonike me rastin e zgjedhjes sime, ku z. Erdogan më ka uruar. Ashtu
sikurse kam pasur edhe kënaqësinë të takohem me Kryeministrin e Turqisë së
fundmi në Baku dhe jemi në kontakte të vazhdueshme edhe me Ambasadorin e
Turqisë këtu.

Gazetari: A do të keni një vizitë të shpejtë në Turqi apo
nuk është parashikuar ende asgjë?

Presidenti Meta: Nuk kemi asnjë urgjencë për më tepër që atje ka
zgjedhje në qershor.

Gazetari: Turqia i kërkon prej kohësh me ngulm Shqipërisë
që të mbyllë ato që njihen si institucione arsimore Gyleniste. Si mendoni, si
duhet ta adresojë Shqipëria këtë çështje? Sipas informacioneve që kemi duket se
ia keni bërë një herë të qartë Presidentit të Turqisë në kohën kur ishit Kryetar
i Kuvendit se nuk jeni pro kësaj kërkese të Ankarasë….

Presidenti Meta: Nuk dëshiroj të bëhem pjesë e debateve dhe e
këtyre historive. Ne jemi një vend demokratik, jemi një vend i cili duhet të
tregojë çdo ditë që është vendi i sundimit të ligjit, dhe në këtë drejtim çdo
koment tjetër për mua është i panevojshëm.

Gazetari: Si e keni parë aksionin e çuditshëm që u
ndërmor me dëbimin e 6 shtetasve turq të cilët konsideroheshin si Gylenistë,
por sipas informacioneve njëri prej të deportuarve kishte edhe pasaportë
shqiptare. Nëse do të ndodhte një situatë e tillë edhe ne Shqipëri si do ta
vlerësonit? I druheni një situate të tillë edhe në Shqipëri?

Presidenti Meta: Kosova është e pavarur dhe drejtuesi e
institucioneve të saj kanë përgjegjësitë e tyre. Unë nuk dua të bëhem pjesë e
debateve për çështje të tilla, për mua është e rëndësishme të respektojmë
Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të respektojmë ligjet e Shqipërisë.

Gazetari: Pavarësisht se njëri prej tyre kishte edhe
pasaportë shqiptare, a nuk e bën edhe atë një çështje të Shqipërisë, z.
President?

Presidenti Meta: Nuk kam asnjë ankesë drejtuar Presidentit të
Republikës së Shqipërisë nga shtetas shqiptarë.

Gazetari: Si e shikoni rolin e opozitës aktuale? A
mendoni se me Ilir Metën kryetar të LSI-së qasja e pakicës parlamentare do të
ishte më dinamike? Ju mungon politika aktive z. Meta?

Presidenti Meta: Nuk kam dëshirë fare të kthehem as pas dhe as të
bëjë komente bazuar mbi supozime. Opozita ka përgjegjësitë e saj në një sistem
demokratik dhe urojmë t’i përmbushë me përgjegjësi maksimale.

Gazetari: Cili ishte impresioni i parë që patët si
President apo qoftë edhe i bashkëshort, kur patë znj. Monika Kryemadhi të
qëllojë me çizme në drejtim të Kryeministrit Rama?

Presidenti Meta: Mendoj se dialogu është i pazëvendësueshëm dhe
është ai që i duhet më së shumti edhe Kuvendit edhe politikës shqiptare, edhe
shoqërisë sonë në tërësi.

Gazetari: A ndiheni keq kur e dëgjoni Kryeministrin Rama,
kur i adresohet kryetares së LSI-së me termin “maçoku me çizme”?

Presidenti Meta: Nuk para e ndjek shumë Kuvendin për shkak të
angazhimeve të tjera dhe deputetët mbajnë përgjegjësi vetë për veprimet e tyre.

Gazetari: Po nga eksperienca personale z. Meta, por edhe
duke e njohur mirë, cilat janë arsyet që e shtynë znj. Kryemadhi të bëjë një
akt aq të fortë?

Presidenti Meta: Mund t’i drejtoheni vetë znj. Kryemadhi.

Gazetari: A është e vështirë për ju ta ndani raportin
bashkëshortor dhe si Presidenti i Republikës me Kryetaren e LSI-së? E
këshilloni ju znj. Kryemadhi apo ajo ju?

Presidenti Meta: Është shumë e lehtë dhe e thjeshtë për mua, unë
bëj detyrën time dhe bëj politikën e Presidentit të Shqipërisë.

Gazetari: Pas pak muajsh mbushet një vit nga marrja e
detyrës suaj si President i Republikës. Cilat janë momentet kryesore që i
veçoni në këtë vit të parë të mandatit tuaj? A keni bërë një bilanc?

Presidenti Meta: Shpresoj ta bëjmë një bilanc më 24 korrik dhe
shpresoj shumë dhe duhet të punojmë shumë që ta bëjmë me një tjetër moment
pozitiv, atë të çeljes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin
Evropian.