Presidenti Meta çmon Shoqërinë Sportive “Vllaznia” me Dekoratën “Nderi i Kombit”

432
Sigal

Presidenti Meta çmon Shoqërinë Sportive “Vllaznia” me Dekoratën “Nderi i Kombit”: Kjo shoqëri u ngrit si vokacion lirie në një moment dramatik, kur Shkodra rrezikonte të ngelej jashtë kufijve të atdheut mëmë.

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi sot, me rastin e 100-vjetorit të krijimit të saj, Shoqërinë Sportive “Vllaznia” gjatë një ceremonie të zhvilluar në Bashkinë e Shkodrës, ku ishin të pranishëm deputetë të qarkut, Kryetarja e Bashkisë Voltana Ademi, autoritete vendore, figura dhe personalitete të sportit e të kulturës, dhe shumë qytetarë.

Presidenti Meta e çmoi këtë Shoqëri Sportive me Dekoratën “Nderi i Kombit me motivacionin: “Si njëra ndër shoqëritë e para intelektuale në Shqipëri, me kontribut e rezultate historike në fushën e sportit, fidanishte e talenteve që kanë mbështetur Vllazninë dhe Ekipin Kombëtar, e dalluar për sportistët e skuadrat e saj cilësore. E veçantë në manifestimin e vlerave më të mira të sportit, duke merituar respektin dhe dashurinë e madhe të qytetarëve shkodranë dhe të gjithë shqiptarëve”.

Me këtë rast Presidenti i Republikës përuroi edhe memorialin me pllakatin nderues në mjediset e jashtme të Bashkisë së Shkodrës.

Në fjalën e tij Presidenti Meta u shpreh:

“Ju përshëndes dhe ju uroj për shumë vjet gëzuar 100-vjetorin e Klubit ‘Vllaznia’.

Jam i lumtur të hapim siparin e festimit të përvjetorit të Klubit tuaj shekullor duke nderuar së pari kujtimin e ndritur të Shoqërisë  ‘Vllaznia’, pararendësen e Klubit të sotëm sportiv, që bashkë me emrin trashëgoi përkushtimin, pasionin dhe vizionin e saj.

Shkodra është qyteti i bukurisë së përjetshme! Nuk ka etapë të njerëzimit ku shkodranët të mos kenë skalitur gjurmët më të mira të qytetërimit  shqiptar.

Kjo kryeqendër e Veriut shqiptar, veç magjisë së peizazhit dhe vlerave monumentale është mbartëse e vlerave patriotike dhe një historie të pasur dhe të lavdishme të jetës qytetare.

Themelimi 100 vite më parë i ‘Vllaznisë’ ishte një akt i madh!

Kjo shoqëri u ngrit si vokacion lirie në një moment dramatik, kur qyteti i tyre rrezikonte të ngelej jashtë kufijve të atdheut mëmë.

Të rinj, juristë, artistë, profesorë, punëtorë, gazetarë, shkrimtarë dhe sportistë lanë mënjanë ndasitë fetare dhe dallimet shoqërore dhe u bashkuan për t’i treguar botës se shkodranët janë pjesa më e ndritur e civilizimit dhe identitet shqiptar, vlerave patriotike, e gjuhës, kulturës si  dhe pasurisë së tij shpirtërore.

Shoqëria ‘Vllaznia’ ngelet një nga shembujt më të civilizuar të rezistencës dhe aspiratës shqiptare për liri e progres shoqëror.

Jehona e aktivitetit të saj i dha hov të mëtejshëm  jetës shoqërore në qytet, duke e përjetësuar emrin e saj me atë të klubit të parë sportiv shqiptar ‘Vllaznia’. Një ndër Klubet që ka shkruar faqe të ndritura suksesi në sportin shqiptar, por edhe në përfaqësimin ndërkombëtar të vendit.

Të dashur miq,

E prita me kënaqësi propozimin e Kryetares së Bashkisë për të dekoruar Shoqërinë ‘Vllaznia’ me titullin e lartë ‘Nderi Kombit’.

Këtë ceremoni solemne dekorimi do të kisha dëshirë,  ta shoqëronim me përurimin së bashku të një Memoriali, për të lenë të gdhendur në mermer nderimin për ‘Vllazninë’, sportistët e saj dhe bijtë e shquar të Shkodrës.

Në këtë mënyrë lavdia e kontributit dhe e veprës së tyre do të jetë përherë në sytë dhe mendjen e të gjithë brezave sportiv e sidomos të rinjve dhe do t’i frymëzojë ata në rezultate përherë të larta! Urimet më të mira për Vllazninë, Shkodrën dhe qytetarinë e saj!”