Presidenti Ilir Meta vlerëson klerikun e shquar Sulejman Rexhepi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

645
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vlerësoi klerikun e shquar shqiptar, Reisul Ulema-n e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Haxhi Sulejman Efendi Rexhepin, duke e dekoruar me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin: “Për merita të shquara në promovimin e vlerave të paqes, dashurisë, humanizmit, harmonisë e bashkëjetesës ndërfetare. Në vlerësim të mbrojtjes së interesave dhe jetës fetare islame mes shqiptarëve, të kujdesit për zhvillimin e shkollimit, të institucioneve fetare në frymën kombëtare, si dhe përpjekjeve për mundësimin e urave lidhëse mes mendimit tradicional islam dhe mendimit bashkëkohor e intelektual shqiptar”. Në ceremoninë e dekorimit ishin të pranishëm klerikë edhe drejtues të lartë të bashkësive fetare shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Kardinali Ernest Simoni (Troshani), Ambasadori i Maqedonisë Stojan Karajanov, i Ngarkuari me Punë i Republikës së Kosovës Sylë Ukshini, deputetë të Kuvendit, Kryetarja e Komitetit Shtetëror të Kulteve Loreta Aliko, intelektualë dhe personalitete të ndryshme, etj. Në fjalën e Tij Presidenti Meta tha se Reisul Ulema Sulejman Rexhepi: “Duke mbrojtur interesat dhe jetën fetare islame mes shqiptarëve, është kujdesur veçanërisht për cilësinë e shkollimit, ruajtjes së frymës kombëtare në institucionet fetare si dhe është përpjekur për mundësimin e urave lidhëse mes mendimit tradicional islam dhe mendimit bashkëkohor e intelektual shqiptar.” Duke falënderuar Presidentin e Republikës për këtë vlerësim, Reisul Ulema i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Haxhi Sulejman efendi Rexhepi u shpreh se: “Kjo dekoratë e lartë është e lakmueshme për çdo shqiptar kudo ku gjendet e jeton në botë. Për të gjithë ata që i thonë nënës ‘nënë’, bukës ‘bukë’, ujit ‘ujë’, nga foshnjëria e tij e deri në frymën e fundit të jetës së kësaj bote. Është nder dhe kënaqësi e çdo shqiptari të tillë të dekorohet me një dekoratë të tillë.”
Sigal