Sigal

Presidenti i republikës Ilir Meta, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Përmes një mesazhi në Facebook, Meta, uron që kjo festë e madhe të jetë mesazh bashkimi dhe lumturie për të gjithë shqiptarët.

Ja mesazhi i Metës:

Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë!

Dita e shenjtë e Kurban Bajramit na kujton ripërtëritjen e ndjenjave të besimit, të devotshmërisë, të thjeshtësisë e të përuljes para të Plotfuqishmit.

Kjo ditë feste e bashkimi, simbol i sakrificës sublime, thekson besimin e patjetërsueshëm ndaj vlerave më të mira fetare e njerëzore, duke na ftuar të ndajmë begatinë tonë me më të vobektit, me më të pafatët dhe me ata që gjenden në nevojë.

Mbi gjithçka kjo Festë përjetëson e vërteton harmoninë dhe bashkëjetesën fetare proverbiale, që e ka karakterizuar kombin tonë prej shekujsh.

Në këtë ditë të shenjtë dëshiroj të uroj besimtarët myslimanë shqiptarë kudo ndodhen:

Gëzuar dhe përshumëvjet Festën e Kurban Bajramit!

Ju uroj nga zemra sa më shumë mirësi, solidaritet, mirëkuptim e dashuri në familjet tuaja si dhe mes njëri-tjetrit, të gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë!

Sa më tepër paqe, tolerancë, mirëbesim e begati!

Zoti i ndihmoftë shqiptarët dhe Shqipërinë për jetë të jetëve!