Sigal

Arkivoli i veprimtarit të shquar Adem Demaçi, me ceremoni shtetërore është dërguar sot në sheshin’ Skënderbeu’ në Prishtinë për homazhe, i përcjellë nga Garda e FSK-së. Liderët e shtetit të Kosovës dhe të Shqipërisë kanë mbajtur fjalimin në nderim të figurës së shquar.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, tha në fjalën e tij të lamtumirës për bacën Adem:

“I dashur Baca Adem, – tha Meta, – jeta jote ishte luftë, por ti arrite ta fitosh sepse ti arrite të jesh Adem Demaçi i Kosovës. E gjithë bota të njohu si Mandela i Kosovës. Ti ishe mbrojtësi i flaktë i të drejtave të njeriut, pa dallim, njeriu ndryshe i nënqiellit tonë.

Sot fjalët Bacë, janë të pakta për ty. I lehtë të qoftë dheu i Kosovës. Lamtumirë baca Adem Demaçi, heroi ynë i përjetshëm i përpjekjeve për liri.”