Presidenti i SHBA Z. Barack Obama i jep ‘Çmimin e Mirënjohjes’ Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj

640
Sigal

Fillimi i vitit
2017 nis me një eveniment shumë të rëndësishëm për miliona besimtarë bektashinj
në botë. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Z. Barack Obama i jep
Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj “Çertefikatën e Mirënjohjes” për
arritje në misionin e Tij si klerik si dhe për angazhimin dhe kontributin e dhënë
për paqen botërore në situatat e vështira që po kalojmë. Ceremonia e rastit, ku
pritet të marrin pjesë besimtarë të shumtë bektashianë e të besimeve të tjera,
përfaqësues të komuniteteve fetarë në Shqipëri, diplomatë të ambasadës
amerikane në Tiranë, përfaqësues të trupit diplomatik në kryeqytetin shqiptar,
përfaqësues të lartë shtetëror etj, do të zhvillohet në mjediset e Foltores së
Odeonit në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Tiranë
në orën 18:00 të ditës së enjte, 5 janar 2017.

Vlerësim i rëndësishëm

Dhënia e “Çertefikatës
së Mirënjohjes” nga Presidenti Obama për Kryegjyshin Botëror Bektashian, Shenjtërinë
e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, është një vlerësim tjetër i rëndësishëm për
këtë klerik të lartë si dhe për miliona bektashinj në mbarë botën, e në veçanti
për shqiptarët ku ka selinë ky tarikat me traditë. Ky vlerësim vjen pas shumë
vlerësimeve të tjera që ka marrë Kryegjyshi Botëror Baba Mondi si në Shqipëri,
ashtu dhe nga organizma ndërkombëtarë. Ai është gjithashtu një vlerësim i rëndësishëm
për kontributin e tij mbarëbotëror për forcimin e bashkëjetesës fetare, paqes e
mirësisë në glob, angazhim i cili pati dhe dy ngjarje të rëndësishme në vitin
2016 që lamë pas: Vizitën e Kryegjyshit Botëror në Vatikan me ftesë të Papës
dhe vizitën e Tij në Patriakanën e Stambollit. “Dhënia e ‘Çmimit të Mirënjohjes’
nga Presidenti i SHBA Barach Obama për mua, është vlerësim për kontributin e
gjithë klerikëve bektashianë, besimtarëve bektashinj për besimi në Zot, për
përpjekjet e vazhdueshme për paqen, harmoninë fetare, vëllazërinë dhe mirësinë
mes njerëzve, pa dallim etnie e besimi. Është gjithashtu një vlerësim që na
mbështet ne në këtë rrugë të ndritur e me tradita të historisë mbi tetëqind vjeçare
të besimit tonë”- pohon për gazetën “Telegraf” Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede
Edmond Brahimaj. Vlerësimi i fundit në kohë për Baba Mondin ishte dorëzimi i
titullit “Doctor Honoris Causa”, akorduar nga Akademia Botërore e Paqes së
Kombeve të Bashkuara, rreth tre muaj më parë. Në këtë ceremoni merrnin pjesë
dhe përshëndetën përfaqësues të qeverisë shqiptare, akademistë nga vendi dhe
bota, teologë të njohur si dhe studiues të tjerë. Në emër të Akademisë Botërore
të Paqes së Kombeve të Bashkuara, Kryegjyshit Botëror, Hirësisë së Tij, Baba
Edmond Brahimaj, titulli iu dorëzua nga 
i dërguari i këtij institucioni të lartë vlerësues, akademiku Madhu
Krishan.

Aktiviteti

Në aktivitetin e
sotshëm që zhvillohet në Selinë e Shenjtë të Bektashinjve në Tiranë, pritet një
pjesëmarrje e madhe besimtarësh, klerikësh, funksioanrësh shtetëror e faktorëve
të tjerë të komunitetit vendas. Priten gjithashtu përfaqësues diplomatik të
akredituar në Tiranë dhe miq nga Kosova, Maqedonie e më gjerë. Në vitin 2014,
Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj është shpallur “Ambasador i Paqes”,
ndërsa në vitin 2016, iu dha titulli “Doctor Honoris Causa”, akorduar nga Akademia
Botërore e Paqes së Kombeve të Bashkuara. Është gjithashtu “Nder i Qarkut” e
“Qytetar Nderi” në shumë njësi vendore të Shqipërisë si dhe ka zhvilluar
dhjetëra takime me udhëheqës të shteteve, personalitete botërore, përfshi dhe
takimet me Papën e Romës…”

 

 

SOM

 “Dhënia e ‘Çmimit të Mirënjohjes’ nga
Presidenti i SHBA Barach Obama për mua, është vlerësim për kontributin e gjithë
klerikëve bektashianë, besimtarëve bektashinj për besimi në Zot, për përpjekjet
e vazhdueshme për paqen, harmoninë fetare, vëllazërinë dhe mirësinë mes
njerëzve, pa dallim etnie e besimi. Është gjithashtu një vlerësim që na
mbështet ne në këtë rrugë të ndritur e me tradita të historisë mbi tetëqind vjeçare
të besimit tonë’- pohon Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj”