Presidenti i Republikës i jep dekoratën “Nderi i Kombit”, Riza Ali Dedesë (Pas vdekjes)

636
Siç ishte paralajmëruar, dje në mesditë, në mjediset e Selisë së Shenjtë Bektashiane në Tiranë, u zhvillua ceremonia e dekorimit nga Presidenti i Republikës, Shkëlqesia e Tij Bujar Nishani, me Dekoratën “Nderi i Kombit” i Riza Ali Dedesë (pas vdekjes). Në aktivitetin që u zhvillua në mjediset e Odeonit, merrnin pjesë klerikë bektashinj, përfaqësues të besimeve të tjerë në Shqipëri, besimtarë të shumtë, etj… I ngarkuari i Presidentit të Republikës, Ledio Nuraj, ia dorëzoi Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj dekoratën përkatëse me motivacionin: “I jepet Kryegjyshit Botëror Riza Ali Dedesë (Pas vdekjes) me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të shquar, dhënë në drejtim të ngritjes së objekteve të kultit, si dhe edukimit të brezave bektashianë me kulturën e dialogut ndërfetar”.

Pas marrjes së dekoratës, në fjalën e tij përshëndetëse, Dede Edmond Brahimaj, ndër të tjera theksoi: “…Të gjithë ne, e kemi pritur me emocion këtë ditë, kur vlerësimi për besimin tonë të mrekulluar dhe atdhetarë shkon përtej stinës së nxehtë politike dhe vëllai ynë, Ali Riza Dede, më së fundi, pas shtatë dekadash merr atë çfarë i ka takuar. Ky nder dhe respekt është natyrisht vijimësia historike e identitetit fetar dhe kulturor jo vetëm të besimit tonë 800 vjeçar, por krejt atyre burrave që bënë historinë e kombit tonë. … Dede Ali Rizai, biri i Krujës sonë, djepi i hershëm dhe i sotshëm i bektashizmit, gjatë gjithë jetës së tij klerikale, dëshmoi në kuptimin më të thellë, tiparin universal të dervishëve dhe baballarëve, dashurinë ndaj Zotit dhe vatanit. Ai, askurrë nuk i ndali këto dy dashuri, përkundrazi u dha frymë përmes një mendimi të urtë dhe veprimi të ndjeshëm, duke i harmonizuar, për t’i përcjellë më tej në shpirtrat e mijëra besimtarëve. Tek fjala e urtë e Dede Ali Rizait, gjetën shërim dhe shpresë në ato vite të vështira për kombin tonë, jo vetëm besimtarët e Krujës, por dhe besimtarë të shumtë nga viset e Dibrës, Martaneshit dhe Gjakovës. Akti i zgjedhjes së tij në postin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, pas ndarjes tragjike nga kjo jetë e Sali Niazi Dedejt, tregoi ndërkaq se dituria, atdhetaria dhe urtësia e këtij kleriku të rrugës së Haxhi Bektash Veliut, i kishte kaluar me kohë viset gjeografike të Shqipërisë së Mesme, duke e renditur atë ndër figurat e njohura të bektashizmit botërorë. Veprimtaria e tij në rolin e Kryegjyshit Botëror, ndonëse shumë e shkurtër në kohë, dituria dhe maturia në përcjelljen e problemeve aq të mprehta, jo vetëm me karakter fetar, janë shembulli i shkëlqyer i vetëdijes në nxjerrjen e përgjegjësive historike dhe udhëtimin pa u ndalur në udhë të Hakut. Kontributi i çmuar i Ali Dede Rizait, mbetet ende sot, një shkollë edukimi për brezat e sotëm bektashianë…”.

Për Dede Edmond Brahimajn, “…Dita e sotme ka dhe një simbolikë të veçantë, për çdo teqe, tonën, nga kjo në Tiranë deri në më të largëtën, atë të Detroidit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në çdo dhjetë korrik ne kremtojmë në mirësi ditën përkujtimore të largimit nga kjo jetë e Dede Ahmet Myftarit, këtij shenjori që gjithashtu në rolin e Kryegjyshit Botëror, disa vite pas Ali Dede Rizait, mundi të mbante të pa njollosur besimin bektashian, duke i rrëfyer ateistëve të kohës se dashuria në Zot mbetet xhevahiri më i madh që kanë besimtarët…” 

Në këtë ceremoni sollën kujtimet e tyre dhe klerikë e bashkëkohës të dede Ali Rizait.
“Dede Edmond Brahimaj shtoi: … Dede Ali Rizai, biri i Krujës sonë, djepi i hershëm dhe i sotshëm i bektashizmit, gjatë gjithë jetës së tij klerikale, dëshmoi në kuptimin më të thellë, tiparin universal të dervishëve dhe baballarëve, dashurinë ndaj Zotit dhe vatanit. Ai, askurrë nuk i ndali këto dy dashuri, përkundrazi u dha frymë përmes një mendimi të urtë dhe veprimi të ndjeshëm, duke i harmonizuar, për t’i përcjellë më tej në shpirtrat e mijëra besimtarëve..”
K. Boriçi
Sigal