Presidenca zhduk me dekret 5133 Medalje Ari, me peshë 472 kg. flori

729
Sigal

Që prej vitit 1992, 49 ish-grevistët e urisë të minierës së Valiasit nuk kanë marrë medaljet e arit të premtuara

 Mund të duket çudi, por ja që ka ndodhur realisht, që është zhdukur një sasi e madhe floriri, madje me ligj dhe dekret presidencial. Është fjala për “Medaljet e Arit”, akorduar individëve që kanë treguar merita të veçanta konkrete, në shërbim të kombit dhe demokracisë në Shqipëri. Mund të mos kishim rënë në gjurmë të këtij fakti, nëse dje, të mos na kishte ardhur në redaksinë e “Telegraf’, një përgjigje zyrtare që Presidenca e Republikës së Shqipërisë, i kthente zyrës së “Avokatit të Popullit”, në lidhje me një kërkesë të ish-minatorëve të grevës së urisë të datës 25 maj 1991, të Valiasit. Me një letër drejtuar “Avokatit të Popullit” zotit Igli Totozani, 49 ish-minatorët grevistë të Valiasit, të përfaqësuar nga ish-organizatori i kësaj greve urie, zoti Roland Përmeti, kërkonin prej institucionit më të lartë të shtetit (presidencës), t’u jepeshin medaljet e arit me titullin “Pishtar i Demokracisë”, akorduar me ligjin Nr.7580, datë 07/07/1992, dekretuar nga ish-Presidenti i Republikës, zoti Sali Berisha. Historia është e thjeshtë. Po atë ditë të dekretimit të ligjit, ish-Presidenti Berisha organizoi ceremoninë e dekorimit të 49 ish-grevistëve të urisë të minierës së Valiasit, me titullin “Pishtar i Demokracisë”. Por ditën e ceremonisë, 49 ish-minatorët e Valiasit, të dekoruar me medalje ari, morën vetëm nga një copë letër format “A-4, me titullin “Pishtar i Demokracisë”, ndërsa medaljet prej ari nuk i morën në atë ceremoni. Ato nuk u dhanë prej zyrës së Dekorimeve të Presidencës, prej të cilës të dekoruarit dhe opinioni publik, u sqaruan se “medaljet e arit do të jepeshin në një ceremoni tjetër, mbasi ende nuk ishin prodhuar”. Kujtojmë, se brenda vitit 1992 ishin dekoruar afro 2100 persona me medalje “Pishtar i Demokracisë” dhe “Martir i Demokracisë”, si studentë të Dhjetorit ‘90, pjesëmarrës  të çdo moshe në lëvizjen demokratike, të vrarë e të plagosur në protesta, të vdekur në burgjet e diktaturës, figura të disidencës nacionaliste e anti-komuniste në mërgim, ballistë, legalistë, ish-të burgosur e të internuar politikë etj. Më vonë, numri i të dekoruarave me titujt “Pishtar i Demokracisë” dhe “Martir i Demokracisë”, por edhe me tituj të tjerë me medalje ari, vit pas viti u shtua. Sipas përcaktimit të ligjit Nr.7580, datë 07/07/1992, tituj dhe dekoratat e arta, përveç vlerës morale (certifikatës motivuese), në momentin e dhënies duhet të shoqëroheshin edhe me dekoratën vlerë materiale, simbolin fizik të medaljes, që në rastin konkret përcaktohej se ishte një dekor dizajn me përbërje fizike 100% prej ari. Por, medaljet prej ari, as ato “Pishtar i Demokracisë” për 49 ish-minatorët grevistë të Valiasit, as ato “Martir i Demokracisë” dhe asnjë lloj medalje tjetër prej ari, nuk u dhanë. Saktësisht 22 vjet më parë, në datën 07/07/1992, ish-presidenti Sali Berisha u dha 49 ish-grevistëve të Valiasit vetëm certifikatat prej letre “Pishtar i Demokracisë”, me vulë e firmë të tij, por jo medaljet prej ari. Për to u tha, se do të jepeshin disa ditë më vonë, me ceremoni tjetër publike, po në Presidencë, mbasi nuk kishin ardhur nga Turqia, ku ishin porositur për prodhim. Ish-grevistët, e minierës së Valiasit, deklarojnë se pritën pas disa ditësh, javësh, muajsh e vitesh medaljet e arit “Pishtar Demokracie”, por nuk i kanë marrë as sot 22 vite nga akordimi. Gjatë këtyre 22 viteve, ata kanë bërë mbi 350 kërkesa në Presidencë, në Gjykatën e Faktit, në Gjykatën e Lartë, në Gjykatën Kushtetuese, në Kryeministri, e deri në BE, por nuk u është dhënë asnjë zgjidhje. Më në fund ata morën një përgjigje sqaruese prej “Avokatit të Popullit”, i cili i njofton të mos mbajnë më shpresë për marrjen e medaljeve prej ari, pasi jo vetëm ish-minatorët grevistë të Valiasit, por të gjithë ata që janë dekoruar me medalje e tituj nderi prej ari nga vitet 1992- 2013, nuk do t’ i marrin këto medalje. Këtë shpresë u a ka “shuar” një përgjigje zyrtare përfundimtare, kthyer nga Presidenca e Republikës, nëpërmjet zyrës së “Avokatit të Popullit”. Sipas përgjigjes zyrtare të dërguar në datë 06/12/2013, me nr. Prot. 2080/1, firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës zoti Arben Idrizi, këto medalje ari për 49 ish-minatorët e Valiasit dhe për gjithë të dekoruarit e tjerë me këtë lloj medalje ari, me titullin “Pishtar i Demokracisë” e të tjerë tituj nderi nuk do të jepen më, mbasi sipas presidencës, “kjo lloj medalje nuk është dizenjuar e nuk është prodhuar” dhe për këtë arsye, të gjithë këto medalje ari, nuk njihen më e nuk do të jepen si masë fizike ari. Kjo “zhdukje” e medaljeve prej ari është miratuar me Ligjin Nr. 112/2013, futur në fuqi me Dekretin Nr. 8092, datë 08/04.2013. Me këtë ligj e dekret, gjithë të dekoruarit me medalje ari “Pishtar i Demokracisë”, por edhe me tituj të tjerë prej ari, nuk i kanë marrë dhe nuk do t’ i marrin këto medalje, mbasi janë zhdukur me ligj dhe me dekret presidencial. Sipas “inventarit” të presidencës shqiptare, prej 21 vjetësh, pra nga muaji mars 1992 e deri në muajin mars 2013, gjithsej janë akorduar 5113 medalje ari, me titullin “Pishtar i Demokracisë” dhe me përcaktime të tjera si “Dekorata Nënë Tereza”, “Dekorata e Artë e Shqiponjës”, “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, “Martir i Demokracisë”, “Dëshmor i Atdheut”, Nderi Kombit”, “Mjeshtër i madh”, “Naim Frashëri” etj.. Të gjithë të dekoruarit e kësaj kategorie, që nuk e kanë marrë fizikisht medaljen e artë deri përpara daljes së Ligjit Nr. 112/ 2013, datë 08/04.2013, nuk do ta marrin më, sepse kjo e drejtë bashkë me medaljet e arta është “zhdukur” me këtë ligj. Presidenca shprehet, se në zbatim të ligjit, nuk i njeh si të mirëqena dhe nuk i jep këto 5133 medalje ari dhe po sipas ligjit, nuk mban asnjë përgjegjësi për fatin e tyre. Me përcaktim të Vendimit të Këshillit të Ministrave, çdo medalje ari peshon 92 gramë flori i pastër. Vetëm medaljet e 49 ish-grevistëve të urisë të Valiasit, peshojnë gjithsej 4 kilogramë e 508 gramë flori. Mirëpo gjithsej, janë 5113 copë medjalje ari, që nuk janë shpërndarë. Nëse bën llogarinë matematikore, rezulton se këto medalje peshojnë mbi 472 kilogramë flori. Sipas ligjit, “Për dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendor të nderit në Republikën e Shqipërisë”,  më mbështetje të neneve 78, 83 pika 1, 92 shkronja “ç” dhe 113 pika 1, shkronja “dh” të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, këto medalje duhet të ishin dhënë në momentin e dekorimit, pra të dhënies së certifikatës prej letre. Sipas burimeve tona nga Presidenca, na u tha se medaljet janë porositur në Turqi (vendi ku i porosit Shqipëria në këto 22 vjet) dhe se ato do të vijnë.  Mirëpo përgjigja zyrtare sqaruese e Presidencës, dërguar “Avokatit të Popullit” lidhur me kërkesën e ish-minatorëve grevistë, konfirmon përfundimisht e prerazi, se gjithë medaljet e arit, akorduar deri në muajin prill 2013, nuk do të jepen, mbasi nuk njihen më sipas Ligjit Nr. 112/2013, datë 08/04/2013. Të dekoruarve u janë dhënë vetëm copërat e letrave, ndërsa medaljet e arit nuk u janë dhënë e nuk do t’u jepen, pasi ato janë “zhdukur” me ligj e dekret presidencial. Në “llogaritë” e presidencës, që prej vitit 1992 e deri kur ka dalë ligji i dekretuar Nr. 112/2013, datë 08/04/2013, rezulton se është bërë pagesa për 5113 medalje ari, me peshë totale mbi 472 kilogramë flori, por medaljet nuk janë dhënë, nuk do jepen dhe dihet ku kanë përfunduar si masë floriri. Presidenca njofton “Avokatin e Popullit”, se ato nuk janë dizenjuar e nuk do të shpërndahen, pasi janë ndaluar me ligj!

 

Flet ish-minatori Roland Përmeti, kërkues i medaljes

 Kemi 22 vite që i kërkojmë. Çdo vit bëjmë nga 10-15 kërkesa në çdo institucion të shtetit e të drejtësisë. Asnjë nuk na jep zgjidhje. Madje, disa nuk përgjigjen fare. Nuk jemi vetëm ne ish-minatorët grevistë të Valiasit, që po i kërkojmë këto medalje ari. Janë dhe shumë të dekoruar të tjerë gjatë këtyre 22 viteve deri tek profesorë e personalitete të vendit e të huaj, të cilët janë dekoruar me medalje ari, por nuk i kanë marrë ato. Në këto 22 vite kemi bërë mbi 350 kërkesa në institucionet e shtetit dhe të drejtësisë. Kudo kemi gjetur heshtje, premtime mashtruese e shpërfillje. Së fundi, na erdhi një përgjigje nga Presidenca, dërguar nëpërmjet “Avokatit të Popullit”. Sipas Presidencës, përfundimisht medaljet e arit nuk do të na jepen, pasi ka dalë një ligj, sipas të cilit gjithë medaljet e arit të përpara muajit prill 2013, nuk njihen.

 Të dekoruarit e grevës së Valiasit, që nuk kanë marrë medaljet e arit

 1. Gëzim Kalaja

2. Roland Përmeti

3. Fiqiri Xibri

4. Besim Duli

5. Dulejman Cuka

6. Petrit Gjyla

7. Jakup Avdia

8. Lutfi Koçi

9. Stavri Koroveshi

10. Alfred Trekuçi

11. Fehmi Kaco

12. Agim Kasëmi

13. Abas Kadiu

14. Faik Ruçi

15. Enver Shehu

16. Arjan Sula

17. Ramiz Bici

18. Edmond Xhaja

19. Myftar Dushku

20. Enver Brati

21. Adnand Peshkopia

22. Xhevahir Isaku

23. Flamur Shehaj

24. Sami Kariqi

25. Gëzim Gjoci

26. Dylber Qosja

27. Gëzim Arapi

28. Edmond Xeba

29. Aleksandër Gjokla

30. Agron Çangu

31. Shefki Bulla

32. Kujtim Mehmetaj

33. Zylyftar Çako

34. Shaban Maknori

35. Tefik Cenmurataj

36. Ilir Shehaj

37. Sajmir Laze

38. Selman Algjoni

39. Pëllumb Rrunga

40. Shpëtim Rrunga

41. Ardian Goci

42. Valter Shkëmbi

43. Artur Deda

44. Abdyl Sulejmani

45. Fran Noka

46. Mehdi Koçi

47. Fazlli Liçi

48. Ismet Noka

49. Refit Nushaj

Në foto:

– Faksimile e ligjit Nr. 112/2013, datë 08/04/2013, që nuk njeh medaljet e arit

Përparim HALILI