Premtohet sërish “Karta e Studentit”, por 4500 persona e mbajnë kot në xhep. Historia 20-vjeçare e deklaratave

1313
Vjollca KUTA

Edhe në këtë 8 Dhjetor u premtua “Karta e Studentit”, 4500 persona e mbajnë kot në xhep
Në 20 vite është folur qindra herë, por nuk zbatohet, megjithëse është e miratuar me 5 ligje, 21 VKM dhe 145 urdhëresa
Gazeta “Telegraf”, ka kontaktuar dje me disa studentë, të cilët janë pajisur me këtë kartë-karton pa asnjë vlerë, prej të cilëve ka marrë deklarimin, se nuk e njeh askush, madje shpesh ka pasur edhe konflikte të tyre me punonjësit në shërbimin e transportit urban

Edhe dje, në 8 dhjetorin që njihet si “Dita Kombëtare e Rinisë”, krerët e PD e PS, të futur në salla të mbushura me të rinj të partive që drejtojnë, premtuan përsëri dhënien e “Kartës së Studentit”, si “kartë” për shumë shërbime falas. Ky premtim, ka 20 vite që bëhet, madje në çdo fillim viti mësimor, ata që kanë pushtetin e radhës, bëjnë ligje, nxjerrin VKM e urdhëresa për ta nisur zbatimin e kësaj karte. Por realisht, nuk zbatohet! “Karta e Studentit”, ka mbetur një “kartë e djegur”, të cilën shtetarët dhe politikanët, kryebashkiakët dhe rektorët e universiteteve publike e premtojnë me bujë, ndërsa studentët nuk e besojmë më. Prej afro 15 vitesh, Bashkia e Tiranës me mandat politik qeverisës rozë, blu e mavi së fundi, ka shpallur edhe modelin e kësaj karte, ka nënshkruar edhe kontrata me ministrin e Arsimit, të të Punës e Çështjeve Sociale, të Ekonomisë, Financave dhe me Dhomën e Tregtisë dhe me disa nga bankat e nivelit të dytë. Ka nënshkruar marrëveshje edhe me 50 bizneset që kanë shërbime sociale, në të cilat përfshihen interesat e përditshme ekonomike, financiare, arsimore e kulturore të studentëve. Vitin e kaluar, u tha se nga “Karta e Studentit”, do të përfitonin afro 40 mijë studentë të universiteteve publike e private në Tiranë! Në funksion të këtij premtimi janë miratuar, në 20 vite janë miratuar 5 ligje, 21 VKM dhe kanë dalë 145 urdhra ministrash, të dikastereve që përcaktoheshin në ligje e vendime. Edhe dje, u fol përsëri për “Kartën e Studentit”, duke rikthyer talljen e radhës prej pushtetit aktual dhe prej ish-pushtetit që nuk e kanë zbatuar ligjin për këtë dokument social të studentëve. 
Fakti/4500 studentë, janë pajisur me Karta nga Bashkia-Tiranë, por nuk ua njeh askush
Kujtojmë, që në vitin mësimor 2011-2012, Bashkia e Tiranës, nisi pajisjen e studentëve me karta. Mijëra student, u dyndën për aplikime dhe morën nga 1 copë karton. në total, u pajisën 4200 studentë, ndërsa afro 12 mijë të tjerë nuk I tërhoqën këto karta, për shkak se nuk përfilleshin nga asnjë biznes e institucion shtetëror. Edhe sot pas 7 vitesh, ata që i kanë marrë, po i mbajnë formalisht në xhep këto copa kartoni, mbasi nuk përfillen në autobusët urban të Tiranës, as në autobusët ndërqytetës, as në spitale, as në klinika, as në sportelet e pagesës së energjisë elektrike, as në Albtelekom, as në agjenci e qendra interneti, as në biblioteka, as në Posta Shqiptare, as në hekurudhë, as në aeroporte, as në librari, as në shtypshkronja e as në mensat e vetë qytetit “Studenti”. Gazeta “Telegraf”, ka kontaktuar dje me disa studentë, të cilët janë pajisur me këtë kartë-karton pa asnjë vlerë, prej të cilëve ka marrë deklarimin, se nuk e njeh askush, madje shpesh ka pasur edhe konflikte të tyre me punonjësit në shërbimin e transportit urban. Nëse një student sëmurët, sipas kartës ligjore, ai duhet të përfitoj vetëm personalisht 100% shërbim falas, 60% ulje çmimi për ilaçet në farmaci. Po kështu, duhet të përfitoj 100% shërbim falas në shërbimet e drejtësisë si gjykata, avokati, noteri, prokurori dhe në shumë shërbime të tjera publike e private.
“Karta e Studentit” është detyrim që nuk zbatohet, ja ligji
Pajisja e studentëve me “Kartë Studenti” është detyrim i sanksionuar ligjor, nëpërmjet të cilit, studentët kanë të drejtë të përfitojnë ulje çmimesh e shërbime falas në disa sektorë shërbimesh publike e private. Ja çfarë përcakton dhe sanksionon ligji në fuqi për Arsimin e Lartë, Nr. 9832, datë 12.11.2007, parashikuar në nenet 78 e 83, pika 1 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, në nenin 56 të të cilit ka 4 përcaktime për dhënien e “Kartës së Studentit”:

1. Studentët e institucioneve publike e private të Arsimit të Lartë në Shqipëri, pajisen me “Kartën e Studentit” e cila është dokument unik. Me anë të saj, studentët përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara.
2. Përfitimet e studentëve nga përdorimi i “Kartës së Studentit”, përballohen nga fondet e parashikuara në Buxhetin e Shtetit të ministrisë përkatëse, që mbulon institucionin e arsimit të lartë shqiptar.
3. Kategoritë e shërbimeve që ofrojnë entet shtetërore sipas kësaj karte, bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe me marrëveshje me organizma që kanë objekt të tyre interesat studentorë e me persona juridikë privatë që ofrojnë shërbime të ndryshme. Ky ligj, do ta niste zbatimin, në datën 3 janar 2008, por nuk po zbatohet as sot.
Tabela ligjore e përfitimeve prej“Kartës së Studentit”
1. Për të gjithë shërbimet shëndetësore publike: 100% (falas)
2. Për të gjithë shërbimet stomatologjike: 40% ulje
3. Për të gjithë mallrat e shërbimet private: 20% ulje
4. Për gjithë llojet e shërbimeve turistike: 30% ulje
5. Për të gjithë llojet e transportit rrugor: 30% ulje
6. Për shërbimet publike hekurudhore: 100% (falas)
7. Për shërbimet private farmaceutike: 60% ulje
8. Për të gjithë shërbimet zyrtare: 100% (falas)
9. Për të gjithë shërbimet spitalore private: 30% ulje
10. Për të gjithë shërbimet universitare: 100% (falas)
Ligji Nr. 80/2015 për Arsimin e Lartë-“Karta e Studentit” 
Neni 100 
1. Studentët e institucioneve publike e private të arsimit të lartë pajisen me kartën e studentit, e cila është dokument unik. Me anë të saj studentët përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara. 
2. Ministria përgjegjëse për çështjet e arsimit përcakton kriteret dhe procedurat për përgatitjen dhe lëshimin e kartës së studentit. 
3. Përfitimet e studentëve nga përdorimi i kartës së studentit përballohen nga fondet e parashikuara në Buxhetin e Shtetit të ministrisë përkatëse që mbulon institucionin e arsimit të lartë ose njësive të qeverisjes vendore që mbulojnë shërbimet e ofruara ndaj studentëve. 
4. Kategoritë e shërbimeve që ofrojnë entet shtetërore bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe me marrëveshje me organizma që kanë objekt të tyre interesat studentorë dhe me persona juridikë privatë që ofrojnë shërbime të ndryshme. 
Premtimet e bëra në 20 vite, për kushtet e studentëve
1. Ndërtimi 3 kampuseve të rinj universitarë modern në Tiranë, me kushte jetese, mësimi, çlodhjeje e argëtimi, sipas standardeve të vendeve më të zhvilluara të BE e të botës, me kapacitet për 60 mijë studentë.
2. Punësimi çdo vit në shërbimet publike të bashkive, agjencive të shërbimeve shtetërore dhe ministrive, i 2000 studentëve më të mirë të universiteteve publike e private të Tiranës.
3. Plan i ri urbanistik, për rikonstruksionin e godinave ekzistuese të studentëve, për të krijuar një mjedis komod e funksional, të pajisur me të gjithë infrastrukturën e nevojshme në qendrat studentore.
4. Gjatë pushimeve vjetore të studimeve, do të ketë angazhim me pagë minimale zyrtare (20 mijë lekë) në aktivitetin menaxhues të bashkive për të gjithë studentët që rezultojnë me përfundime të larta në mësime.
5. Çdo vit, nga qeveria do të jepet fondi 1 milionë euro, për trajtimin financiar gjatë praktikimit të stazhit profesional, të studentëve
6. Pagesë me 15 mijë lekë në muaj, për studentët që ofrojnë projekte zhvillimi sociale-ekonomike, urbanistike e kulturore nxitëse e të zbatueshme, për zhvillimin e bashkive të qyteteve nga ata vijnë..
7. Pagesë burse të plotë vjetore studimi e jetese, për studentët pjesëtarë të familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike 
8. Hapja e 50 qendrave me internet falas “non stop” në qytetin e Tiranës, me shpenzime të financuara nga qeveria në bashkëveprim me Bashkinë e Tiranës dhe Ministrinë e Arsimit.
9. Hapja e 50 bibliotekave dhe e 30 qendrave rinore në Tiranë, për kulturimin dhe argëtimin e studentëve të kryeqytetit.
10. Brenda muajit tetor të vitit 2000, pajisja e gjithë studentëve të Tiranës me “Kartë Studenti”, dokument ligjor që përcakton përfitimet financiare në 30 shërbime publike e private, si ndihmë për studentët.
Sigal