Prej vitesh KEMP është kthyer në korporatë biznesi

668
Prej vitesh KEMPI është kthyer në qendër biznesi, në komision pazaresh ku nuk mungojnë tu merren para edhe fakirëve, edhe atyre që janë me probleme shëndeti, dhe shpesh favorizohen parazitët. Burime tepër të sigurta nga ky komision famëkeq, që quhet nga qytetarët KEMPI në Elbasan i thanë “Telegraf” se “nuk ka rast ku të mos bëhen pazare me raportet, marrin “OK” ata që japin para dhe refuzohen hallexhinjtë, një korrupsion që nuk ndalet edhe pse në 2-3 vitet e fundit janë denoncuar dhe janë edhe sot nën hetim disa mjekë të cilët ishin të akuzuar dhe po kërkojnë rikthimin në “vendin e punës” në KEMP”. Por edhe sipas burimeve nga organi akuzës “mjekët që prej dy vitesh akuzohen se kanë marrë para nga disa qytetarë në këmbim të “marrjes së statusit të të paaftit për punë” dhe për “kujdestari për persona të paaftë nga pikëpamja shëndetësore”, akuzohen edhe për raste të tjera, por ata akoma nuk janë dërguar në gjykatë sepse po mbahen gjoja “nën përgjim”. 

Thuhet se gjithçka është mbyllur falë ndërhyrjes nga një deputet. Prokurorët gjithsesi kanë nisur një hetim të ri lidhur me denoncimet, dhe janë në fazën e verifikimeve për mjekët dhe lidhjet e tyre të hershme me persona të tjerë, sekserë dhe familjarë të tyre. Korrupsioni që kryhet prej vitesh në administratat shtetërore tashmë njihet nga të gjithë, ku pjesa më e madhe e qytetarëve janë përballur herë pas here me kushtet e forta (gjobat) në këmbim të shërbimeve që këta të fundit e kanë për detyrë të japin. Një rast i tillë, është arritur të denoncohet në Prokurorinë e Elbasanit, madje sipas burimeve “mjekët edhe janë filmuar duke marrë paratë dy hallexhinj me probleme shëndeti, të cilët kishin bërë kërkesë për përfitimin e pensionit të invaliditetit, kujdestarisë dhe paaftësisë për punë”. Bazuar në këto denoncime Prokuroria është gati të formulojë akuzën për “korrupsion pasiv” dhe “shpërdorim detyre” ndaj mjekëve, aktualisht anëtarë të KMCAP-it. Bëhet fjalë për disa raste të ndodhura në muajt e fundit, dhe ku qytetarët denoncues kishin muaj që rropateshin, duke kërkuar më pas sekserin që e kishte “zyrën” në Turizmin “Skampa”, nga ku merrte përsipër mbarimin e problemit. Qytetarët e Elbasanit dhe fshatrave që kanë punë me këtë komision, shprehen se “ata mblidhen njëherë në javë, ka raste edhe dy here, por ne zëmë radhën qysh në 05. 00 të mëngjesit, dhe kur vjen orari, na thuhet se keni mangësi të dokumentacionit, dhe gjëra të tjera, dhe e gjithë kjo për të zhvatur para nga ne”. Me dhjetëra qytetarë presin çdo ditë para zyrës së KEMPIT në Elbasan për të nxjerrë para komisionit familjarët e tyre me probleme të ndryshme shëndetësore. Presin më orë dhe ditë, lodhen, sfiliten, tallen dhe denigrohen, dhe në fund edhe pse kanë të drejtë paguajnë nën dorë. 

Një grua u shpreh se “vjehrra ime ka humbur shikimin, dhe kemi 3-4 muaj që na thonë, shkoni në Tiranë, bëni vizita këtu dhe atje, merrni këtë dokument apo atë dokument, sepse duan lekë, po nuk morën lekë nuk ke shansin të mbarosh punë kudo, dhe vetëm këtu”. Në tre vitet e fundit, anëtarët e KEMPIT në Elbasan janë ndërruar pothuajse çdo 6 muaj, por rrotacionin duket se bëjnë vetë mjekët e implikuar në afera të tilla korruptive. Elbasani mbetet qyteti me një numër të madh personash me probleme shëndeti, dhe që kanë kërkuar raport invaliditeti. Vetëm për periudhën janar-qershor 2016, kanë kërkuar raport invaliditeti mbi 416 persona, afro 2 herë më shumë se vitin e kaluar. Dëmtimet fizike në punë, kryesisht në ish-uzinat e Kombinatit Metalurgjik, KURUM, FERRO-Crom, dhe ato të lindura apo të fituara gjatë jetës dhe ndotja e madhe, përbëjnë shkakun kryesor të kërkesave në rritje, të cilat duket se nuk shihen me objektivitet, por si raste ku mund të nxirren para edhe nga ata që me 8600 lekët kalojnë muajin, duke mos patur asnjë të ardhur tjetër. 

Sigal

Maksim TUFA