Prej gjashtë ditësh në makinë, banorët e Mamurrasit kanë një apel për Ramën

622
Sigal

Banorët e pallateve të dëmtuara në Mamurras kanë shndërruar makinat në shtëpi, pas tërmetit të 26 nëntorit. Ata thonë se kanë frikë të futen në shtëpi pa u certifikuar nga ekspertët nëse përbëjnë rrezik.

Makinat janë bërë strehë prej ditësh e banorëve të 5 pallateve në qytetin e Mamurrasit të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Kam fut edhe komshinjtë në makinën time, i kam strehuar. Kam ngritur dhe një çadër këtu sepse askush nuk po vjen me vu dorë. I bëj thirrje Edi Ramës, të lutem shumë vë dorë në këtë popull.”

Banorët thonë se i kalojnë netët aty pasi askush deri tani nuk u ka shkuar për tu thënë nëse mund të qëndrojnë brenda banesave.

“Zgjidhja jonë është të vinë ekspertë nga Tirana, nuk i dua fare këta të Laçit se ata ishin dhe nuk na dhanë zgjidhje.”

“Kanë thënë se do të vinë ekspertë të shohin dëmtimin, e ka tulla, e ka themeli? Pallati duket që është i amortizuar.”

Edhe para tërmetit banorët thonë se kanë pasur jetë të vështirë, ndaj tashmë kërkojnë ndihmë për të kapërcyer këtë sfidë të re.

“Kush të jetë, me opozitë, kryetar këshilli, bashkie, kryeministri, të vinë dhe tu jap çelësin të rrinë një natë brenda me kalamajtë e vet dhe unë kam për shkuar për të ndenjur gjithë jetën në atë hyrje ku do të më lënë ata.”

Pallatet e dëmtuara në Mamurras janë ndërtuar kryesisht para viteve ’90 dhe siç tregojnë pamjet kanë pësuar dëmtime të dukshme, por për rrezikshmërinë e tyre pritet fjala e ekspertëve./ Ora News