Prefektura e Beratit i mbyll zyrën Shoqatës së Invalidëve

589
Sigal

Kryetari i shoqatës, Bardhyl Heskiu kërkon rihapjen e saj dhe shpjegon konfliktin e hershëm me këtë institucion  

Prej disa vitesh midis Shoqatës së Invalidëve në Berat dhe Prefekturës ka patur mosmarrëveshje për një zyrë që ndodhet në katin e parë të Prefekturës. Edhe pse kaluan vite asnjëherë nuk u gjet një zgjidhje midis drejtuesve të shoqatës dhe atyre të Prefekturës. Zyrën që kryente aktivitetin Shoqata e Invalidëve e kishte dhënë qarku që para 20 vitesh, kohë kur edhe u krijua kjo shoqatë. Por me ndryshimet e herë pas hershme të kryetarëve të këtij institucioni kanë nisur edhe problemet, se zyra duhet liruar. Lajmin e bënë të ditur për “Telegraf”, kryetari i kësaj shoqate Bardhyl Heskiu, i cili bën të ditur se zyra e tyre është bllokuar nga Prefektura dhe i është dhënë si shtesë Zyrës së Gjendjes Civile. Vendimi merret në një kohë që shoqata kishte 20 vjet që ishte vendosur në ato ambiente. “Kjo masë ka bërë që aktiviteti i shoqatës të ndërpritet, pasi nuk është mundësia për të vazhduar më tej. Janë 350 invalidë që kërkojnë ndihma të ndryshme nga shoqata, por ne nuk jemi në gjendje që të vazhdojmë më aktivitetin se nuk kemi ambiente”, tha Heskiu. Sipas kryetarit të shoqatës bëhet e ditur se ai, personalisht disa herë ka bërë takime me drejtuesit e saj për ta zgjidhur këtë problem, por nuk është arritur në asnjë marrëveshje. Me mbylljen e kësaj zyre mbyllet edhe aktiviteti i saj, sepse tanimë invalidët nuk kanë se ku të mblidhen. “Të gjithë na japin të drejtë nëpër zyrat e ndryshme kur trokasim, por mirësia e tyre mbaron sapo na përcjellin te dera. Askush nuk po na ndihmon”, u shpreh Heskiu.

Kërkesa

“Ne jemi fatkeq, por me fatkeq po na bëjnë drejtuesit e pushtetit vendorë që nuk po na ndihmojnë, por përkundrazi po na shkatërrojnë si moralisht ashtu edhe në shumë drejtime të tjera. Ne kemi problemet tona dhe si të tillë kërkojmë ndihmë dhe jo shkatërrime. Ne si shoqatë jemi krijuar që në fillimet e demokracisë dhe jemi e vetmja shoqatë më dokumente përkatëse dhe me vendim të gjykatës, çka tregon se aktiviteti ynë ka qenë brenda ligjit dhe si të tillë ne nuk duhet të na bllokohet zyra jonë që e kemi me dokumentet përkatëse. Kjo zyrë na është dhënë vite më parë. Është e jona. Nuk është mirë që ne të futemi në grevë urie për të zgjidhur problemin e një zyrë me gjerësi tre metra dhe gjatësi dy metra, sepse do të ishte absurde, si për pushtetin ashtu dhe për ne si shoqatë”, u shpreh Heskiu.