Prefekti i Korçës: Vendosni Flamurin Kombëtar!

502
Sigal

Menjëherë pas publikimit të artikullit në gazetën “Telgraf” se institucionet shtetërore të qytetit të Korçës nuk kishin simbolin kombëtar të flamurit, Prefekti i këtij qarku nxori një vendim për vendosjen e flamurit kuqezi në të gjithë administratën korçare. Të gjitha institucionet publike që operojnë në qytetin e Korçës dhe që u gjetën pa flamurin kombëtar kanë vetëm 5 ditë afat për vendosjen e tij. Afati i përcaktuar u bë i ditur nga vetë prefekti i Qarkut Korçë, Dhori Spirollari, i cili doli me këtë vendim pas një inspektimi të kryer në të gjitha institucionet publike të qytetit e Korçës. Nga inspektimi i kryer rezultoi se në një pjesë të institucioneve flamuri kombëtar mungonte, ndërsa në disa të tjera flamuri nuk përmbushte standardet e kërkuar nga ligjit, si përmasat, forma dhe ngjyrat. Edhe këto lloj flamujsh do të hiqen dhe në vend të tyre do të vendosen flamujt që plotësojnë të gjitha kërkesat e ligjit. Edhe mbajtja e një flamuri jashtë kërkesave të ligjit, është shkelje e ligjit.

 

Flamuri sipas kërkesave të ligjit

Prefekti i Qarkut Korçë, Dhori Spirollari u kërkoi institucioneve publike vendosjen e flamurit kombëtar në hyrje të godinës së institucionit, në vendin më të dukshëm të tij, dhe duke respektuar të gjitha kërkesat e ligjit, i cili e ka gjithçka të detajuar . 1. “Flamuri kombëtar paraqet një fushë me ngjyrë të kuqe gjaku, me një shqiponjë të zezë dykrenore në mes, me krahë të hapur anash. Secili nga krahët e shqiponjës ka nëntë pendë, ndërsa bishti ka shtatë pendë. 2. Përmasat e flamurit kombëtar përcaktohen në raportin 1 me 1,4 njësi. 3. Pamja e flamurit kombëtar, fortësia e ngjyrave të tij dhe raportet janë ato të përcaktuara në shtojcën nr.1, që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij. Për këtë arsye, prefekti i Korçës, Spirollari, u kërkoi edhe institucioneve që e kishin flamurin, por jo sipas përmasave të duhura, t’i hiqnin dhe të vendosin brenda afatit 5 ditor flamurin kombëtar të miratuar me ligj

 

Flamuri të vendoset edhe në mjediset e brendshme

Gjithashtu, prefekti Spirollari u kërkoj institucioneve, që flamuri kombëtar të vendoset edhe në mjediset e brendshme, gjithnjë sipas kërkesave ligjore, tha ai, ku shprehimisht, thuhet: “Të gjitha institucionet publike detyrohen të vendosin flamurin kombëtar në mjediset e tyre të brendshme dhe të jashtme. Në këto institucione ndalohet ngritja ose vendosja e flamurëve të huaj, me përjashtim të rasteve të pritjeve ose të ceremonive protokollare dhe të solemniteteve të tjera, të parashikuara në ligj, por gjithmonë të shoqëruara nga flamuri kombëtar. Në këtë rast flamuri kombëtar nuk mund të jetë në përmasa më të vogla se flamurët e tjerë”. Edhe pse në deklarimet e tij, prefekti Spirollari ishte konciz, theksoi me forcë zbatimin e ligjit në të gjitha rastet. Në krye të 5 ditëve nga ana e prefektit do të këtë sërish një inspektim të dytë për të parë realizimin e afatit të përcaktuar, në të kundërt do të merren masa për çdo institucion. Megjithatë prefekti vuri në dukje faktin se “reagimi i institucioneve ishte i menjëhershëm dhe pozitiv. Mungesa e flamujve kishte qenë neglizhencë, por gjithsesi e patolerueshme sepse ishte shkelje e ligjit”.

 

Institucionet pa flamur kombëtar

Me këtë rast kujtojmë se pa flamur kombëtar u gjetën këto institucione: Bashkia e Korçës, Ndërmarrja e Shërbimeve Publike, Drejtoria Rajonale e Tatim Taksave, Zyra Rajonale e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Qendra Rinore, Muzeu Arkeologjik, Institucioni i Shërbimit Stomatologjik, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, Drejtoria Rajonale e Formimit Profesional, Fakulteti i Infermierisë, shkolla “Naum Veqilharxhi” etj. Pa flamur u gjetën edhe godina e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, ndërsa në gjysmë shtizë, u gjet te Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit, ndaj pas inspektimit të kryer nga ana e Prefekturës, nuk do të lejohen as flamujt me ngjyra të dalë boje apo më shtiza të thyera. “Gjithçka do të jetë sipas kërkesave të ligjit”, këmbënguli prefekti i qarkut Korçë, Dhori Spirollari.

Shpresohet që Korça të marrë një pamje tjetër, pasi institucionet gjenden në çdo pëllëmbë të qytetit.