Prefekti Alizoti: “Alarm! Ndërtimet pa leje, po degradojnë urbanistikën”

1386
Sigal

DURRËS/ Ndërtime po bëhen në zonën turistike, shtesa katesh nëpër pallate, nëpër lulishte dhe rrugë nacionale

Ndërtimet pa leje janë shtuar dukshëm muajt e fundit në të gjithë qytetin bregdetar jo vetëm në periferi, por edhe në qendër të qytetit, madje edhe në plazh, pavarësisht se prej një viti KRRT e bashkisë është shkrirë dhe nuk ka asnjë leje ndërtimi të miratuar.

Situata

Bëhet fjalë për zonat kodrinore të qytetit, të cilat në prag të sezonit të shirave problem madhor kanë rrëshqitjet masive të dherave dhe nisin nga Kodër Vila deri në Porto- Romano. Ndërtimet pa leje vijojnë të bëhen me intensitet të lartë. Kësaj situate i shtohen edhe ndërtimet pa leje, në zonat më të rrezikuara siç është një prej ndërtimeve të bëra muajt e fundit në pikën më lartë të Kodër Vilës. Në këtë situatë Agjencia e Legalizimit ka pezulluar legalizimin e të gjitha objekteve të ndërtuara, nga Kodër Vila deri në Porto Romano, por pavarësisht kësaj situate ndërtimet pa leje në të gjithë zonën kodrinore vazhdojnë me ritme shumë të larta. Ndërtime po bëhen në zonën turistike, por edhe shtesa katesh e pallatesh të ndryshme, madje janë zënë lulishtet e qytetit dhe rrugët nacionale nga ndërtimet pa leje. Në këtë situatë asnjë prej inspektorateve nuk ka ndërhyrë as Inspektorati Kombëtar dhe as i bashkisë së qytetit.

Prefektura

Prefekti i Durrësit Genci Alizoti thotë se ndërtimet pa leje e veçanërisht në zonën turistike kanë pasoja të rënda mbi të gjithë zonën. Janë mbi 150 ndërtime pa leje të evidentuara në zona të ndryshme madje një pjesë e tyre janë me konflikte, sepse ndërtimet bëhen në toka ish- pronarësh. Kanë mbërritur në Prefekturë mbi 150 ankesa, për të cilat i është drejtuar shkresë zyrtare bashkisë dhe Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik, por asnjë nuk e ka vënë ujin në zjarr. Në një kërkesë të para pak ditëve Prefektura i ka kërkuar bashkisë të ndërhyjë në mënyrë urgjente për të prishur ndërtimet pa leje që po kryhen në zonën e Kodër Vilës , por edhe në vijim në kodrat që përfundojnë deri në Porto Romano. “I kam kërkuar bashkisë të ndërhyjë menjëherë sepse në Porto- Romano, 6 shtëpi janë fundosur dhe 60 të tjera janë në rrezik fundosjeje për shkak të erozionit. Banorëve nuk do tu legalizohen këto banesa pa leje ndërtimi, por nuk do tu njihet asnjë shpenzim nga shteti sepse janë ndërtuar pa leje. Bashkia duhet të ndërhyjë nëse nuk do që ne si pushtet lokal të gjendemi përpara një fatkeqësie shumë të madhe natyrore me pasoja të rënda në njerëz”, tha prefekti, Genci Alizoti, i pyetur nga “Telegraf”.

Kryebashkiaku Dako shpjegon situatën

Në anën tjetër kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako deklaron se është Inspektorati Kombëtar Urbanistik, ai i cili duhet të bllokojë dhe të prishë ndërtimet pa leje në këto zona. “Problemi është se pronat kanë shkuar tek ish- pronarët dhe ndërtimet pa leje në këto zona duhet t’i ndalojë, t’i bllokojë dhe t’i prishë Inspektorati Kombëtar Urbanistik. Prefektura duhet të raportojë situatën në këtë institucion sepse Bashkia e Durrësit nuk ka mjete për të prishur këto ndërtime”, tha Dako i pyetur nga “Telegraf”.