Prefektët, sfidë për komunitetin e ushtarakëve

677
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Ushtaraku, të jetë gati kur ta thërresë atdheu
Është koha kur duhen vendosur njëherë e mirë themelet e godinës së shtetit shqiptar dhe këtë e keni në dorë ju prefekt të rinj, të dalë nga komuniteti i ushtarakëve të përgatitur e që duhet të bëni shumë mirë
Para ca ditësh Kryeministri Rama, bëri emërimin e Zenel Kuçana, Nexhbedin Shehu, Çesk Millja, Gjergj Prendi, Roland Nasto, Maksim Malaj, Bakim Bala, Harilla Dafa, Dhori Spirollari, Flamur Mama, Astrit Aliaj, Suzana Jahollari, si prefektë të vendit nga radhët e ushtarakëve. Ishte kjo një zgjidhje mjaft e mirë dhe e luajtur me kujdes prej Tij, por dhe e mirëpritur nga komuniteti i ushtarakëve e më gjerë. Përvoja dhe kontributi i tyre në Forcat e Armatosura ishte i dukshëm dhe tepër bashkëpunues. Ju tashmë e keni marrë këtë përgjegjësi mbi krye e këtë duhet ta justifikojnë para shtetit, komunitetit të ushtarakëve dhe para vendit. Në mësimin nga historia nuk duhet të ketë ndonjë analizë të instancës që të ketë dalë në përfundimin se ç’gjë e bën një prefekt që të jetë i mirë apo i keq. Që në fillim duhet thënë se, për sqarimin e kësaj çështjeje, mund të themi se mësimi i historisë nga studimi i atributeve dhe cilësive të ushtarakut të së shkuarës dhe të së ardhmes duhet të jetë një punë e dobishme. Historianët përmendin zakonisht “karakterin” si elementin më thelbësor të një drejtuesi të shquar në çdo lloj fushe, dhe kjo bëhet tepër e qartë kur është fjala për drejtues të ardhur nga radhët e ushtarakëve. Kur zbërthejmë në thelb “karakterin” mësojmë se atë e përcakton një tërësi cilësish, si kompleksi i karakteristikave intelektuale e morale të mishëruara te secili individ, së bashku me tiparet etike, zakonore që e dallojnë nga të tjerët. Nga studimi i literaturës historike, nga njohja e mjaft vendeve ku janë zhvilluar beteja të mëdha, si edhe nga vëzhgimi i tipareve të shumë ushtarakëve drejtues, të mirë apo të këqij, që kanë komanduar në kohëra, mësojmë të dallojmë disa karakteristika dalluese që e bëjnë një ushtarak të konsiderohet i mirë dhe i zoti. Gjëja më e rëndësishme që kryen ushtaraku është përgatitja e vetvetes. Ai duhet të jetë gati kur ta thërresë atdheu, në të cilën nga vendimet dhe nga aftësia e tij për t’i zbatuar ato, varen fatet e interesave kombëtare, siguria, mbrojtja dhe qeverisja e mirë e komunitetit.

Marrja e përgjegjësisë
Karakteristika më thelbësore e ushtarakut fillon me forcën e intelektit, prej së cilës burojnë elementet e kompetencës në marrjen e vendimeve dhe në zbatimin e tyre, të intuitës dhe të vullnetit. Krahas forcës së intelektit, ushtarakët e mirë shquhen edhe për energji. Kjo i bën ata të njohur. Gjëja më e mirë e tyre është zotësia e pazakontë e për të qenë në pikën më kritike në çastin e duhur. Altruizmi është një tjetër cilësi thelbësore që e shquan një ushtarak, krahas kurajës morale dhe fizike që burojnë nga vetëmohimi, vetëflijimi. Një ushtarak nuk do të vlente, po të mos kishte humanizëm, që e bën të ndjeshëm ndaj trupave (njerëzve) e që krijon lidhjen me ata, me vartësit që iu binden urdhrave të tyre, që është më kryesorja në nxitjen e shpirtit të sakrificës, e që të shpie në rrugën e suksesit. Gjenerali amerikan Ulisses S. Grant shfaqte një disiplinë të atillë mendore sa t’i transmetonte me shkrim Bredlit një urdhër luftimi, ku sqarohej qëllimi i tij komandues, i cili paraqiste me ekzaktësi se për ç’arsye ai ia kishte nevojën atij që të ndërhynte me sukses ato çaste në fushën e betejës… I shkruar me nxitim dhe nën stresin më të madh, ky urdhër fragmentar tregon qartësi dhe disiplinë mendore. Po sot ushtarakët tanë i shfaqin këto cilësi, të shkruajnë dhe të veprojnë në bazë të ligjeve të shtetit. Këtu fillon dhe marrja e përgjegjësisë, por edhe e dorëheqjes si një akt demokratik dhe përgjegjësie qytetare e ushtarake. Omar Bredli (Bradley), një gjeneral i njohur më shumë për cilësitë e tij njerëzore dhe ashpërsinë në kryerjen e detyrës, sesa për shkëlqimin e zotësive të e tij, ka shfaqur një sjellje të admirueshme për vartësit e tij. Në korrik të vitit 1944, armata e tij u bllokua midis plazheve dhe terrenit të thyer kodrinor plot pemë e shkurre të Bretanjës në rajonin e Normandisë. Ai kërkoi që t’i sillnin një hartë të madhe me tërë detajet e terrenit në të cilin vepronin njësitë e tij. Pastaj ai i urdhëroi vartësit e tij që ta studionin hartën, të vlerësonin mundësitë, avantazhet e disavantzhet e terrenit, dhe të përpunonin kështu një koncept të ri operacional. Ndikimi mbi gjendjen dhe me praninë atje, mbetet deri në ditët tona një prej aspekteve vendimtare të të qenit ushtarak. Të jesh i gatshëm e i pranishëm në vendin ku priten të ndodhin ngjarjet, kërkon qëndrueshmëri dhe përpjekje të mëdha. Këtë gjë na kërkon detyra, atdheu dhe nderi për të cilin të gjithë ushtarakët jemi betuar.

Me shembullin e praninë tuaj, drejt taktikave më të përshtatshme
Gjenerali Rixhuej e zhvendosi shtabin e tij më në veri, pranë rajoneve të luftimit, si dhe vizitoi të gjithë komandantët e korpuseve e të divizioneve. Me shembullin e praninë e tij, ai kërkoi që të përdorej një taktikë më e përshtatshme. Ai i shkeli me këmbë, së bashku me komandantët e korpuseve e të divizioneve, fushat e betejave, duke i mësuar vartësit sesi duhet të luftonin, duke nxitur te ta besimin në forcat e tyre, duke evidentuar edhe se cilët komandues nuk ishin më në gjendje për luftimin mësymës. Ai i përmirësoi procedurat e furnizimit me logjistikë, duke u siguruar ushqim të ngrohtë trupave. Kërkoi gjithashtu që të mbaheshin standardet e njohura, dhe mbi bazën e njohurive personale të fituara nga vizitat nëpër njësitë ushtarake, shmangu nga drejtimi komanduesit e dobët e të shteruar nga energjitë e besimi. Në analizë të fundit, në rast se një urdhër është i paligjshëm, është neglizhues apo është totalisht në dëm të suksesit që kërkojmë të arrijmë, secili ka të drejtë ta kundërshtojë atë, duke kërkuar për këtë edhe ndihmë. E kemi nxjerrë këtë mësimi ndonjëherë qoftë edhe nga ngjarjet që ndodhën në ushtri në vitin 1997. Ju nuk keni pse të jeni kurdoherë plotësisht dakord me ministrin apo kryeministrin për ta mbështetur atë. Në kohë paqeje, në kulmin e stuhive të debateve e të ngjarjeve kombëtare, kur merren vendimet mbi politikat dhe burimet e sociale, kur duhen marrë vendime që kanë të bëjnë me fatet e komunitetit, presioni mbi prefektët bëhet tepër i madh. Vetëm ata që e kanë stërvitur veten për të mos marrë parasysh asnjë ngurim e egoizëm, janë në gjendje të përballen me sukses me dilemat, abstraksionet, me pasiguritë, duke mposhtur stresin, duke vënë në lëvizje intelektin e vet për të formuluar e marrë vendimet më të drejta të mundshme apo për të dhënë këshillën më të vlefshme. Vetëm ata që gjejnë fuqi për të lënë mënjanë egoizmin dhe interesin e ngushtë personal për t’u përballur me rrezikun e humbjes së reputacionit është në gjendje të bëjnë në këto raste atë që është e drejtë.

Rrezatoni mirësi dhe ngjallni besim te njerëzit
Prefektët e rinj të sapo emëruar nga Kryeministri Rama, duhet të mbajnë mbi supe përvoja e përgjegjësi, të mëdha, por dhe nga ana tjetër ata të rrezatojnë mirësi e ngjallin besim te njerëzit, te civilët dhe te komuniteti. Me punën tuaj ju duhet ta vini theksin te domosdoshmëria e respektimit të standardeve, dhe këtë gjë ju e kini bërë duke treguar respekt për njerëzit. Është koha kur duhen vendosur njëherë e mirë themelet e godinës së shtetit shqiptar dhe këtë e keni në dorë ju prefekt të rinj, të dalë nga komuniteti i ushtarakëve të përgatitur e që duhet të bëni shumë mirë. Ju ju takon të vini themelet e standardeve të reja të shtëpisë së përbashkët që është Atdheu, e që Atdheu të thotë ja këta janë prefektët e ardhur nga radhët e FA. Ju si ish ushtarakë do të respektoheni prej ushtarëve e oficerëve, sepse jeni ndodhur kurdoherë në vendin e duhur në kohën e duhur, dhe kanë një personalitet shumë të pushtetshëm te të gjithë. Xhorxh Patoni i shkruante të birit se që të jesh një ushtarak i mirë duhet të studiosh historinë. Ta lexosh atë me objektivitet… Ajo që duhesh të dish është sesi reagon njeriu. Armët ndryshojnë me kalimin e kohës, ndërsa njerëzit që i përdorin ato nuk ndryshojnë aspak. Ndoshta tashmë ka ardhur koha që ish ushtarakët të thonë fjalën e tyre me kompetencë e profesionalizëm për çështje të drejtimit në detyra civile e të rëndësishme të vendit. Së fundi, po ju jap një këshillë thjesht shoqërore e në profesionin e pedagogut të historisë ushtarake në Akademi. Duke e pranuar teorikisht se secili i ka mundësitë për t’i ngritur më lart forcën dhe aftësitë e tij intelektuale, të siguroni në çdo moment energjitë e nevojshme për zbatimin e detyrave të ngarkuara, të siguroni kontrollin e vetvetes dhe të zhvilloni te personaliteti natyrën e dhembshurinë njerëzore etj. Ushtarakët zgjidhen që të kryejnë detyrat e një prefekti për faktin se ata kanë dhënë prova, se i gëzojnë në një farë shkalle te personaliteti i tyre këto cilësi që kam përshkruar në këtë shkrim. Mos harroni se çfarë ju shtyu juve të futeni në këtë valle, mos u përpiqni të ndryshoni rregullat e saj, por ngulmoni ta hidhni sa më mirë vallen. Më në fund, ndërsa jeni duke kryer detyrat tuaja në kushte specifike e tensioni dhe kur ne punojmë në ushtri, mbani mend, gjithë kënaqësia buron nga fakti se ju jeni të përfshirë në të, në detyrën që po kryeni, dhe jo te fakti se po afrohet momenti për t’i dhënë fund kësaj karriere.
Sigal