Pranvera Begolli: Kombinatit të sheqerit Malit i hiqet dënimi me “vdekje”

776
Sigal

Kapaciteti përpunues 3 herë më i lartë nga ai i monizmit. Punësohen mbi 20 mijë specialistë, punonjës dhe prodhues panxhari

KORÇË- Lajmi u përhap me një shpejtësi pothuajse të pabesueshme. Kishte qenë korrik dhe të gjitha ditët përcilleshin nga një zagushi e bezdisshme. Për njerëzit e papunë ditët ishin bërë edhe më të lodhshme nga sa më parë, por duket se lajmi po sillte një lloj freskie. Në fund të ditës ai kishte mundur të trokiste në të gjitha dyert e banorëve të Maliqit: “Do të ngrihet kombinati i prodhimit të sheqerit!”- ky ishte lajmi. “Vetëm specialistë dhe punonjës do të punësohen 300 veta, kurse për kultivimin e panxharit të sheqerit, për fushat e grumbullimit, për procesin e dekantimit etj, do të punësohen 20 mijë të tjerë”. Lajmi nuk përfundonte këtu: kombinati do të vinte në funksionim edhe disa fabrika të tjera, madje do të kishte edhe një linjë të re për prodhimin e karameleve dhe çokollatave. Mundësia e punësimit  nuk do të ishte më një ëndërr. Do të punësoheshin vajza dhe djem, gra dhe burra. “Ufff, më në fund ndriti fati edhe për ne”,-  ky ishte çlirimi më i natyrshëm, me të cilën njerëzit përpiqen ta shprehin ashtu siç u vjen, kur për marrjen e një lajmi të mirë u është dashur të presin gjatë. Të gjitha këto na i tregon drejtoresha e Kombinatit të Maliqit, Pranvera Begolli.

Mosbesimi

“Megjithatë, vijon drejtoresha Pranvera Begolli, banorët e Maliqit edhe e besonin, edhe nuk e besonin dot lajmin që kishte nisur të përhapej me shpejtësi. Ata e konsiderojnë kombinatin e sheqerit si diçka të vdekur, që nuk mund të ringjallej më kurrsesi. Urdhri për “ekzekutimi me vdekje” u dha në vitin 1996. Punonjësit nuk e harruan kurrë atë ditë. Zhgënjimi ishte i madh. Brenda shpirtit të tyre u thye shpresa. Qyteti mbeti pa buzëqeshje. Të paktën kështu i mendoj unë ato ditë që trishtuan gjithë qytetin e Maliqit. Kombinati e nisi punën me 700 punëtorë, pastaj ata u bënë 1.200, dhe më vonë 2.400. Në fund të viteve të tij, kombinati kishte të punësuar 4.000 veta. Prodhoheshin 200 ton sheqer. Por që nga ajo ditë, (viti 1996), që të gjithë u kthyen duarbosh në shtëpi. Një ushtri e tërë njerëzish mbeti e papunë. Ndaj në ato ditë korriku të vitit të shkuar, të mbushura me zagushi, që të gjithë nisën të na pyesnin: A është e mundur ringritja e kombinatit të sheqerit? Kush do të jenë investitorët? A ka interes prodhimi i sheqerit në Maliq? Mos vallë kostoja e prodhimit rezulton e lartë? Për të gjitha pyetjet, banorët e Maliqit, por edhe banorët e fushës, që do të merreshin me prodhimin e panxharit të sheqerit kërkonin të kishin përgjigje. Vetëm atëherë mund të nisnin të mendonin seriozisht për ndryshimin e ekonomisë së tyre, kultivimin dhe tregtimin e panxharit”

Projekti  

“Sigurisht, na thotë Pranvera Begolli, më ndodhte shpesh që t’u shpjegoja gjithçka që ata dëshironin të dinin. Sot gjithkush prej banorëve të këtij qyteti e di që tashmë ekziston një projektvendim për ngritjen e një kombinati për prodhimin e sheqerit. Gjithçka do të ngrihet nga e para. Megjithatë, lajmi u bë i vërtetë kur banorët panë investitorët të hynin në ish-kombinatin e sheqerit. Nuk mbeti njeri pa e marrë vësh se financuese e këtij projekti madhor do të jetë Banka Polake për Zhvillim. Gjithashtu do të investohet edhe nga biznesmenë shqiptarë. Dy prej tyre, Besnik Nuredini dhe Shpëtim Lame janë nga Tirana. Financuesit paraqitën pranë Drejtorisë së ish-kombinatit plan-biznesin dhe studimin e fizibilitetit. Financuesit e projektit dukeshin të sigurt në atë që do të realizonin. Atë ditë u mësua fakti se vetëm specialistë dhe punonjës do të punësohen 300 veta, kurse për kultivimin e panxharit të sheqerit, për fushat e grumbullimit, për procesin e dekantimit etj, do të punësohen 20 mijë të tjerë. Edhe djemtë e vajzat e shkollave dëshironin të dinin nëse do të kishte edhe ndonjë mundësi punësimi edhe për ta. Lajmi që morën ishte i mirë. Nga ana e investitorëve është menduar të hapet edhe një shkollë elektromekanike për përgatitjen e punonjësve të kualifikuar të kombinatit. “Kushtet për punonjësit do të jenë bashkëkohore”, pohuan përfaqësuesit e Bankës Polake për Zhvillim, ekipi i të cilëve përbëhej nga arkitektë, zbatues projektesh, financierë etj”.

Investimi, 70 milionë euro

“Megjithatë, banorët e Maliqit, por dhe ata të fushës dëshironin të dinin edhe diçka më shumë, vijon të na tregojë Pranvera Begolli. Pyetjet e tyre kësaj radhe ishin: A do të ringrihen të gjitha linjat e prodhimit që funksiononin në kohën e monizmit? Përveç fabrikës së sheqerit, e cila u ndërtua në vitin 1951 dhe që pushoi së qeni pas 45 vjetësh, më 1996,  a do të punonte si dikur edhe fabrika e majasë së bukës? A do të vihej në punë fabrika e alkoolit dhe niseshtesë? Po fabrika e tharjes së bërsive? Dëshironin t’i dinin të gjitha këto, sepse vetëm atëherë do të ishte i mundur punësimi për 20 mijë njerëz, dhe kjo do të thoshte për ta, punësim për të gjithë. Sigurisht që përgjigjja ishte shpresëdhënëse. Vlera e investimit shkon në 70 milionë euro. Kombinati i prodhimit të sheqerit do të shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 70 mijë. Do të marrë në pronësi jo vetëm sipërfaqen e ish-kombinatit, por edhe atë të fabrikës së pasurimit të qymyrit. Gjithashtu do të ringrihet edhe fabrika e bërsive, edhe fabrika e alkoolit, por edhe fabrika e majasë. Do të ketë gjithashtu edhe një linjë shtesë për prodhimin e karameleve dhe çokollatave”.

60 mijë kv në 24 orë

“Edhe për banorët e fushës, shpjegon Pranvera Begolli, ringritja e kombinatit të sheqerit ishte një lajm i shumëpritur. Dikur kombinati i sheqerit, përpunonte 22 mijë kv panxhar në 24 orë. Një pjesë e madhe e fushës kultivonte panxharin e sheqerit. Tregtimi i saj, në atë kohë, ishte i sigurt, as që mund të ndodhte ndryshe, por a do të jetë e sigurt shitja e panxharit edhe në kushtet e sotme të ekonomisë së tregut? Deri më sot, patatja e prodhuar prej banorëve të fushës, qepa dhe prodhimet e tjera, pa harruar mollën po mbeten stok në depot e tyre dhe po kalben sepse nuk gjejnë dot treg dhe, sepse konkurrohen nga importet me çmime më të ulëta”. Sipas Pranvera Begollit, kjo gjë nuk ka për të ndodhur me kultivuesit e panxharit të sheqerit. “Nëse dikur kombinati përpunonte 22 mijë kv panxhar në 24 orë, kombinati i ri i sheqerit do të përpunojë 60 mijë kv panxhar në 24 orë, pra tre herë më tepër. Dhe nëse atëherë mbilleshin me panxhar 6.000 ha, sot do të mbillen tri herë më tepër. Veç kësaj, ëmbëlsia e panxharit të fushës së Maliqit shkon deri në 12%, që do të thotë se është i një cilësie të lartë. Kërkesa për panxhar sheqeri do të jetë e lartë, ndaj gjithkush prej banorëve të fushës mund të merret me kultivimin e kësaj bime. Veç kësaj, fara e panxharit që do të përdoret për prodhim do të jetë me qarkullim 4-vjeçar, gjë që do të thotë se të ardhurat e fermerëve do të jenë të sigurta. Gjithashtu, kombinati i sheqerit do të marrë në administrim edhe vaskat e panxharit, kryerjen e proceseve të dekantimit,  gjë që do të thotë sërish njerëz të punësuar, pa harruar këtu dhe fushat e grumbullimit të panxhar sheqerit, të cilat kërkojnë njerëz të tjerë të punësuar. Për rrjedhojë, parashikohet që numri i të punësuarve të shkojë në 20 mijë vetë. Ndërkohë për të gjithë ata që do të merren me blegtori, ushqimi i kafshëve do të sigurohet edhe nga ky kombinat. Në këtë rast është fjala për prodhimin e bërsive. Pra, mund të themi se kombinati i sheqerit është një perspektivë e mirë për mijëra familje të zonës së Korçës.

Në ç’ pikë ndodhet projekti?

“Deri më tani na sqaron Pranvera Begolli, nga ana e drejtorisë sonë kanë përfunduar procedurat për miratimin e këtij plan-biznesi dhe gjithë materiali i ka kaluar për zbatim të procedurave ligjore Bashkisë së Maliqit, e cila është dhe përfaqësuese e pronës shtetërore. Ndërkaq, materialet i kanë kaluar edhe Ministrisë së Ekonomisë. Pas kësaj gjithçka do t’i kalojë për miratim Këshillit të Ministrave. Marrja e vendimit nga kjo e fundit do të jetë buzëqeshja për banorët e qytetit tonë. Me këtë vendim ne shpëtojmë ish-kombinatin e sheqerit nga “ekzekutimi me vdekje” dhe u rikthejmë punësimin mijëra familjeve”. Me këto fjalë e mbylli rrëfimin e saj drejtoresha aktuale e ish-kombinatit të sheqerit, Pranvera Begolli

Vepror HASANI