Pranga fakirëve që ndërrojnë çatitë, heshtje për “kullën” që po ndërton Prefekti i Tiranës

593
Vjollca KUTA
“Kulla” që po ndërton “kryeministri” i Qarkut të Tiranës Sadi Vorpsi, mund të jetë me leje, por lejet jepen vetëm për shtetarët
Fillimisht po përmendim dy fakte, të njëjtë në përmbajtje, por krejt të kundërt në qëndrimet e shtetit ndaj të drejtave të qytetarëve:

1. Në datën 7 maj 2016, në aksin rrugor nacional në Qerret të Kavajës, nëna e 3 fëmijëve, shtetasja S. Negollari, së bashku me 2 fëmijët e saj foshnja, kanë humbur jetën në aksident automobilistik, duke udhëtuar drejt Rrogozhinës, ku së bashku me fëmijët do të takonte bashkëshortin e saj, të burgosur për shkak se kishte nisur të rikonstruktonte banesën pa leje, e cila nuk u jepej prej shtetit edhe pse ishte kërkuar 34 herë.

2. Gazeta “Telegraf”, ka marrë disa ditë më parë, një denoncim faktik, me këtë tekst: “Jemi një çift pensionistësh në Tiranë. Prej afro 10 vitesh, jetojmë në një banesë me çati të rrënuar, me rrezik për jetën. Disa kohë më parë, dy fëmijët që punojnë në emigracion, na dërguan një vlerë financiare në euro, që ta përdornim për riparimin e çatisë së kalbur të banesës. Me mendjen, se është e drejta jonë të bëjmë meremetime në banesën që na rrezikon jetën e shëndetin, nisëm punën për të ndërruar krejt çatinë e shtëpisë. Pas 2 ditësh, na erdhi policia e cila, pasi rrethoi banesën me shirit të shkruar “Zonë krimi”, më urdhëroi: Mos i vazhdo më punimet, se do të përfundosh në burg si të tjerët…”. Ky qëndrim më çuditi, kur tek “Medreseja”, një ndërtesë ish-zyrë Shërbim Funerale “ALBA-2000”, po lejohet ta çojë çatinë në qiell, duke shtuar disa kate”. 

Këto dy raste, tregojnë diferencimin që bën shteti ndaj qytetarëve në zbatimin e ligjit, për lejet e ndërtimit apo udhëzimet për rikonstruksionin e banesave. Në rastet kur nisin të bëjnë meremetime në banesat e tyre, shteti kërcënon, gjobit, sekuestron, arreston dhe burgos njerëzit e thjeshtë që nuk kanë as miliarda, as poste zyrtare, as familjaritet, krushqi e shoqëri me shtetarët, por lejon shtetarët të rrafshojnë, zaptojnë e ndërtojnë çfarë të duan, sa kate të duan, ku të duan dhe kur të duan! Po ndalemi tek rasti shtimit të kateve të ndërtesës së ish-zyrës Shërbimi Funeral “ALBA-2000” tek “Medreseja”. Godinës i është “vënë kazma” dhe po i shtohen disa kate të tjerë! Ky ndërtim, thuhet se po bëhet nga Prefekti i Qarkut të Tiranës, zoti Sadi Vorpsi, njëherazi edhe pronar i biznesit Shërbimi Funeral “ALBA-2000” tek “Medreseja”, me filial edhe tek “Rruga e Durrësit”. Ndoshta, ky ndërtim i ri që po bën Prefekti i Tiranës, zoti Vorpsi, po kryhet me leje të rregullt ndërtimi. Natyrisht, që secili ka të drejtë të kërkojë zhvillim të pronës. Po, përse këto leje jepen vetëm për shtetarët, shumica edhe pa leje, që pronat e tyre “kotece, baraka e banesa qerpiçi”, t’i bëjnë pallate, qendra biznesi e hotele?! Ndërsa fakirët e popullit, që nuk kanë as pushtet, as shoqëri e as familjaritet me shtetarët dhe politikanët lokalë e qendrorë, nuk lejohen të ndërrojnë as tjegullat e çatisë, dritaret, dyert, parmakët, bravat e dyerve, strehën e banesës e deri shkarkuesen e… ujit të banjës! Sot, po publikojmë vetëm disa foto përkatëse… 
Sigal