Pranga 3 shqiptarëve në Itali me 2.3 kg kokainë. Si rrezikoi agjenti të tërhiqej zvarrë me makinë

527
Rreth 2.3 kg kokainë e cilësisë së lartë, gati për t’u hedhur në treg është kapur nga policia në zonën e Modenës, e cila ka arrestuar edhe 3 shqiptarë që drejtonin tregtinë e drogës.
Operacioni është zhvilluar natën e kaluar nga skuadra e lëvizshme e policisë së Modenas, e drejtuar nga zëvendëskuestori Marcello Castello. Një operacion blic, ku mbeti i plagosur lehtë edhe një agjent i policisë, i cili rrezikoi të tërhiqej zvarrë nga makina e një prej shqiptarëve.
Prej pak kohësh hetuesit po mbanin nën kontroll zonën në rrugën “Emilia”. Banorët e zonës kishin dhënë sinjalizime: ishin vënë re lëvizje makinash, njerëz që ndalonin dhe lëvizje të çuditshme sidomos në rrugën “Zanfi”. Sinjalizimet kishin mbërritur edhe natën e operacionit dhe agjentët e policisë u hodhën në aksion. Dy autovetura që lëviznin përgjatë rrugës “Emilia Ovest” janë mbajtur nën shënjestër, policia i ndoqi dhe i dha urdhër për të ndaluar shoferëve.
Një prej dy drejtuesve, një 31-vjeçar shqiptar ndaloi dhe iu vunë pranga menjëherë, ndërsa tjetri nuk iu bind urdhrit dhe vazhdoi rrugën deri në semaforin e parë. Agjentët e policisë e arritën makinën që po përpiqej të ikte dhe e futën në mes duke iu dhënë urdhër dy burrave që ndodheshin në të, të ndalonin dhe të zbrisnin nga makina për një kontroll.
Ndërsa një prej policëve iu afrua makinës dhe hapi bagazhin për kontroll, shoferi shkeli gazin duke marrë me vete edhe agjentin që u përplas përtokë, fatmirësisht me lëndime të lehta por që rrezikoi jetën.
Dy shqiptarët që ndodheshin në makinë kanë arritur t’i ikin policisë, por një grup tjetër agjentësh që i mbanin nën vëzhgim prej kohësh kanë shkuar në banesën e partneres së një prej të arratisurve dhe e kanë pritur atje. Pas pak minutash shqiptari ka hyrë në shtëpi, ku pas tij ka mbërritur edhe policia duke i vënë prangat.
Në shtëpinë e tij policia ka gjetur dhe sekuestruar 8 mijë euro. Ndërsa shqiptari tjetër që u arratis me të u kap në shtëpinë e tij në Castelvetro.
Pas kontrollit në banesë policia i gjeti 2 kg e 300 gram kokainë të futur në qese celefoni. Sipas hetuesve, tre shqiptarët ishin të njohur për pazare të mëhershme droge. Droga e sekuestruar nëse do të shitej në treg do të sillte rreth 20 mijë euro përfitime.
Sigal