PPP-të që do u zhvatin qytetarëve 176 milionë euro/ Qeveria do t’i japë koncesionarit për 3 inceneratorë në Elbasan, Fier dhe Tiranë 230 miliardë lekë. Reagon BE: Planet e qeverisë, rrezik për mjedisin. Ja kompanitë me pronarë anonimë

740
Sigal

 Raporti i Progresit shqetësohet për planet e qeverisë për incerneratorë

Kapitulli për Mjedisin dhe Ndryshimet Klimaterike të Raportit të Progresit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian iu bashkua shqetësimit të banorëve të fshatit Verri në Fier si dhe aktivistëve mjedisorë duke vlerësuar se planet e qeverisë “Rama” për ndërtimin e incerneratorëve bien ndesh me interesat mjedisorë të vendit.

Qeveria shqiptare habiti ekspertët mjedisorë disa vite më parë, kur pa pritur dha një kontratë koncesionare me propozim të pakërkuar për ndërtimin e një incerneratori në Elbasan. Habia konsistonte në faktin që strategjia kombëtare për menaxhimin e mbetjeve urbane nuk parashikonte nevojë për ndërtimin e incerneratorëve si një mënyrë për zvogëlimin e volumit të mbetjeve. Strategjia, e miratuar vite më parë, vlerësonte se grumbullimi i duhur dhe rritja e shkallës së riciklimit të mbetjeve i mjaftonin një vendi të vogël si Shqipëria për të menaxhuar mbetjet për dekadat e ardhshme, kryesisht për shkak se prodhimi i mbetjeve në vend është i ulët, i kushtëzuar nga niveli i ulët ekonomik si dhe nga fakti se zvogëlimi i volumit të mbetjeve me djegie është forma më e kushtueshme e menaxhimit të problemit. Por qeveria jo vetëm që dha ndërtimin me koncesion të një inceneratori në Elbasan, që do t’i kushtojë shqiptarëve 3.3 miliardë lekë nga taksat e tyre, por vijoi me planet për të ndërtuar, sërish me koncesion, një incernerator në Fier dhe një tjetër, shumë të madh dhe të kushtueshëm, në Tiranë. Nëse do të ndërtohet, incerneratori i Fierit do t’i kushtojë taksapaguesve 4 miliardë lekë ndërsa ai i Tiranës, mund t’i kushtojë taksapaguesve rreth 16 miliardë lekë, për një total prej mbi 23 miliardësh ose afro 176 milionë euro.

 

01-

 

Incernetatorët kanë dalë nga moda

 

Por ka vetëm një problem: incernetatorët kanë dalë nga moda dhe përdorimi i tyre po diskurajohet në shumë vende për disa arsye praktike: e para, inceneratorët janë në konflikt me riciklimin, metoda e parapëlqyer e menaxhimit të mbetjeve, si për shkak të kostos ekonomike më të ulët ashtu edhe për shkak të përfitimeve mjedisore më të larta. E dyta, incerneratorët janë të kushtueshëm, forma më e kushtueshme e menaxhimit të mbetjeve që bota njeh aktualisht.

Bashkimi Evropian e bëri të qartë këtë me një fjali të shkurtër në Raportin e Progresit të Shqipërisë të publikuar për inceneratorët: “Ndërtimi i një inceneratori në Elbasan, i cili filloi të operojë vitin e kaluar dhe planet për investime të mëtejshme në inceneratorë përbëjnë një shqetësim në termat e respektimit të parimeve të BE-së për shkak se groposja dhe incenerimi janë opsionet më pak të pëlqyera të menaxhimit të mbetjeve.”

Raporti në kapitullin e mjedisit e konsideron Shqipërinë një vend me “nivel të ulët të përgatitjes” për anëtarësim ndërsa vlerëson se ecuria nga raporti i fundit i progresit i publikuar më 2016 është “e pakët”. Shqipëria, thotë raporti, nuk ka instrumentet e nevojshme ekonomike për të promovuar riciklimin e mbetjeve në vend të groposjes apo djegies së tyre, ndërsa vlerëson se kriteret për dhënien e lejeve mjedisore për ndërtime hidrocentralesh apo resortesh turistike në zonat e mbrojtura nuk janë në përputhje me rregullat e BE-së. Qeveria shqiptare është kritikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore për praktikën e dhënies së koncesioneve, veçanërisht koncesioneve të pakërkuara siç është rasti i inceneratorëve, për shkak se sipas FMN-së, “kapacitetet e qeverisë për të vlerësuar kostot dhe përfitimet” e koncesioneve janë “të pamjaftueshme” për të garantuar se këto koncesione janë në përputhje me interesin publik. Qeveria ka refuzuar të dëgjojë këto këshilla deri tani. Por planet e saj për ndërtimin e inceneratorit të dytë në fshatin Verri të Fierit kanë hasur kundërshtimet e ashpra të banorëve të zonës. Kryeministri Rama ka deklaruar se dëshiron të bindë banorët e Fierit se projekti i inceneratorit “nuk sjell ndotje, por ky projekt sjell ekonomi, sjell punësim, sjell zhvillim.” Gjithsesi, siç shkruhet edhe në Raportin e Progresit, banorët e fshatit Verri nuk janë të vetmit që mendojnë se inceneratori është vetëm një gjë e mirë.

 

Qeveria jep ndërtimin me koncesion të tre inceneratorëve që do ti kushtojnë shqiptarëve 176 milion euro

 

1-Inceneratori në Elbasan, që do t’i kushtojë shqiptarëve 3.3 miliardë lekë nga taksat e tyre ose afërsisht 28 milionë euro

 

2-Koncesion për një incenerator në Fier do t’i kushtojë taksapaguesve 4 miliardë lekë ose 31 milionë euro

 

3-Inceneratori më i kushtueshëm është ai i Tiranës,dhe do t’i kushtojë taksapaguesve rreth 16 miliardë lekë ose 128 milionë euro

 

Në total të tre inceneratorët e dhëna me PPP do t’i kushtojnë taksapaguesve shqiptarë mbi 23 miliardë lekë ose mbi 176 milionë euro.

 

02

 

Tirana do ta paguajë shtrenjtë koncesionin e inceneratorit të plehrave

 

Kontrata koncesionare faturon 29 euro për çdo ton mbetjesh urbane dhe detyron bashkinë e Tiranës që të depozitojë minimalisht 550 ton plehra në ditë në Sharrë-kosto kjo që i garanton kompanisë 5.8 milionë euro në vit dhe i jep asaj mundësinë të fitojë trefish më shumë.

 

Në prag të Krishtlindjeve, një njoftim i ngjitur pas portës së hekurt në landfillin e Sharrës shpjegonte se në janar 2018 hynin në fuqi rregulla të reja për përpunimin e plehrave të kryeqytetit. Sipas njoftimit, personat e vetëpunësuar në industrinë e riciklimit në Sharrë si dhe kompanitë që depozitojnë mbetje aty duhet të kontaktojnë me kompaninë koncesionare para se të vazhdojnë aktivitetin e tyre. Sipas BIRN, landfilli i Sharrës iu dorëzua kompanisë koncesionare “Integrated Energy” B.V më 7 dhjetor dhe prej fillimit të vitit, askush nga personat që siguron mbijetesën me mbledhjen e mbetjeve të riciklueshme nuk është lejuar që të hyjë në landfill.

“Integrated Energy” B.V u shpall fituese e koncesionit 30 vjeçar për administrimin e mbetjeve në qarkun e Tiranës në gusht të vitit 2017, pasi premtoi se do të ndërtonte një incenerator, një vend-depozitim të hirit të prodhuar nga djegia e plehrave si dhe një impiant për trajtimin e ujërave të ndotura.

Kompania me seli në Amsterdam, e cila zotërohet nga “Integrated Technology Services” e Klodian Zotos si dhe me aksionerë kompanitë italiane “Paul Wurth Italia S.P.A” dhe “Energy Recuperator S.P.A” ka premtuar 128 milionë euro investime në Sharrë.

Megjithatë, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se kompania koncesionare do të ketë mundësinë që t’i rikuperojë shpejt investimet e premtuara, ndërkohë që fatura e shtrenjtë do të paguhet nga qytetarët e Tiranës.

Kontrata koncesionare, të cilën BIRN e disponon është nënshkruar, më 31 gusht 2017 nga ish-ministri i Mjedisit, Koka dhe administratori i kompanisë “Integrated Energy BV SPV”, Giuseppe Ciaffaglione. Kjo kontratë e faturon bashkinë e Tiranës me 29 euro [pa TVSH] për çdo ton mbetje që do të depozitohet në Sharrë.

Kontrata e detyron gjithashtu bashkinë që t’i sigurojë koncesionarit çdo ditë një sasi minimale të garantuar mbetjesh urbane. Ajo nuk e specifikon sasinë minimale të garantuar të mbetjeve urbane. Por zyra e shtypit e kompanisë “Integrated Energy” B.V i tha BIRN, se kjo sasi është 550 ton mbetje urbane në ditë.

“Bazuar në kontratën koncesionare, minimumi i depozitimit të mbetjeve urbane do të jete 550 ton/ ditë,” u përgjigj përmes emailit zyra e shtypit të kompanisë.

Kontrata e mësipërme e detyron bashkinë e Tiranës që të paguajë minimalisht 5.8 milionë euro në vit në llogaritë e kompanisë “Integrated Energy” B.V për 30 vitet e ardhshme. Megjithatë, vlera reale e kontratës pritet të kushtojë thuajse trefish më shumë.

Sasia minimale e garantuar përfshin në total rreth 200 mijë ton mbetjeve në vit. Sipas INSTAT, territori i mbuluar nga qarku Tiranë prodhoi rreth 492 mijë ton mbetje gjatë 2016-s, sasi kjo që rritet nga viti në vit.

Nëse e gjithë sasia e mbetjeve urbane do të depozitohet në inceneratorin e Tiranës, kompania koncesionare do të përfitojë mesatarisht 14.4 milionë euro çdo vit nga të gjitha njësitë administrative të qarkut, ku peshën kryesore pritet ta mbajë bashkia Tiranë.

Kontrata koncesionare parashikon gjithashtu penalitete për bashkinë e kryeqytetit, në rast se ajo nuk përmbush detyrimet ndaj “Integrated Energy” B.V. Bashkia e Tiranës mohoi të ishte pjesë e marrëveshjes koncesionare për inceneratorin e Tiranës.

“Impianti i përpunimit është një projekt i qeverisë shqiptare dhe autoriteti përgjegjës tashmë është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Bashkia e Tiranës e ka dorëzuar të gjithë asetin që i ishte dhënë në përdorim nga Qeveria qendrore, pasi nuk ishte pronë e Bashkisë së Tiranës.

Koncesioni i inceneratorit të Tiranës është i treti dhe më i kushtueshmi i këtij lloji në Shqipëri, pas atyre të Elbasanit dhe Fierit. Ndryshimi i menjëhershëm i strategjisë kombëtare të menaxhimit të mbetjeve nga qeveria si dhe përfshirja e të njëjtit rrjet kompanish në të tria projektet ka ngritur dyshime për motivime klienteliste pas këtyre projekteve. Qeveria është kritikuar për këtë lëvizje edhe nga ekspertët dhe aktivitet mjedisorë, të cilët i thanë BIRN në një shkrim të mëparshëm se kalimi i menaxhimit të mbetjeve me inceneratorë do të shumëfishojë kostot dhe do të shtojë rrezikun e ndotjeve në mjedis. Para se t’i dorëzohej kompanisë koncesionare, landfilli i Sharrës shërbeu për vite me radhë si një burim mbijetese për dhjetëra familje në nevojë, të cilat siguronin të ardhura përmes industrisë së riciklimit. Ndërsa në gusht 2016, vdekja tragjike e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj ekspozoi kushtet çnjerëzore dhe shfrytëzimin e njerëzve që mbijetonin në këtë industri. E pyetur për fatin e personave që do të humbasin vendin e punës nga implementimi i marrëveshjes koncesionare, bashkia e Tiranës u përgjigj se do të vazhdojë mbështetjen e tyre me projekte strehimi, si “dy shembujt model në Lanabregas dhe Shkozë”. Ndërsa zyra e shtypit e kompanisë “Integrated Energy” deklaroi se do të shohë mundësinë e punësimit të tyre, vetëm pasi të ketë siguruar kushte të plota sigurie dhe pune.

03-

Fituesi i 3 koncesioneve

Dokumentet e siguruara tregojnë se fituesit pa garë të këtyre koncesioneve janë një rrjet kompanish të vogla në ortakëri me njëra-tjetrën si dhe kompani të regjistruara në parajsa fiskale me pronarë të panjohur.

 

Inceneratori i Elbasanit dhe ai i Fierit: Përfaqësues Klodian Zoto

Inceneratori i Elbasanit dhe ai i Fierit zotërohen respektivisht nga kompanitë Albtek Energy me pronare Stela Gugallja dhe Integrated Technology Waste Treatment Fier, ku 70 % e aksioneve zotërohen nga Klodian Zoto. Ndërkohë, 30 për qind e aksioneve të koncesionit me vlerë rreth 28 milionë euro iu shitën një kompanie lokale për 30 mijë lekë, vetëm një muaj pas themelimit të kompanisë koncesionare.

Inceneratori i Tiranës: Përfaqësues Klodian Zoto dhe biznesmeni italian Ernesto Granelli

Inceneratori i Tiranës, më i madhi dhe i kushtueshmi ndër të tre u fitua nga kompania Integrated Energy B.V me seli në Amsterdam të Holandës. Ndonëse në Tiranë u ekspozuan si përfaqësues sërish Klodian Zoto, biznesmeni italian Ernesto Granelli si dhe kompania e njohur në prodhimin e impianteve, Paul Wurth, është e paqartë se kush e zotëron aktualisht kompaninë koncesionare.

Të dhënat e siguruara nga databaza e kompanive në Holandë tregojnë se Klodian Zoto ka dhënë dorëheqjen nga Integrated Energy, në mars 2018. Më parë, ai është zëvendësuar nga një kompani guaskë e quajtur Almares Management B.V me seli në Amsterdam, me drejtor të emëruar dhe pronësi të panjohur.

“Zëri i Amerikës” nuk mundi të kontaktonte me Klodian Zoton. Ndërsa Kompania koncesionare “Integrated Energy”, e cila pranoi të përgjigjej vetëm përmes postës elektronike tha se Zoto nuk ishte i përfshirë në projektin e Zonës së Trajtimit të Mbetjeve në Tiranë. Kompania i devijoi pyetjes së kush ishin aksionerët e saj apo të kompanisë “Almares Management B.V”, duke sugjeruar që t’u drejtoheshim autoriteteve në Shqipëri dhe në Holandë. Pyetjes së pse qeveria kishte dhënë një kontratë me negocim të drejtpërdrejtë në Elbasan, ish-ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri u përgjigj se “bashkia e Elbasanit kishte shpallur gjendjen e emergjencës për situatën e mbetjeve”. Ndërkohë, ish-ministri Ahmetaj-i akuzuar edhe më parë nga PD për lidhje me Klodian Zoton mohoi të kishte shoqëri me të.

04-

Teknologjia e përdorur dhe monitorimi i nivelit të ndotjes kanë shkaktuar gjithashtu debat mes ekspertëve të mjedisit në Shqipëri.

E pyetur mbi barrën që tre projektet do të kenë mbi buxhetin e shtetit, Ministria e Infrastrukturës së Energjisë ia kaloi përgjegjësinë Ministrisë së Mjedisit si institucioni kontraktor. Ministria e Mjedisit dhe kreu i saj, Blendi Klosi refuzuan gjithashtu të komentonin. Edhe Bashkia e Tiranës nuk iu përgjigj një kërkese për koment se sa do t’i kushtonte trajtimi i mbetjeve në inceneratorin e Sharrës.

Drejtori i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi kritikoi vendimin e qeverisë për të ndryshuar strategjinë e trajtimit të mbetjeve dhe shtoi se kjo do t’i kushtonte shumëfish taksapaguesve shqiptarë. “Vihet re që ka një largim nga metoda e ladfilleve dhe rritje të kostos 4 deri në 5 herë më të shtrenjtë të procesohen, të digjen. Ka një përzgjedhje të çuditshme përmes metodës së ofertës së pakërkuar, e cila në të vërtetë siguron fitime më të mëdha për kompanitë,” tha Preçi.

Kompania që do të operojë inceneratorin e Tiranës, “Integrated Energy” tha në përgjigjen me shkrim se “teknologjia do të jetë e avancuar, e praktikave më të mira evropiane që e aplikojnë këtë industri”.

Por aktivisti mjedisor, Lavdosh Feruni thotë se incenerimi i mbetjeve shkakton ndotje të ajrit nga metalet e rënda dhe mbetjet e rrezikshme. “Që të djegë inceneratori 30 vjet, 1 milion ton plehra në Shqipëri kjo do të ishte një ndotje shumë e madhe për këtë vend të vogël,” tha Feruni.

“Kemi të bëjmë me një përmbysje, që në rastin më të mirë është një naivitet vendimmarrës dhe në rastin më të keq, një korrupsion masiv,” shtoi ai.