“Postohen” 600 denoncimet e para në prokurori për ryshfetet e dhëna për “zgjidhje hallesh”

501
Rezulton se 240 prej atyre që kanë dërguar “letrat” e parë të “rrëfimit” janë aktualisht në poste zyrtare e shtetërore, si 41 kryetarë bashkie e ish-kryetarë bashkie, 12 deputetë e ish-deputetë, 36 diplomatë, 27 drejtorë drejtorie, 9 zv/ministra, madje edhe këshilltarë bashkie, 17 drejtues policie lokale, zv/prefektë e deri drejtorë rajonalë dhe kryepleq të njësive administrative, të cilët denoncojnë se kanë paguar për të kapur këto poste drejtimi! 
Projekt-Ligji i “Vetingut”, garanton një “amnisti” të pjesshme për gjyqtarët, prokurorët dhe zyrtarët e tjerë të lartë e të çdo niveli, duke u vendosur e bërë të ditur, këtë kusht: Nëse ata që denoncojnë milionat e dhëna dhe ata dorëzojnë vullnetarisht milionat që kanë përlarë nga “viktimat” e favorizua nëpërmjet ndërhyrjeve ose vendimeve të veprimtarisë së tyre gjatë ushtrimit të funksioneve shtetërore, atëherë, nga përmasat e vlerës financiare të këtij korruptimi, do të përfitojnë ndëshkime më të lehta, ose edhe do të shpëtojnë prej ndëshkimeve e masave të tjera që parashikon ky projekt-ligj, i ndryshuar tashmë. Kujtojmë, që në projektligjin e ri për “Vetingun”, të ndryshuar nga “Euralius” dhe “OPDAT” është shtuar 1 nen “special” për zyrtarët e korruptuar që bëhen bashkëpunëtorë të drejtësisë, të cilët njëherazi do të jenë edhe “viktima të privilegjuara e të lehtësuara” të këtij bashkëpunimi, mbasi edhe ata do të kalojnë në “morsën” e veprimit të ligjit, por jo me aq “shtrëngim” sa ata që nuk do të bashkëpunojnë. Fill pas publikimit të këtij neni “special” të “Vetingut”, ka ndodhur një reagim i fortë dhe aktiv, veçse jo nga gjyqtarë e zyrtarë që përfshihen në këtë nen të posaçëm të “Vetingut”, por nga qytetarë të shumtë të “zhvatur” prej zyrtarëve për “zgjidhje hallesh” e plotësim egosh për kolltuqe, për probleme pronash, për lirime e lehtësime krimesh nga prokuroria, për tapi trojesh e tokash, për kthime kompensim pronash, për shkollime, për punësime, për fitim tenderësh, për emërime e zgjedhje në poste drejtuese të shtetit e pushtetit dhe për lloj-lloj kërkesash, me të cilat i ka ballafaquar puna, halli dhe interesi i përditshëm gjatë jetës. 

Mirëpo ka edhe një “çudi” tjetër që bënë përshtypje, në këtë dyndje “letrash” që janë “postuar” deri tani në adresë të prokurorisë e ët institucioneve të tjerë të shërbimeve sekrete, paçka se ligji nuk është miratuar, por që ndoshta ka lidhje me “padurimin” e “viktimave” të korrupsionit, për të denoncuar e ndëshkuar ata që u kanë zhvatur milionat në shkëmbim të shërbimeve zyrtare! Konkretisht, në 600 denoncimet e para që janë dërguar në prokurori për ryshfetet e dhëna tek shtetarë, politikanë, zyrtarë, gjyqtarë e prokurorë. si “pagesë për zgjidhje hallesh”, rezulton se 240 prej tyre janë aktualisht në poste zyrtare e shtetërore të hipur në këto poste me pagesa ryshfetesh. Sipas informacionit që siguroi dje gazeta “Telegraf”, rezulton se denoncues si “viktima” të pagesave korruptive janë 41 kryetarë e ish-bashkie, 12 deputetë e ish-deputetë, 36 diplomatë, 27 drejtorë drejtorie, 5 zv/ministra, këshilltarë bashkie, zv/prefektë, drejtorë rajonalë e madje edhe kryepleq të njësive administrative, të cilët thonë, se denoncojnë faktin që kanë paguar për të kapur këto poste drejtimi! të gjithë kanë një të përbashkët në “rrëfimet’ e tyre: Sipas tyre, ata kanë paguar miliona për të pasur emrin në listën e deputetëve, për t’u përshirë në listën e diplomatëve të karrierës, për të mbyllur dosje krimi për “shpërdorim detyre”, për t’u liruar nga burgu “me dobësi zemre”, për t’u emëruar në poste policore, për t’u futur në listat e drejtuesve të pushtetit lokal etj. Në çdo letër të postuar në adresë të prokurorisë, deklarohet se prej tyre janë bërë pagesa “nën dorë”, tek ata që kanë pasur vulat e firmat në dorë, ose tek ata që kanë pasur fuqinë politike e shtetërore për të urdhëruar! 
Ja çfarë parashikon Neni 50, i shtuar në projektligjin e “Vetingut”
Bashkëpunëtori i drejtësisë
1. Personi që ka marrë pjesë në kryerjen e një vepre penale të korrupsionit me subjektin e rivlerësimit, ka të drejtë t’i drejtohet zyrës së prokurorisë kompetente për hetimin e veprave penale të korrupsionit, sipas legjislacionit penal.
2. Prokurori mund t’i japë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë personit që shpreh vullnetin për të dhënë informacion të mjaftueshëm për praktikën korruptive ndërmjet tij dhe subjektit të rivlerësimit.
3. Personi ka të drejtë përfaqësohet nga mbrojtësi i tij ligjor.
4. 4 Nëse arrihet marrëveshja e bashkëpunimit, bashkëpunëtori i drejtësisë duhet të japë informacion të plotë dhe pa asnjë rezervë ose kusht, për të gjitha faktet, ngjarjet dhe rrethanat që shërbejnë si prova vendimtare për zbulimin, hetimin dhe parandalimin e korrupsionit të subjekteve të rivlerësimit. Dëshmia e dhënë me shkrim nga bashkëpunëtori i drejtësisë përpara prokurorit, përbën një provë thelbësore për procesin e rivlerësimit dhe procese të tjera ligjore.
5. Bashkëpunëtori i drejtësisë nuk mund të ndiqet penalisht për veprat e korrupsionit që ka kryer me subjektin e rivlerësimit, sipas dëshmisë së dhënë. Një kopje e dëshmisë dhe e marrëveshjes së bashkëpunimit, i jepet bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe institucioneve të rivlerësimit.
6. Marrëveshja e bashkëpunimit mund të revokohet në rast se bashkëpunëtori i drejtësisë nuk dorëzon provat pranë institucioneve të rivlerësimit ose jep dëshmi të rreme për të cilën mban përgjegjësi penale sipas legjislacionit penal.
7. Subjekti i rivlerësimit që ka përfituar shumën, mbart detyrimin t’ia kthejë atë bashkëpunëtorit të drejtësisë, pavarësisht se ka shkelur ligjin. Subjekti i rivlerësimit nuk legjitimohet të ngrejë pretendimin se fitimi i ardhur për shkak të kësaj shume ka humbur gjatë kalimit të kohës. Kthimi i shumës mund t’u kërkohet drejtpërdrejt dhe çdo personi të lidhur me subjektin e rivlerësimit, nëse vërtetohet se atij i ka kaluar një vlerë më e madhe se 100.000 ALL pa shkak të ligjshëm, që nga 01.01.2006.Subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur kanë të drejtë të paraqesin në gjykatë padi regresi ndaj personave të tretë që mund të kenë përfituar shumën përkatëse.


Përparim HALILI

Sigal