Posta Shqiptare vazhdon të “postojë” tenderë klientelistë e abuzivë edhe me blerje karburantesh

1243
Përparim HALILI
Shumë denoncime kanë ardhur në gazetën “Telegraf’, nga subjekte private e madje edhe nga Agjencia e Prokurimeve Publike (APP) dhe Komisioni i Prokurimeve Publike (KPP), lidhur me tenderët klientelistë e abuzivë që po zhvillon “Posta Shqiptare”, natyrisht jo degët e saj në qarqe, rrethe, qytete e ish-komuna, mbasi ato nuk i përfill askush, por në “kullën” e kësaj shoqërie e cila komandohet nga “jeniçerë të rilindjes” dhe nga disa horra, që pasi vjedhin nëpër tatime e dogana dhe u del boja, u jepet “azil” në zyrat e Postës Shqiptare, të emëruar me “grada” si drejtorë e shefa tenderësh edhe me profesion agronomë, që njohim mirë hashashin dhe jahtet! Flitet për tenderë emetimi pullash, për blerje pajisjesh elektronike, për bojë printeri, për transferuat shërbimesh, për roje private, për mobilim zyrash, për shërbim telefonik të shefave, për bileta avioni, për blerje veturash, për marrje me qira zyrash në kullat që ndërtojnë deputetët e partisë, për shërbim “IT” e deri për blerje zarfesh me sasi 2 herë më të madhe se sa harxhon… Shtëpia e Bardhë në 1 vit! Sipas informacionit shkresor, që na ka ardhur prej institucioneve të specializuara hetimore edhe jashtë vendit, të cilët në kuadër të “Veting”-ut kanë nisur investigimin brenda këtij shërbimi “bunker korrupsioni”, rezulton se muajt e fundit ka nisur “batërdia” në numër dhe vlera financiare tenderësh abuzivë, 40% e të cilëve sajohen për shërbime fiktive, 40% fiksohen me vlera 2-3 herë të larta se fondi limit, 20% zhvillohen vetëm në letrat e KVO! Lidhur me këta tenderë, ka një raport hetimor, të cilin do ta publikojmë të plotë në vazhdim, duke e nisur nga dita e sotme, me tenderin e blerjes së karburanteve që ka bërë “Posta Shqiptare”, duke specifikuar blerje me “Kartë furnizimi|, por që realisht e bënë me hollona xhepi (letër), të cilat i dorëzohen në dorë një “freshisti rilindës”, që përdor “ca litra” edhe për jahtin e tij, por që ca i jepen edhe një drejtori të ri të Tiranës, krushk i një deputeti, ideator i ligjit të importit të plehrave! Ky tender i blerjes së karburantit duhet hetuar me urgjencë, si provë e plotë me përmbajtje krimi ekonomik-financiar! Tenderi është zhvilluar në datën 10.08.2017, ora 11:00 me Urdhër Prokurimi Nr. 23, datë 17.07.2017, publikuar si shpallje fituesi dhe njoftim lidhje kontrate në “Buletini prokurimit Publik| nr. 35, faqe 147-148, datë 4 shtator 2017, me objekt: “Blerje Karburanti për automjetet e Posta Shqiptare”, me fond limit total prej 64. 866. 790 (gjashtëdhjetë e katër milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e nëntëdhjetë) lekë pa TVSH, ndarë në dy “Lote”: 

1. Loti i parë është “Për blerje Gazoil D I, Standard S. SH. EN 590: 2006”, me fond limit: 54. 232. 540 (pesëdhjetë e katër milion e dyqind e tridhjetë e dy mijë e pesëqind e dyzetë) lekë pa TVSH. 

2. Loti i dytë është “Për blerje benzinë pa plumb S SH 228: 2006”, me fond limit: 10. 634. 250 (dhjetë milionë e gjashtëqind e tridhjetë e katër mijë e dyqind e pesëdhjetë) lekë pa TVSH. Si është zhvilluar ky tender? Cilët kanë qenë pjesëmarrësit? A kanë paraqitur gjithë dokumentet e përcaktuara nga ligji? Çfarë tolerancash janë kërkuar, imponuar e zbatuar prej kreut të KVO? A ka lidhje ndonjë zyrtar i Posta Shqiptare me fituesin, apo me pjesëmarrësit në këtë tender (dhe në shumë të tjerë)? Firma e ka fituar tenderin për furnizim me Kartë elektronike në distributorë, përse çon hollona në zyrat e Posta Shqiptare? A detyrohen shoferët, të plotësojnë letra fiktive konsumi karburanti, për të cilat thonë se i mbajnë shefat? Në vijim gazeta “Telegraf” do të zbardh të plotë këtë skandal-krim, i cili ka lidhje me pazaret dhe implikimin e shefave brenda Posta Shqiptare!
Sigal