Porti mbushet me militantë. Punësohen ata që prej 2 vitesh kanë mbetur pa punë nga partia

546
Prej disa ditësh në Portin më të madh të vendit, ka nisur sezoni “punësimeve”, dhe kjo duket sapo shkel në territorin e tij, tek shikon grumbuj njerëzish në sheshe dhe sektorët e tij. Një miku im i cili voton prej 25 vitesh majtas që quhet Titi më takoi dje dhe më tha gjithë gëzim se “Fillova punë, shyqyr se kisha mbetur për faqen e zezë, fillova në port”. Faktikisht, Titi ka punuar në Portin Detar prej 22 vitesh, por para 6 vitesh atë e larguan, pas reformave që nisën dhe privatizimeve të mjaft sektorëve të ti, dhe fakti është se, prej 4 vitesh nga Porti Durrësit, çdo vit vetëm largohen, reformohen dhe nuk punësohen siç po ndodh ditët e fundit. Nga ky port janë larguar edhe specialist që kanë pasur edhe 1 apo 2 vjet që u duhej të plotësonin moshën e pensionit. Por çudia po ndodh, dhe Porti Durrësit ka nisur “hapjen e vendeve të reja të punës”. Në administratën e tij, askush nuk tregon, askush nuk të thotë se çfarë po ndodh, kush po i punëson dhe kush do ti paguajë të punësuarit e rinj, me çfarë fondesh? Kjo pasi dihet se APD prej disa muajsh ka gati projektin e shkurtimeve dhe reformimeve të thella, të cilat prekin edhe administratën edhe punëtorët e sektorëve në bazë. Si asnjëherë tjetër, në Portin e Durrësit, çdo ditë janë prezentë krerët e PS-ës, deputetët e kësaj shumice, dhe kjo dihet pse. Porti ka qenë dhe mbetet, “streha bamirëse” për çdo forcë politike që ka qeverisur. Kështu ndodhi edhe në 8 vitet e qeverisjes së PD-ës, kështu po ndodh edhe me qeverisjen e PS-ës. Mjafton të lexosh raportet e KLSH, dhe do të bindesh për skandalet dhe abuzimet financiare ku padyshim, ndër më të prekshmet ishin edhe pagesat miliona lekë me rrogat e atyre që punonin në Itali e Gjermani, dhe paguheshin nga arka e APD. Por e njëjta gjë po ndodh edhe sot me Portin e Durrësit, po e mjelin dhe nuk po kanë mëshirë për paratë e taksapaguesve, po paguhen jo vetëm rrogat e majme të dhjetar zyrtarëve që nuk janë fare me bordero në port, por edhe ata që do të marrin rroga të pajustifikuara nga sot deri në mbarimin e fushatës elektorale. Kjo gjë padyshim do të regjistrohet si një skandal financiar, dhe do të zbulohet vetëm kur atje të shkojë KLSH, për të ngritur akuza dhe denoncime, të cilat ashtu si gjithmonë do të “humbin” gjatë rrugës së hetimit. Gjithmonë sipas Titit, mikut tim të punësuar këto dy ditë, “në port do të sistemohen ata që në 2 vjet nuk kanë gjetur një vend punë, do ti mbajnë deri nga korriku, dhe pastaj dihet ajo do të shkojnë në shtëpi”. Ata fakirë i gëzohen edhe një pune sezonale, edhe ndonjë rroge 2-3 mujore, pasi janë me shumë probleme familjare. E ndërsa para 23 qershorit 2013, ish-opozita kritikonte ashpër qeverisjen e asaj kohe se “Po e përdorin Portin Detar si çiflig”, duket se gjithçka ka mbetur si dikur, ai mentalitet, ai drejtim, ai seleksionim, dhe ajo formë mashtrimi dhe abuzimi.
Sigal