Porti mbushet me ‘çimka’, kaseta me zë dhe figurë në dorë të SHKB-së

577
Sigal

Përgjimet si mjet presioni për policët, tregtarë dhe doganierët

 Porti detar, sheshet e trageteve, shërbimet në Dogana dhe kalatat e portit, kanë qenë prej disa muajsh objektivi i përgjimeve nga SHKB-ja për uniformat blu në Durrës. Nuk kanë mjaftuar 21 mikrokamerat e vendosura në vende të fshehta të portit, por edhe “kopsat” e montuara në xhaketa, këmisha tregtarësh, duket se kanë dhënë material për të akuzuar uniformat blu. Sipas një burimi policor “shiritat me zë dhe me figurë, po përdoren nga SHKB-së për presione ndaj zyrtarëve dhe oficerëve të strukturave të ndryshme të policisë portuale dhe posteve të tyre, duke i mbajtur nën trysni prej muajsh”. Mbetet fakt se, policia e Durrësit, persona të veçantë brenda saj prej vitesh janë kthyer në pikëmbështetje të rrjeteve të korrupsionit dhe kontrabandës, duke ju trembur zbatimit të detyrës dhe ligjit, por duke përkrahur shkelësit dhe elementët negativë, të cilët sot janë njerëz me para dhe prona në qytetin bregdetar dhe qytete të tjera të vendit. Situata në strukturat e policisë në Durrës, nuk ka ndryshuar (përkundrazi) as nga largimi dhe ardhja e shefave të komisariateve dhe drejtuesve të tjerë, por ka mbetur e pandryshuar duke bërë regres çdo ditë. Përgjimet shpesh nuk kanë pasur synim përmirësimin e punës dhe rezultateve të saj, ndryshimin e zyrtarëve të korruptuar dhe implikuar me elementë pozitivë, por ato janë përdorur dhe përdoren si “karrem” për t’u pasuruar me forma dhe metoda të pista. Në asnjë moment mikrokamerat dhe “kopsat” e përgjimeve nuk kanë bërë publike emrat e atyre që prej muajsh dhe vitesh janë pjesë e rrjeteve të kontrabandistës dhe të korrupsionit, apo që në zyra bëjnë pazare milionëshe. Asnjeri prej tyre nuk është prekur por ka bërë përpara karrierë, duke sfiduar ligjin eprorin dhe shtetin. Shpesh në Drejtorinë e Policisë, ardhja e drejtuesve të rinj është parë si “shembje e mentalitetit të vjetruar në drejtim”. Çdo drejtues i çdo rangu, kur ka ardhur në Drejtorinë e Policisë Qarkut Durrës, ka shpalosur “projekte dhe plane për një efektiv me moral dhe figurë të pastër “, por shumë shpejt ai e ka parë veten të pafuqishëm përballë furisë dhe presionit me forma nga më të paskrupulltat, të bërë, madje nga zyrtarucë, të cilët miqtë i kanë patur deri lart në piramidën drejtuese të shtetit. Përgjimet shumë shpejt do të janë krejtësisht të pavlera. Ato deri sot kanë treguar se, edhe kur kanë pasur mundësinë të zbulojnë diçka, janë përdorur si mjete presioni për të zhvatur ndonjë para ose poste. Rastet e shumta të trafikut dhe kontrabandës të zbuluara jo nga përgjimet, por shërbimet e huaja, si dhe denoncimin e korrupsionit nga qytetarë të thjeshtë, tregtarë, biznesmenë, madje edhe zyrtarë që zgjedhin shpesh tragetin për udhëtim, kanë treguar paaftësinë e strukturave policore nga qendra në bazë. Përgjimet po përdoren tashmë edhe si mjet presioni, për të siguruar efektivitetin e duhur të elementëve që janë personazhe kryesore në kasetat filmike.

ARTUR AJAZI