Porti i Igumenicës, Korfuzit dhe Sarandës, bashkëpunim për ndotjen mjedisore detare

674
Sigal

Fundjava që kaloi shënoi edhe një takim mes autoriteteve portuale të Igumenicës, Korfuzit dhe Sarandës në qytetin grek të Igumenicës. Takimi i përfaqësuesve të tri porteve të rajonit jonian në qytetin e Igumenicës, u zhvillua në kuadër të zhvillimit të projektit të Bashkimit Evropian “KROS-BORDER”, i cili synon kryesisht në forcimin e masave të ruajtjes mjedisore në zonën bregdetare Sarandë-Korfuz-Igumenicë. Ky projekt ka një vit që ka filluar të zbatohet në rajonin jonian që përfshin këto tri porte detare dhe në këtë takim u raportua se çfarë ishte arritur deri më sot, pasi përfundimi i projektit ka afatin kohorë deri në fund të muajit shkurt 2014. Këto detaje nga ky takim i Igumenicës i bën të njohura për “Telegraf”, n/drejtori i Portit Detar të Sarandës, z.Muharem Merko, i cili ka kryesuar përfaqësinë e këtij porti në takim. Merko thotë se, në raportimin e tij para autoriteteve të BE-së në këtë takim, ka vënë në dukje se projektet e caktuara për këtë periudhë përsa i përket portit detar të Sarandës, janë përfunduar prokurimet publike dhe është bërë zbatimi në masën 50% të tyre, kjo e ardhur për arsye të mungesës së fondeve, fonde të cilat priten të akordohen dhe të përfundojë zbatimi i plotë i tyre. Gjithashtu takimi rajonal jonian i Igumenicës vendosi që në të ardhmen, deri në fund të muajit shkurt 2014, kohë kur përfundon edhe afati i zbatimit të projektit të Bashkimit Europian “KROS-BORDER” për forcimin e masave mjedisore në rajonin jonian Korfuz-Igumnicë-Sarandë, të zhvillohet në qytetin e Sarandës një seminar për kualifikimin e punonjësve të këtyre porteve dhe një konference e gjerë me pjesëmarrjen e autoriteteve portuale dhe institucioneve shtetërore dhe njësive vendore që kanë lidhje direkte me masat e dhe detyrat e ruajtjes së mjedisit në këtë rajon, si dhe vendosjen e aparaturave matëse të ndotjes detare të këtij rajoni detar.