Porti i Durrësit, 20 punonjës të Mirëmbajtjes hidhen në rrugë, mes tyre edhe invalidë

559
Sigal

Invalidin Skënder Aliaj, pas 40 vjetësh punë, e prek reforma. Në shenjë proteste shkruan në trup gjithë CV-të e revoltës së tij

Në Durrës 20 punëtorë të sektorit të Mirëmbajtjes së Makinerive janë shkurtuar nga puna në port. Më saktë janë flakur në rrugë. Nga 650 punëtorë që ka porti sot, sipas planifikimeve për privatizimin e shërbimeve në port, pritet që fatin e 20 punëtorëve ta ndjekin edhe 380 punëtorë të tjerë. Këtë e mësuam nga një prej këtyre punëtorëve që kishte 40 vjet në punë dhe tashmë s’dinte ku të shkonte më. Në orët e para të mëngjesit të ditës së mërkurë në një lokal në afërsi të Kapitanerisë së Portit të Durrësit, hyn edhe një personazh interesant, i cili duket mjaft i dëshpëruar. Duket interesant pasi në pjesën e përparme të gjoksit të tij ka të fiksuar një letë të shkruar me shkrim dore dhe me mjaft gabime ortografike. Njerëzit që janë kryesisht punonjës të sektorëve të ndryshme të portit e njohin dhe shprehin keqardhjen për të duke kërkuar që t’ia zbusin mërzitjen me ndonjë qerasje. Ai i falënderon ata, por hallin e ka në shtëpi, ku thotë se e presin fëmijët, të cilët janë rritur me rrogën e tij dhe tashmë që ka mbetur pa punë ai qan hall se s’ka se me çfarë t’i ushqejë ata. Mbase dhe për këtë hall që vështirë t’ja zgjidhë njeri, sepse me moshën që ka afër të 60- tave, askush s’mund ta marrë më në punë, pasi edhe profesioni i tij në mirëmbajtjen e mjeteve detare, nuk ka profesion të ngjashëm në industrinë e dobët turistike të qytetit bregdetar. Në fytyrën e të papunit të ri, rekrutit të ri me moshe të vjetër të armatës së të papunëve të këtij qyteti, ndjehet keqazi trishtimi dhe mbase se janë ditët e para edhe çoroditja. Ai thotë se e kanë pushuar nga puna ditën e premte të javës së kaluar dhe se është invalid prej vitesh në këtë gjendje, por që ka gjetur mundësi mbijetese duke punuar në portin e qytetit të vet. Port që nuk është më i tij pasi tashmë ai është i papunë dhe për ironi të fatit ka mbetur i papunë në një kohë kur politikanët në prag fushate elektorale prodhojnë me mijëra vende pune në TV, ndërsa jeta jashtë prodhon uri dhe mjerim për të varfëritë. A nuk duket tabela në të cilën janë fiksuar notat e protestës së tij, si një tabelë në qafën e të dënuarve me varje… Ai thotë se e morën në qafë me gjendjen ekonomike e shëndetësore që ka dhe se nuk ka se ku të përplaset më për të mbijetuar, kur edhe vendin e punës së tij në të cilin ai është profesionalizuar për 40 vite me radhë, tashëm do ta zërë dikush tjetër, ndonëse nuk e ka përvojën e tij… Kam 40 vite thotë që kam hyrë e kam dalë më kokën lart nga kjo derë e portit duke punuar me ndërgjegje, por tashti që jam i flakur si limon e shtrydhur, s’di çdo të bej me fëmijët. Dhe në shenjë proteste ai ka shkruar një letër mbi gjoks. Pasi nuk mund të bëjë gjë tjetër më shumë, thjeshtë se është i sëmurë. Jam trajtuar prej vitesh si invalid të thotë ai… Është përzënë nga vendi, ku është sëmurë duke punuar në bregdet në kohë të mirë dhe kohe të keqe… Se në port ka punë më shumë kur ka furtunë dhe erë.

LETËR PROTESTA

Skënder Aliaj ka vënë një fletë të shkruar në gjoks me mjaft gabime ortografike. Në këtë letër në pak rreshta ai ka bërë CV e dhimbshme të jetës së vet, duke mos aplikuar për ndonjë vend pune të tjetër kujt, por thjeshtë duke dashur të trokasë në ndërgjegjen e atyre që i vunë një vizë në librezën e punës për ta ndihmuar përsëri. Në të ai shkruan se: “Pas 40 vitesh në Porto si invalid na nxorën pa dëshirë nga puna duke shkelur ligjin me të dyja këmbët dhe na lanë në udhë të madhe. Mua më mbron ligji me statusin e invalidit dhe hapësira ligjore ka sa të duash. Kërkoj drejtësi, sepse familja ime kërkon bukë dhe jo llafe. Kur shteti shkel ligjin ç’na mbetet ne për të bërë dhe kujt t’i drejtohem? Shtron Skënderi një pyetje thuajse të ngjashme me dilemën hamletiane “Të rrosh a të mos rrosh”.