Sigal

Sipas të dhënave të INSTAT ne publikimin për statistikat e rajoneve 2017, qarqet si Tirana, Durrësi dhe Vlora gjatë vitit 2017 kanë pësuar rritje të numrit të tyre të popullsisë, ndërkohë që qarqet e tjera vazhdojnë të kenë një rritje negative.

Qarku i Tiranës i cili përfshin edhe kryeqytetin e Shqipërisë ka dendësinë më të lartë me 529 banorë për km2, ose pesëfishin e mesatares. Tirana është qyteti i 24-ët në botë për dendësinë e popullsisë për kilometër katror. Qyteti me dendësinë më të madhe të banorëve për kilometër katror në botë është Macau në Kinë me 20 mijë banorë për kilometër katror dhe më pas Monaco me rreth 19 mijë banorë për kilometër katror.

Në Shqipëri qarku i dytë me dendësinë më të lartë është Durrësi me 375 banorë për km2 ndjekur nga qarku i Fierit me 159 banorë për km2.

Dendësia e popullsisë në mes të vitit 2017 është 100 banorë për km2, vlerë e cila ka pësuar ndryshime shumë të vogla në pesë vitet e fundit. Shpërndarja e dendësisë sipas qarqeve tregon se vetëm 3 qarqe kanë dendësi mbi 150 banorë për km2.

Popullsia e Shqipërisë ka ardhur duke u zvogëluar pas vitit 2001, ky trend vazhdon edhe në vitet në vijim, por ritmi i rënies së saj ka ardhur duke u zvogëluar. Pavarësisht rënies së popullsisë gjithsej, nuk mund të përgjithmonë këtë fakt për të gjithë qarqet.

Nga ana tjetër kemi vetëm dy qarqe dendësia e të cilëve është nën 40 banorë për km2. Dendësia më e ulët përqendrohet në zonat më periferike të vendit tonë, qarku i Kukësit në verilindje dhe qarku i Gjirokastrës në juglindje.  Ky i fundit ka dhe dendësinë më të ulët në territorin e Shqipërisë, rreth 22 banorë për km2.