Polonia dhe Shqipëria: Partneritet i Ngushtë Ekonomiko-Politik

304
Nga Peter M. Tase*
Më 6 Dhjetor 2017, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë zyrtare në Varshavë – Poloni, ku pati bisedime të frytshme me homologen Beata Szydło, për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe. Kjo vizitë e Kryeministrit Shqiptar përkujton 80-vjetorit e vendosjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Polonisë, të cilat sipas shtypit polak të kohës, në vitin 1937, u rivendosën pas 500 vjetësh, duke kthyer në vëmendje periudhën e aleancës së ngushtë mes heroit kombëtar Skënderbeut dhe mbretit të atëhershëm të Polonisë dhe Hungarisë, Władysław III. Pas bisedimeve tete-a-tete, të dy Kryeministrat dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp; ku Kryeministri Edi Rama nënvizoi: “Kjo vizitë zhvillohet në një moment të veçantë për historinë e marrëdhënieve tona; ka një potencial të madh të pashfrytëzuar për zhvillimin e marrëdhënieve tona ekonomiko – tregtare (…) në janar-tetor (2017), Shqipërinë e kanë vizituar 74 për qind më shumë turistë polakë se në vitin e shkuar.” Në këtë takim Z. Rama i kërkoi Kryeministres Polake Beata Szydło që të inkurajojë kompaninë e fluturimeve polake për të konsideruar mundësinë e vendosjes së një linje ajrore direkt me Tiranën, e cila do të sillte përfitim reciprok të lartë. Shqipëria ka qenë gjithmonë mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme që Polonia i ka dhënë Tiranës në të mirë të Integrimit Evropian. Kryeministrja Beata Szydło shprehu mbështetjen për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE në 6 mujorin e parë të vitit 2018. Në Varshavë, Z. Rama mori pjesë në Forumin e Biznesit dypalësh që u organizua nga komuniteti i investitorëve Polak. Në fjalën e saj Kryeministrja Polake theksoi:“Biseduam edhe për punën e përbashkët në përgatitjen e Shqipërisë për procesin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. (…) Jemi të gatshëm të ndajmë të gjithë përvojën me Shqipërinë.” Kjo vizitë e delegacionit Shqiptar ushqeu sërish një marrëdhënie të fortë, të shkëlqyer, strategjike dhe shumë të rëndësishme për Tiranën. Më 9 dhjetor, 2016, gjatë vizitës së saj zyrtare në Tiranë, Kryeministrja e Polonisë Beata Szydło i bëri thirrje Bashkimit Europian të intensifikoj përpjekjet për bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë. Në konferencën për shtyp së bashku me Kryeministrin Edi Rama; Znj. Szydło theksoi: “Shqipëria është një element i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin në Evropë dhe rajon” Në kuadër të kësaj vizite në Tiranë, u mbajt Forumi Ekonomik Poloni-Shqipëri; ku krahas Kryeministres së Polonisë Beata Szydło morën pjesë edhe një grup përfaqësuesish të biznesit e sipërmarrjes polake. Gjatë punimeve të Forumit u nënshkruan edhe dy marrëveshje në fushën e ekonomisë; Marrëveshja mes Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) dhe agjencisë homologe Polake si dhe Marrëveshja mes Unioneve të Dhomave të Tregtisë së dy vendeve. Në fjalën e tij, Kryeministri Rama theksoi: “me hapat që ne kemi ndërmarrë për të lehtësuar e nxitur biznesin, për të fuqizuar prezencën e investitorëve të huaj, – ka një fakt që është mjaft domethënës, numri i qytetarëve polakë që vizitojnë Shqipërinë, si turistë, po shkon duke u rritur në mënyrë të ndjeshme, vit pas viti.” Në fjalën e saj Beata Szydło evokoi edhe një herë miqësinë e ngushtë që ekziston midis dy qeverive dhe popujve: “Polonia dhe Shqipëria kanë shumë gjëra të përbashkëta. Kemi një histori miqësie dhe bashkëpunimi. Duhet të bashkëpunojmë dhe shpresoj që ky takim të jetë fillimi i një bashkëpunimi më të thellë dhe më të ngushtë.” Bashkëpunimi Poloni – Shqipëri nuk synon vetëm mbledhjet e karakterit politik, mbi të gjitha partneriteti i zhvillimit ekonomik ka marrë një rëndësi të veçantë në mandatin e dytë të qeverisë Rama. Shumë shpejt pritet një rritje e nivelit të shkëmbimeve tregtare si dhe hapja e sipërmarrjeve të reja Polake në territorin Shqiptar. Për më shumë se një vit, Polonia është duke zbatuar programin e saj të zhvillimit të përgjegjshëm, që mundëson rritjen e bashkëpunimit me Shqipërinë. Në Forumin Ekonomik Poloni – Shqipëri (2016) sektori privat Polak ka prezantuar ofertën e vet të eksportit në fushën e energjisë, prodhimit të makinerive, pajisjeve bujqësore, si dhe të fruta-perimeve e produkteve ushqimore të përpunuara. Duke dashur të promovojë investimet polake jashtë vendit, Qeveria Polake është duke punuar në ngritjen e 69 zyrave tregtare në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, por gjithashtu edhe në vendet fqinje. Polonia ka përgatitur kushte të favorshme në mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ç’ka do të ishte një shembull i mirë për ekonominë Shqiptare. Eksporti i produkteve Shqiptare drejt Polonisë është rritur sistematikisht: gjatë 9 muajve të parë të 2016-ës, është rritur 27 për qind; eksportet Polake në Shqipëri janë rritur me 9 për qind në të njëjtën kohë. Më 7 Maj, 2014, Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati u takua me Ministrin e Punëve të Jashtme të Polonisë Radosław Tomasz “Radek” Sikorski. Të dy ministrat diskutuan mbi bashkëpunimin dypalësh dhe intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira; forcimi i diplomacisë parlamentare, fusha ekonomike dhe ajo e shkëmbimeve tregtare zuri një vend të rëndësishëm në agjendën e tyre; të dy Ministrat nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit në Fushën e Integrimit Evropian. Ky memorandum lehtëson kontributin e Polonisë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Bashkëpunimi ekonomik midis Shqipërisë dhe Polonisë pritet të zhvillohet në këto fusha: prodhimi i energjisë së rinovueshme, administrim i përgjegjshëm i minierave, turizmi, bashkëpunimi në NATO dhe me Grupin e Vishegradit, diplomaci ekonomike, mbrojtja e mjedisit, teknologjia e avancuar bujqësore. 
*Ish Diplomat i SHBA, Shkrimtar, Gazetar dhe Poliglot.
Kryeministri i Shqipërisë Sh. T. Z. Edi Rama dhe Homologia e tij Polake Znj. Beata Maria Szydło
(Tiranë, 9 Dhjetor 2016).