Politikanët pozojnë si gjeni

869
Nga Sokrat Ndreçka
Në këto vite demokracie, hallet e njerëzve janë shtuar shumë. Ky është një realitet i prekshëm, i dukshëm, i dhimbshëm, i ndjeshëm. Për dreq, politika e ka rrëmbyer të gjithë kohën dhe nuk i mbetet më hapësirë të dëgjojë njerëzit e të qajnë hallet dhe dertet e tyre. Ajo ka pushtuar çdo hapësirë dhe nuk i mundëson dot ata të kërkojnë lirinë e munguar. Është zaptuar me dhunë e drejta kushtetuese, si në komunizëm, nga ata që e mbajnë veten për politikanë. Jo vetëm kanë pushtuar liritë e të tjerëve, por janë kthyer në barrierë serioze që pengon seriozisht ecurinë e vendit drejt qasjes së Bashkimit Evropian. U bënë dekada të tëra që na kanë mbirë në sy një kastë politikanësh, të cilët i kanë bërë njerëzit me dhimbje koke. Ata janë të padëshiruar për t`i dëgjuar, mundësisht të mos ua shohim më fytyrën në ekrane televizive. Na duken sikur kanë hyrë në jetët tona dhe na brejnë përditë nga pak, duke mos na lënë të shohim një rreze drite liri, nuk na lënë të jetojmë si gjithë popujt e qytetërimit modern. Nuk ka orë të ditës të mos dëgjohet zëri i tyre, megalomania e tyre, nuk ka fushatë zgjedhore të mos dëgjojmë dënglat e tyre mashtruese, të cilët paturpësisht thërrasin e çirren sikur ata e kanë shpikur politikën dhe përparimin njerëzor. Ngrenë zërin e duan ti mbushin mendjen njerëzve se janë pikërisht ata që sjellin mirësitë e popullit. Shfrytëzojnë çdo mundësi e rrethanë të paraqiten si heronj, si gjeni, si baballarët e transformimeve në këtë palo tranzicion, që e shohim të gjithë dhe nuk ka nevojë t`i bëjmë reklamë. Ky komb, ky popull, këta njerëz, me të cilët takojmë e flasim për çdo ditë, ka nxjerrë nga gjiri i vetë drejtues e udhëheqës të mëdhenj, që kanë realizuar reforma edhe shumë më të rëndësishme si këto që duan të realizojmë në këtë demokraci të brishtë. Të mos harrojmë se kanë realizuar reforma në kushte shumë herë më të vështira, shumë më të thella dhe ia kanë dalë. Kanë qenë të suksesshme sepse kanë drejtuar me zemër në dorë. Jo si këta të sotmit që sakrifikojnë çdo gjë për xhepin e vetë, për interesin e mega hajdutëve, që nuk dinë të ndalin kurrë dorën e krimit. Sot që flasim, kuptojmë se këtij vendi i duhen disa reforma për t`u integruar në Bashkimin Evropian. Kërkohen njerëz të përgjegjshëm, politikan të aftë që e meritojnë mandatin e popullit. Ka shumë kuadro, intelektual të zot që japin ndihmesën e tyre në sektorë të ndryshëm të jetës publike e shoqërore. Kjo kategori intelektualësh me fuqi organizimi edhe shumë profesional nuk i bashkohen zhurmës së çakejve dhe bëjnë shumë mirë. Rrinë në pozicionin e tyre duke ruajtur etikën profesionale, qytetare, njerëzore dhe nuk duan të bëhen pjesë e palaçollëqeve, që shohim e dëgjojmë çdo ditë. Të ishte politika dhe segmentet e saj kështu, reformat do kishin shënuar rekorde dhe populli nuk do reagonte kaq ashpër, si në këto 27 vjet. Se sa janë gjeni politikë bërësit shqiptar e tregojnë tragjeditë, të cilat kanë autorë politikanë të përlyer, të cilët fshihen sikur të mos kenë gisht askund. Në skenën e politikës janë ngjitur përherë figura të inkriminuara, ose kanë ardhur me mandate të vjedhura, me mandate të maskuara, të veshur me kostumin e demokracisë. Këta syresh vuajnë nga deliri i të qenit në dukje, njerëz me zemër të molitur, njerëz që e duan mandatin për t`u majmur, për ti rrëmbyer njerëzve të thjeshtë pasurinë. Zgjedhësit, publiku nuk është aq injorant sa të mos kuptoj lojën e vjedhjes, të pushtimit të pronave, të përvetësimit të taksave, nuk është aq i paditur se të mos kuptojë skenarët e trafiqeve. “Publiku është jashtëzakonisht tolerant. Ai fal çdo gjë përveç gjeniut”,- thotë filozofi Oskar Uajld. Dhe kur thotë se publiku është tolerant do të tregoj se këtyre njerëzve u duhet hequr pushteti, u duhet hequr mundësia për të gëzuar poltronin, i cili është pronë e tjetërkujt. Skena politike shqiptare ngjason me skenat e klounëve, të cilët shqyejnë se qeshuri njerëzit që duan të kalojnë kohën, tifozët që politikën e kanë për të kaluar kohën me gallatë. Madje edhe atyre u janë mërzitur skena të tilla, sepse kanë afro tre dekada që përsëritin të njëjtin slogan, i kthyer tanimë në një gënjeshtër e madhe, një gënjeshtër që bie erë e keqe. Janë pikërisht këta gjeni që, kur s`kanë nga të mbajnë, organizojnë mitingje, ndërsejnë mitingash, duke hedhur turma njerëzish në përleshje kundër ca njerëzve të tjerë. Dhe kur i kujton me emër e mbiemër, në mendje të vijnë veprat e krimeve të rënda, me të cilët duhet të merret gjyqi i Hagës. Sot këta kërkojnë hierarki, kërkojnë respekt, dinjitet, kërkojnë të marrin medalje trimërie, mundësisht të shpallen heronj të kombit. Për këta njerëz vlen demokracia dhe shteti i së drejtës? Këta, e të tjerë si këta, luajnë çdo gur për të mbuluar veprat penale që kanë kryer dhe duan të mbulohen me hirin e harresës.


Sigal