Politikanët me llogari bankare jashtë shtetit

652
Sigal

LËVIZJET/ Pas shkarkimeve të para në SHISH, reagojnë  inspektorët: Duan të fshehin dhe të djegin materialet komprometuese

Emërimi i Visho Ajazit si kreu i ri SHISH-it, ka filluar të vërë në lëvizje drejtuesit dhe nëpunësit e administratës së këtij institucioni, në qendër dhe në bazë. Deklarata e Kryeministrit Berisha gjatë një konference shtypi se largimi  i Bahri Shaqirit është bërë pasi ai nuk informoi kreun e qeverisë për ngjarjet e 21 Janarit.  Kjo deklaratë erdhi pas asaj të ambasadorit amerikan, i cili gjatë një takimi që pati me kreun e PS-së, Rama, i cili deklaroi se: “Askush nuk duhet ta mendojë veten të përjetshëm në një detyrë të caktuar”. Mbi këtë arsyetim  Drejtor i  ri i Shërbimit Informativ ka nisur reformën, e cila pak a shumë ishte dhe e pritshme. Gjatë kësaj periudhe ka pasur shumë aludime në lidhje me faktin se një pjesë e mirë e informacioneve dekonspiroheshin përtej atyre që kishin detyrimin ligjor për t’u njohur me to. Dhe në këto kushte, duhen prerë fijet që nxjerrin të dhëna në lidhje me aktivitetet e ndryshme të politikanëve të majtë dhe të djathtë si dhe të afërmve të tyre. Reformimi i një institucioni të rëndësishëm sikurse është ai  i SHISH-it, ka rëndësi, jo vetëm kombëtare, por edhe në aspektin e partneritetit ndërkombëtar dhe sidomos të organizmave të ndryshëm, ku vend i ynë është partner, sikurse është NATO apo lufta e përbashkët kundër terrorizmit. Rëndësi ka që reforma t’i shërbejë përmirësimit të sigurisë së brendshme, futjes së metodave bashkëkohore, respektimit të ligjit dhe jo të kthehet në qëllim në vetvete. Lëvizjet e fundit janë pritur dhe trajtuar në mënyra të ndryshme nga të dyja kampet e politikës shqiptare, çka do të thotë se, vetë politika e sheh dhe kërkon ta ketë monopol të vetin këtë institucion. Lëvizjet e para janë pritur në mënyra të ndryshme dhe sipas burimeve tepër konfidenciale bëhet e ditur se qëllim i vërtetë  i këtyre ndryshimeve nuk është reformimi, por largimi i disa specialistëve dhe drejtuesve që kanë grumbulluar dhe përpunuar materiale të karaktereve të ndryshme dhe tepër sekrete në lidhje me aktivitetin e disa politikanëve dhe të afërmve të tyre. Ata thonë se, arsyeja e vërtetë e ndërrimit të kreut të SHISH-it dhe zëvendësimi i tij është bërë për të parë e fshirë nga skedat çfarë materialesh ka grumbulluar Shërbimi Informativ në vitet e fundit. Për ato materiale që komprometojnë një pjesë jo të vogël të politikanëve shqiptarë të bëhet selektimi dhe të fshihen. Dhe kjo arrihet vetëm duke zëvendësuar drejtuesit dhe specialistët përkatës.  “Kjo gjë dihej,- thonë burimet,- por ata që kanë ndërmarrë këtë mision nuk e dinë tjetrën se nuk është më viti 1992, kur këta punonjës u hodhën në rrugë dhe askush  s’u dha ndihmë dhe përfunduan shitësa rrugëve. Punonjësit që janë tani nuk presin t’i ndihmojë as pozita dhe as opozita. Ata  i kanë marrë masat për veten e tyre, materialet si  informacione, përgjime, vëzhgime dëshmi të ndryshme, materiale nga më komprometueset, u është gjetur vendi me kohë dhe nuk janë aty për t’i gjetur ata që do zëvendësojnë specialistët aktualë dhe do të tentojnë  t’i djegin. Kanë ndryshuar kohët,- shprehen burimet- dhe materialet nga më komprometueset biseda e takime komprometuese të fiksuara, që nuk i di askush, llogari  të ndryshme bankare të hapura kudo në botë për vete dhe fëmijët janë të fiksuara. Janë  filmuar sekserë të familjeve të pushtetarëve në këto dhjetë- dymbëdhjetë vitet e fundit duke transportuar këto lekë si dhe vendet, ku i kanë depozituar. Janë të fiksuara bisedime dhe afera të ndryshme të pushtetarëve të sotëm e të djeshëm. Gjithë këto materiale janë të mbledhura dhe me ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe bashkëpunëtorëve që ndodhen jashtë shtetit. Këto nuk kanë për t’i gjetur kurrë drejtuesit e rinj  që vijnë, por do të shpërthejnë nëse këta që sot janë në  punë do të trajtohen dhe shpërfillen si në 1992-in, kur  i lanë pa punë” përfundon citimin e tij burime për “Telegraf”. Përtej nervozizmit për vendin e punës reforma nuk duhet të jetë qëllim në vetvete për të zëvendësuar një  palë me një palë tjetër por në atë institucion duhet të militojnë specialistët, të cilët kanë dhe duhet të kenë si qëllim në vetvete respektimin e ligjit dhe interesat kombëtare dhe jo ato partiake.