Politika “zhyt” OJF-të mjedisore, në “koshin e plehrave” të importit

867
OJF-të mjedisore “ulën veshët e mbyllën gojën”, paçka se deri dje qëndronin si “gur” i fortë për të ndalur importin e plehrave, por që dje pronarët xhambazë të këtyre OJF-ve “familje”, treguan se janë krijuar me synimin që të zhvatin miliona, duke bërë “beteja” mjedisore false . Shqiptarët u gjenden përballë faktit të kryer, që plehrat u lejuan të importohen e të përpunohen në Shqipëri me miratim të krejt politikës. Ndërsa për politikën shqiptare majtas e djathtas e dimë që “ha në një çanak” paçka se bënë sikur kundërshtojnë njëri-tjetrin, duke ulëritur gjoja në “emër të interesave kombëtare e të popullit”, në këtë lojë të pisët të importit të plehrave u zhyt edhe shoqëria civile e mjedisorëve, duke firmosur e shtrënguar duart me politikën pushtet-opozitë, për të hapur portat që mafia e plehrave italiane dhe e kujtdo vendi tjetër, të ngarkojë vaporët e trajlerat me plehra e t’i shkarkoj në Shqipëri, të cilat do të riciklohen e përpunohen në disa biznese landifille e impiante që janë biznese të politikanëve e shtetarëve! 

Atyre u duhej formalisht firma e një “çete” OJF-sh mjedisore dhe pasi i rekrutuan me lehtësi e me pazare këto OJF kloun e siguruan këtë firmë miratuese të mjedisorë që dhanë votën “PRO” për mbushjen e Shqipërisë me plehra. Se si dhe përse i ulën “veshët e mbyllën gojën” OJF-të mjedisore që deri dje qëndronin si “gur” i fortë për të ndalur importin e plehrave, këtë e dinë pronarët xhambazë të këtyre OJF-ve “familje” që ata kanë krijuar e që prej mëse 20 vitesh zhvatin miliona euro nga taksat e shqiptarëve e donacione nga institucionet e huaja, duke bërë “beteja” mjedisore false me projekte fiktive. Kujtojmë, që në vitin 2001 u krijua një grupim me emrin “Aleanca Kundër Importit të Plehrave” i përbërë nga OJF e me ish-opozitën në krye, që e çoi VKM e ish-qeverisë “Berisha” në Kushtetuese e pas ardhjes në pushtet, “Rilindja” e rrëzoi ligjin e importit të plehrave si krim anti-kombëtar e mjedisor! Kujtojmë që nismëtari i ndaljes së importit të plehrave në vitet 2010-2013, zoti deputeti Eduard Shalësi, i cili në korrik 2013 deklaroi se do ta rrëzonin ligjin e importit të plehrave ditën e parë të qeverisjes, tani 3 vjet pas hipjes dhe qëndrimit në krye të qeverisjes, u bë nismëtar i rikthimit të ligjit që lejon dhe përforcon “krimin e importit të plehrave”! Këtë dyfytyrësi kanë treguar edhe OJF-të mjedisore që deri 24 vjet e 24 orë më parë kundërshtonin me britma e parulla këtë ligj, duke paralajmëruar protesta popullore! Por që dje, politika i rekrutoi, i futi në rresht dhe i “zhyti” në “koshin e plehrave” të importit, duke i detyruara të firmosin një deklaratë e paktë të pisët me politikën për të pranuar futjen e plehrave në Shqipëri, si një zhvillim mjedisor evropian e jo si rrezik, gjë kjo e cila provon se paskan ulëritur jo për mjedisin shqiptar, por për të zhvatur fonde nga buxheti, nga pazaret “nën tavolina” e nga BE, Politika shqiptare dhe OJF që lëpihen pas saj për të bërë fakt e për të justifikuar ligjin e importit të plehrave, mashtrojnë duke than se ky është kusht i BE, referuar një direktive europiane!

 Në fakt, ligji i importit të plehrave i koduar prej mafies së plehrave në Itali me emrin “Skorja” është një biznes që i intereson klaneve politike e shtetërore në Shqipëri! Futja e dy neneve të importit të mbetjeve në ligjin për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve (MIM) veç të tjerash është jo e drejtë nga pikëpamja ligjore. Sipas direktivës së BE për “Menaxhimin e Mbetjeve”, nuk flitet për import të mbetjeve, por direktiva i referohet rregullores përkatëse të BE-së për importin dhe eksportin. Në guidën për “Përafrimin e Legjislacionit Mjedisor të Bashkimit Europian”, përcaktohet kështu: “Atje, ku legjislacioni i BE-së për sektorin mjedisor, përmban një përzierje të direktivave me rregulloret, vendet duhet të bëjnë një kujdes të veçantë për të siguruar, që masat kombëtare për zbatimin e direktivave të jetë e integruar në mënyrë të plotë dhe të mos bjerë ndesh me rregulloret e BE-së”. Në ligjin shqiptar, jo vetëm që nuk është bërë kujdes që rregullorja të integrohet në mënyrë të plotë me direktivën (pra në rastin e Shqipërisë me ligjin MIM), por rregullorja është injoruar fare dhe nuk ekziston. Pra, nenet e importit të plehrave që janë futur arbitrarisht në këtë ligj, funksionojnë pa rregulloren e detyrueshme, që do të thotë që të gjitha rrugët e keqpërdorimit janë të hapura, që në Shqipëri të futen edhe mbetje kimike, mbetje industriale kancerogjene e deri kufomash kafshësh… 
Sigal

Përparim HALILI