Politika shqiptare krah Francës “Dënojmë aktet barbare terroriste”

55
Edhe Shqipëria është gjendur pranë Francës. Krerët më të lartë të shtetit kanë shprehur ngushëllimet e tyre për sulmet e njëpasnjëshme terroriste që shënuan me qindra viktima, e njëherësh me tronditjen për jetët e humbura kanë shprehur edhe indinjatën ndaj akteve barbare ekstremiste.
Nishani: Akte barbare që synojnë të trembin mbarë botën, populli shqiptar ju mbështet
Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani i ka dërguar një mesazh ngushëllimi homologut të tij, presidentit francez Hollande, ku veç të tjerash shprehet se dënon aktet terroriste që synojnë të trembin jo vetëm Francën, por mbarë botën. “Ju siguroj për mbështetjen dhe solidaritetin e plotë, timen dhe të popullit shqiptar me autoritetet dhe popullin francez, për kapërcimin sa më shpejt të kësaj situate tronditëse e kritike”, – shkruan Nishani.
“Aktet e mbrëmshme terroriste në Paris më tronditën pa masë dhe e gjithë mendja e zemra ime janë në këto moment me Ju, me popullin dhe autoritetet franceze. Në emrin tim dhe të popullit shqiptar, i përcjell ngushëllimet më të ndjera e të sinqerta familjarëve të viktimave, Juve, popullit dhe Qeverisë franceze. Të lënduarve i uroj shërim sa më të shpejtë. I dënoj me forcën më të madhe këto akte barbare terroriste dhe ektremiste që synojnë të trembin dhe terrorizojnë, jo vetëm Francën dhe francezët, por mbarë botën e qytetëruar dhe demokratike. Ju siguroj për mbështetjen dhe solidaritetin e plotë, timen dhe të popullit shqiptar me autoritetet dhe popullin francez, për kapërcimin sa më shpejt të kësaj situate tronditëse e kritike. Me ndjenjë të lartë solidariteti, ju lutem pranoni, Shkëlqesia Juaj, ngushëllimet e mia më të sinqerta”, shprehet Nishani.
Meta: Terroristët s’mund të cenojnë vlerat e demokracisë, jemi krah jush
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta i ka dërguar nje mesazh ngushëllimi e solidariteti kryetarëve të Parlamentit dhe Senatit të Francës, Claude Bartolone dhe z. Gerard Larcher pas masakrës në Paris. 
“Shqiptarët janë shokuar nga sulmet terroriste në Paris. Jemi të gjithë përkrah jush në këto momente kritike. Shqipëria pranë Francës për të mbrojtur vlerat universale demokratike që na bashkojne. Terroristët nuk mund të cenojne lirinë dhe vlerat e shoqërise franceze. Solidaritet me popullin mik francez dhe të gjithë qytetarët e Parisit. Qëndrojmë përkrah aleatëve tanë në luftën e pandalshme kundër terrorizmit”, shprehet kryeparlamentari Meta.

Rama: Është një luftë e vërtetë!
Kryeministri Edi Rama e ka quajtur një luftë të vërtetë atë që po ndodh në Francë.
“Është një luftë e vërtetë Shqipëria mbështet plotësisht Francën dhe qeverinë e saj në këto momente horrori”, shkroi në Facebook në orët e para të mëngjesit shefi i qeverisë Rama.
Basha: Akte të çmendura terroriste
Edhe lideri i opozitës shqiptare Lulzim Basha është sensibilizuar me aktet terroriste në Paris. Ai i quan akte të çmendura dhe shpreh ngushëllimet për viktimat e pafajshme.
“Mbarë shqiptarët kanë ndjekur me tronditje dhe pikëllim të thellë pasojat tragjike të akteve të çmendura terroriste mbrëmë në Paris. Në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë shpreh ngushellimet e mia për viktimat e pafajshme të kësaj masakre barbare. Mendimet dhe lutjet tona janë me familjet e viktimave dhe mbarë popullin francez”, thotë Basha.
Topi: Terrorizmi hapi sërish
Ish-presidenti Bamir Topi shprehu tronditjen sulmi që ai e quan mizor në Francë. “Dhimbje dhe zemërim për sulmet në Paris. Terrorizmi hapi sërish”, shprehet Topi, aktualisht kryetar i Frymës së Re Demokratike.

Gjermeni: Të gjithë bashkë t’i japim përgjigjen e duhur akteve terroriste
Edhe ministrja Eglantina Gjermeni ka shprehur ngushëllimet e saj ëpr ngjarjen tragjike në Francë.
“Ministria e Zhvillimit Urban, ashtu si çdo qytetar shqiptar dhe i çdo vendi demokratik është pranë familjeve të viktimave, qytetarëve franceze, që janë gjithmonë simbol i lirisë dhe demokracisë. Terrorizmi nuk do të mund kurrë të rrëzojë atë çka popujt dhe qeveritë kanë ndërtuar e do vazhdojnë të ndërtojnë për një botë në paqe e harmoni. Zemrat dhe lutjet tona shkojnë çdo minutë për Parisin. Duke qëndruar të gjithë bashkë, i japim përgjigjen e duhur çdo akti terrorist që kërkon të frikësojë botën demokratike”, shprehet Gjermeni.