Politika përballë ngjarjeve tragjike të ’97-s

250

Jovan BIZHYTI

Ka rreth dy javë që disa nga mediat e shkruara i kanë kushtuar një vend të rëndësishëm ngjarjeve tragjike të vitit ‘97-të, të cilat kanë ngelur ende të pa zbardhura e të pa gjykuara, megjithëse kanë kaluar mbi 20 vjet. Kur doli në dritë me shkrim e me figurë “Çanta e Baba Takut” në gazetën DITA, ngjalli në masën e lexuesve një optimizëm e besim se, më së fundi erdhi ora që kjo dosje e mbyllur dhe e pluhurosur, të hapet dhe populli që i përjetoi me dhimbje ato situata, të mësojë të vërtetën, dhe të shohë pas hekurave shkaktarët që e krijuan atë tragjedi, që ka mbetur si një nga njollat më të errëta në historinë e periudhës postkomuniste të popullit tonë.

Dihet tashmë, që vitet 1990-92 sollën ndryshimin e sistemeve politike në vendin tonë, që u shoqëruan dhe me lëvizje e tubime masive të popullit në këtë përmbysje të madhe, megjithatë pushteti kaloi në mënyrë paqësore, shumë demokratike, pa përplasje të dhunshme dhe pa viktima e gjakderdhje. Dhe kjo i dedikohet urtësisë dhe tolerancës së popullit, veçanërisht shtresës së të përndjekurve politikë, që nuk shfaqën ndjenja hakmarrjeje, por u përfshinë në rrugën e integrimit së bashku me të gjithë popullin si bashkëvuajtës. Por, pa kaluar shumë kohë, etja për pushtet dhe korrupsioni për t‘u pasuruar në mënyrë galopante, çoi në aventura e situata të ndërlikuara kriminale, që prodhuan pasoja të rënda për demokracinë. Viti 1997 e minoi nga themelet atë pushtet demokratik të porsa ngritur, duke e futur vendin në një krizë kaosi kriminal, ku qeveria e asaj kohe e ashtuquajtur demokratike, për të mbajtur pushtetin me dhunë, deformoi zgjedhjet parlamentare, duke iu kundërvënë popullit të vet, shto pastaj dhe falimentimin e firmave huamarrëse që çuan në humbjen e kursimeve të qytetarëve, dhe e gjithë kjo situatë gjeneroi një krizë të thellë ekonomike e politike, që shkoi deri në përplasje të dhunshme me armë, midis grupesh e krahinave veri-jug të vendit. “Çanta e Baba Takut”, duke qenë dhe jurist e politikan ligjvënës, na solli në shkrimet dhe intervistat e tij, ngjarjen e plotë të tragjedisë së 97-s, shkaqet dhe faktet me prova të ngjarjeve, shumë prej të cilave edhe të dokumentuara, ku si rezultat i këtyre konflikteve të dhunshme me armë, u vranë mbi 3000 qytetarë, si nga radhët e popullit dhe nga forcat qeveritare të rendit.

Në raportet e komisionit parlamentar që Baba Taku mbante në çantë, është ekspozuar dhe një listë me emra të politikanëve përgjegjës, që kanë iniciuar e drejtuar këto operacione ushtarake kriminale dhe që janë direkt përgjegjës, që nga ish-Presidenti i Republikës në atë kohë, Sali Berisha dhe deri ministra e pushtetarë të rangjeve të larta. Unë si lexues e qytetar shtroj pyetjen, ku shkuan këto raporte me akuza e fakte konkrete, kush ishte ajo dorë kaq e fortë e mizore që i zhduku këto prova pa iu dridhur qerpiku? Si është e mundur që një prokurori të marrë guximin për të mbyllur akt-akuza të tilla tronditëse dhe parlamenti, qeveria që erdhi në pushtet dhe deputetët që mbanin mandatin e popullit, ulën kokën të heshtur në gjithë këto vite? Në raportet e komisionit parlamentar thuhet se, nuk ka faj pa fajtorë, nuk ka tragjedi pa shkaktarë dhe nuk ka krim pa kriminelë! Dhe megjithëse vihet gishti mbi njerëzit përgjegjës, avokat Ngjela, ish-kryetar i atij komisioni, shtonë se, “Nuk ka prova për këto krime, ka vetëm përgjegjësi kolektive e jo personale”! Po mirë zoti avokat, unë nuk jam jurist dhe nuk marrë përsipër të sajoj prova në gjithë këto ngjarje e akuza që ngrini ju nga hetimi që i kini bërë kësaj ngjarje në komisionin parlamentar, por pyes, pse i kërkoni provat në shkresa zyrash, kur dihet se ato janë fshirë me keqdashje, në një kohë që keni ngjarjet reale, keni lëvizje trupash e mjetesh ushtarake drejtë Fierit e Vlorës dhe në zona të tjera, keni planet për hedhjen në erë me eksploziv të urave të Mifolit e të Rrogozhinës, keni urdhrat e ngritjes së avionëve luftarak për bombardime, apo lëndë helmuese në zonat e rebeluara të jugut, pavarësisht se pilotët patriot nuk i zbatuan ato urdhra! Mbi të gjitha janë përplasjet me armë si në Vlorë, në Qafën e Gjashtës në Sarandë, në Gjirokastër ku u hodhën trupa desantësh qeveritar të SHIK-ut me helikopter, tragjedia në Urën Vajgurore, hapja e depove të armatimit ku u armatosën një popullatë e tërë e tjera, që sollën viktima e gjakderdhje masive! Kërkohen prova në shkresa me firma! Ata që organizuan këtë skenar famëkeq, qenë të zot edhe ti zhduknin këto shkresa burokratike, se e dinin rrezikun.

Por ata nuk zhdukin dot faktet e gjalla reale që kanë ndodhur, ata nuk zhdukin dot njerëzit që u përfshinë në këto veprime kriminale, si dhe ata që i vuajtën mbi kurriz këto krime. Të gjitha janë të regjistruara me zë e me figurë, që kanë mbi 20 vjet që shfaqen në sytë e popullit nga ekranet televizive, deri dhe në filma. Thuhet në këto raporte se, Gazidede, Agim Shehu dhe gjithë zinxhiri i pushtetarëve që drejtuan ato operacione luftimi kundër popullsisë së rebeluar, nuk bënin dot me kokën e tyre, pa pasur një urdhër nga lartë. Po kush ishte ai atje lartë, nuk thuhet drejtë e me zë të fortë akuza, që personi atje lartë, ishte ish-Presidenti Sali Berisha, që mesa duket nga raporti, hidhte gurin, e fshihte dorën. S’ka rëndësi nëse ky urdhër është me shkrim apo me gojë, ai ishte President i vendit dhe Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë dhe sipas Kushtetutës, ishte përgjegjës kryesor si ligjërisht dhe moralisht, jo më pak dhe politikisht. Gazideden ai e përdori si mashë për të nxjerrë drutë nga zjarri, që të mos digjej vet. E bëri vasalin Gazidede nga profesor, gjeneral, dhe komandant të operacionit ushtarak kundër jugut të Shqipërisë, me pretekstin për të shtypur demonstratat, që nisën dhe vazhduan shumë paqësore. Populli ka vite që pyet, pse u mbyll ajo dosje kriminale nga më të mëdhatë deri më sot dhe kush ishte i interesuar për mbylljen e kësaj historie?! Por zoti Braho në intervistat e tij thekson se: “Fatkeqësisht edhe mazhoranca e majtë socialiste që erdhi në pushtet në qershorin e vitit 1997, ku bënte pjesë edhe ai vetë, bëri sikur e dëgjoi raportin e komisionit parlamentar për këtë çështje dhe nuk ndërmori asnjë hap më tej”! E habitshme! Në ligjet e Kushtetutës shqiptare thuhet troç, kush bënë krim, dënohet sipas ligjit, por jo më pak dënohet dhe ai që e sheh dhe hesht! Pra, Shqipërinë e kanë mbajtur peng këta lloj politikanësh, që mbulojnë fajet e njeri-tjetrit! Dhe kjo nuk u falet përfaqësuesve të popullit, aq më tepër atyre që janë juristë, njerëz të ligjit, që kanë heshtur kaq gjatë dhe vazhdojnë të heshtin. Më keq akoma, që po ai parlament me deputet nga të gjitha forcat politike, miratoi dhe ligjin për amnistinë e ngjarjeve kriminale të 97-s dhe Sali Berisha me gjithë zinxhirin e vartësve të tij, që ishin protagonistët e gjithë asaj ngjarje kriminale, fërkuan duart dhe disa prej tyre janë ende dhe sot në politikë dhe i bëjnë karshillëk popullit. Populli me të drejtën e Zotit pyet: A mund të rihapet sërish ky proces, për të qetësuar shpirtrat e njerëzve që e përjetuan me dhimbje atë tragjedi të rëndë kriminale? Zotërinjtë politikanë, Braho dhe Ngjela, përgjigjen se, mund të rihapet, por shtrojnë klauzolën, “Nëse klasa politike do të ketë vullnetin për ta rihapur këtë proces, e për të vënë para përgjegjësisë fajtorët”. Po ç’është ky vullnet politik?! Ende ekziston mentaliteti dhe morali për të mbuluar krimet e njeri-tjetrit!? Kryeministri dhe kryetari i mazhorancës socialiste aktuale, Edi Rama, thekson shpesh se, “Nuk jemi njëlloj si ata të pushtetit të djeshëm edhe ne sot”. Nëse nuk janë njëlloj, atëherë pse vihet në dyshim vullneti politik i kësaj mazhorance, që populli i besoi timonin e vetme pa aleatë. Është momenti të tregojë vendosmërinë, që ky proces gjyqësor për një tragjedi kaq të madhe, të mbuluar me mjegullën e 20 viteve, ka ardhur koha e momenti të dalë në dritë të diellit drejtësia dhe t’i thuhet popullit kush janë fajtorët dhe të vihen para përgjegjësisë. Faktet dhe dëshmitarët janë ende prezent. Një fjalë e urtë e popullit thotë: “Drejtësia vonon, por kurrë nuk harron”. Nuk kanë bërë faje e krime më tepër lider të tjerë në botë si, Sanaderi, ish-kryeministër i Kroacisë, Gruevski, ish-kryeministër i Maqedonisë, Mubaraku, ish-president i Egjiptit, ish-presidentja e Brazilit, e shumë e shumë të tjerë për akuza të ndryshme. Një shembull të tillë kërkohet të japë dhe Shqipëria. SHBA dhe BE kanë kohë që kërkojnë dënimin e pushtetarëve që kanë shkelur ligjet, janë përfshirë në korrupsion e kanë bërë krime njerëzore e shtetërore e tjera. Parlamenti dhe qeveritë në pushtet, duhet të japin shembullin për t’i denoncuar këta politikanë të inkriminuar, po ashtu dhe organet e drejtësisë, si prokuroria dhe gjyqësori duhet të veprojnë shpejtë e me forcën e duhur. Në vazhdën e krimeve të ’97-s, mbeten të pa ndëshkuara dhe krime të tjera siç janë: Tragjedia e Gërdecit, ku humbën jetën 26 qytetarë të pafajshëm dhe qindra të tjerë të plagosur e të mbetur invalid, vrasja e 4 demonstruesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në 21 janar, grushti i shtetit i shtatorit 1998 e tjera, të cilat kanë ndodhur në vazhdën e ngjarjeve kriminale të ’97-s. Pra, të gjitha janë të pa ndëshkuara dhe populli ka mbetur në pritje, që politika të ketë vullnetin t’i rihapi dhe drejtësia të ndëshkoj fajtorët. Është i veçantë rasti, që në krye të pushtetit për të gjitha këto ngjarje kriminale, ka qenë Sali Berisha, qoftë si President, qoftë dhe si Kryeministër. Dhe në asnjë rast ai nuk është thirrur as i pandehur dhe as dëshmitar! Prepotenca e tij ndaj ligjit, e bënë atë edhe më përgjegjës për të gjitha këto ngjarje tragjike. Pritet reforma në drejtësi, pritet SPAK-u dhe BKH-ja si organizma të shkallës së lartë në drejtësi për luftën kundër krimit në rangje të larta politike. Aktualisht, prokuroria ekzistuese dhe organizmat e saj, nuk ka pse të presin përfundimet e reformës në drejtësi. Ligji kërkon angazhim e kurajë më të madhe për të zgjidhur deri në fund zbardhjen e krimeve të prapambetura. “Çanta e Baba Takut” aty ka qenë, me të gjitha deklarimet e provat shkresore, së bashku dhe me raportet hetimore të komisioneve parlamentare. Por kryeprokurorëve që kanë qenë në krye të organit të hetimit, zotërinjve Rakipi, Sollaku, Rama, së fundi dhe Llalla, mund të themi se nuk kanë pasur vullnet dhe kurajë për t’u ndeshur me këto akuza, bile kanë fjetur mbi këto dosje dhe nuk u ka kërkuar askush hesap, si brenda organeve të drejtësisë, ashtu dhe nga organizmat e larta të shtetit, siç janë Parlamenti dhe Presidenti. Gjithë masa e popullit që i ka përjetuar këto ngjarje kriminale, apo dhe njerëz që janë prekur drejtpërdrejtë prej tyre, kanë pritur dhe presin ende dhe nga “Çanta e Baba Takut”, por edhe nga denoncime të tjera, që të zgjohen nga gjumi letargjik, në radhë të parë parlamenti dhe qeveria, por në veçanti të zgjohen organet e drejtësisë, për të vënë në rrjetë “Peshqit e mëdhenj”, që do qetësojnë së pari shpirtrat e mbi 3000 të vrarëve në trazirat e ’97-s, të Gërdecit, apo të vrasjeve në bulevard. Nuk mjaftojnë denoncimet, as tregimet historike të ngjarjeve, populli kërkon veprime konkrete si të hapet shpejtë dhe realisht ky proces, që mund të quhet, “Nurembergu” i Shqipërisë.